“Premtimet e Ramës për nënat, cinike - ato janë realizuar që në vitin 1993 nga qeveria demokratike”

Reagon zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu
TIRANE - Zëdhënësja e Qeverisë dhe njëkohësisht Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu i ka konsideruar deklaratat e djeshme të Kreut Socialist Edi Rama, si premtime cinike të politikës së tij të re, premtime që janë realizuar për nënat që në vitin 1993 nga qeveria e Partisë Demokratike.
Më konkretisht Bregu u ndal te deklaratat e Ramës që “çdo nënë do të përfitojë një vit barrëlindje gjatë qeverisë socialiste” duke i kujtuar se “një vit barrëlindjeje sikurse njihet në ligjin e Sigurimeve Shoqërore për nënat e reja është një standard i vendosur që në kohën e qeverisjes demokratike të vitit 1993”.
“Fakti që Edi Rama bën një premtim tashmë të realizuar që prej 16 vitesh në kuadër të premtimeve të tij elektorale për politikën e re, flet sigurisht për qëndrim cinik dhe premtime cinike në fushatë elektorale, ose dëshmon dhe kjo nuk është për t’u përjashtuar se që në vitin 1993 Edi Rama, nuk e ka haberin se çfarë ndodh me gruan dhe me familjen, nënën sigurisht edhe me lindjen”, u shpreh Bregu.