Leskaj: Fule po angazhohet për zgjidhjen e krizës
Partia Socialiste falënderoi dje Komisionarin Evropian për Zgjerim, Stefan Fule, për rolin pozitiv që po luan për çështjen e integrimit dhe krizës politike në Shqipëri. Deputetja Valentina Leskaj tha dje gjatë një deklarate për shtyp se “në emër të Partisë Socialiste falënderoj z.Fule për angazhimin permanent dhe për mbështetjen që u ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë në BE, si dhe për nxitjen që i ka bërë politikës shqiptare për zgjidhjen e krizës politike në vend”. Leskaj përsëriti pozicionin e PS për çështjen e transparencës zgjedhore. “Në këto tetë ditë nuk është cenuar asnjë lule jo vetëm në Tiranë, por në asnjë cep të Shqipërisë ku shqiptarët po protestojnë për të drejtën e votës. Partia Socialiste beson se kriza është politike dhe zgjidhja duhet të vijë politike. Dua të konfirmoj edhe njëherë se ajo që Partia Socialiste kërkon sot është transparenca e zgjedhjeve, mbështetur në të drejtën kushtetuese. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim të rezultatit apo me vendime të Kolegjit Zgjedhor, por ka të bëjë me respektimin e një të drejte ligjore”, u shpreh Leskaj.