E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda muajit, të gjitha shkollat, në mbarë vendin, do të jenë të pajisura me internet

Kryeministri Berisha ka siguruar gjatë përurimit të shkollës së mesme të Bashkuar “Besnik Hidri”, në Shënavlash të rrethit të Durrësit, se brenda muajit maj synohet që procesi i shtrirjes së internetit të përfundojë në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur sot se Kryeministri Berisha vizitoi dje ambientet e kësaj shkolle, kopshtin, disa klasa të ndryshme, 2 kabinetet e informatikës, si dhe palestrën e kësaj shkolle, e ndërtuar në parametra moderne dhe me hapësira të bollshme për ushtrimin e sporteve të ndryshme. Kryeministri vlerësoi punën serioze që është realizuar në ndërtimin e kësaj shkolle të standardeve europiane, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 100 milionë lekë, duke e konsideruar atë një shembull për t’u ndjekur për çdo shkollë në qytet a fshat. Duke u ndalur në rolin e madh të shtrirjes së internetit, Kryeministri vlerësoi ngritjen e 2 kabineteve informatike në shkollën e Shënavlashit si dhe faktin se në gjithë qytetin e Durrësit ka përfunduar shtrirja e internetit në çdo shkollë. Gjatë ndjekjes së një ore mësimi të lëndës së Gjeografisë, ku nxënësit njiheshin përmes pamjeve filmime dhe materialeve vizive me detajet e ndërtimit të rrugës Durrës- Kukës, Kryeministri tha se "kjo rrugë është një vepër madhështore, dëshmia më e fuqishme e një Shqipërie që zhvillohet me shpejtësi, e një Shqipërie që mund të ndërtojë vepra të mëdha, që mund të ndërmarrë projekte ambicioze. Rruga është një aortë jetike për të lidhur dy pjesë të kombit Shqipërinë dhe Kosovën dhe për të shumëfishuar shkëmbimet njerëzore dhe tregtare mes dy vendeve", tha Kryeministrit Berisha, duke nënvizuar se kjo rrugë përfundon në qershor. Në objektivin e qeverisë, vijoi ai, janë ndërtimi i rrugëve që shkurtojnë distancat. "Rruga Durrës- Kukës- Morinë shkurton mbi 100 kilometra distancë, krahas faktit që parametrat e kësaj rruge janë për shpejtësi më të larta", tha ai. E njëjta gjë, vuri në dukje Kreu i Ekzekutivit, do të bëhet me aksin Tiranë- Tepelenë, me rrugën e Arbrit që afron Shkupin me Tiranën me 100 kilometra, me aksin Qafë Plloç- Qukës, që afron Korçën shumë ndjeshëm me Tiranën, me aksin Fierzë- Koman që shkurton distancën me 100 kilometra. Kryeministri nxiti nxënësit e kësaj shkolle që të mos heqin dorë nga rruga e dijes. “Duhet të mësoni sa më shumë, pasi asgjë nuk përcakton më shumë shpejtësinë e zhvillimit të vendit sesa arsimimi juaj”, u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se zona e Shënavlashit është një zonë e zhvilluar nga dora dhe mendja e njeriut, e ndërtuar me vila dhe shtëpi të bukura. “Kjo është Shqipëria tjetër, jashtëzakonisht e ndryshme nga ajo që ne kemi pasur, jo 50 apo 30, por edhe 18 vite më parë. Kjo është, së pari, Shqipëria juaj, sepse ju keni në memorie vetëm këtë Shqipëri, jo atë të dikurshmen. Ju keni një start shumë më të fuqishëm, sepse e nisni jetën në një Shqipëri tjetër”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri siguroi vazhdimin e mbështetjes së gjithanshme të qeverisë për të nxitur garën e arsimimit në vend, garën e dijes, si promotor të zhvillimit të vendit. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha u ndal edhe në një takim me trupën pedagogjike të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Besnik Hidri”, ku u njoh nga afër me zhvillimet dhe mendimet e mësuesve për reformën në arsim. Mësuesit e shkollës falënderuan Kryeministrin Berisha për këtë dhuratë të jashtëzakonshme për komunitetin e Shënavlashit, i cili prej shumë vitesh ka kërkuar një shkollë të këtyre përmasave. Gjithashtu, ata i shprehën mirënjohjen Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për vëmendjen e treguar ndaj tyre në rritjen e rrogave të tyre, përmirësimin e kushteve të punës, zvogëlimin e numrit të nxënësve në klasa, shtrirjen e internetit, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›