Vendimi, 30 ditë në paraburgim për Sabit Gecin
Gjykata e Qarkut në Mitrovicë i ka caktuar 30 ditë paraburgim njërit prej komandantëve të UçK-së gjatë luftës në Kosovë, Sabit Gecit.
Masën e paraburgimit e ka firmosur një gjyqtar i EULEX-it me propozim të prokurorit, pas dyshimeve se Sabit Geci ka kryer krime lufte në periudhën prill-qershor 1999, në disa kampe të UçK-së në Kukës dhe në fshatin Cahan të Hasit të Shqipërisë.
Geci është arrestuar të enjten në shtëpinë e tij, në lagjen “Pejton” në Prishtinë, me urdhër të prokurorit të EULEX-it për krime lufte.
“Hetimi i EULEX-it, që çoi në arrestimin e Sabit Gecit në Prishtinë, deri sot nuk ka asnjë lidhje me dyshimet e ashtuquajtura ‘të trafikut të organeve në Shtëpinë e Verdhë’. Hetimi i EULEX-it ka të bëjë me objektet e UçK-së në veriun e Shqipërisë, në të cilat janë mbajtur disa të burgosur”, kanë thënë zyrtarë të misionit hetimor ndërkombëtar. Sipas tyre, hetimi është bërë plotësisht nga EULEX-i. Ai është drejtuar nga një prokuror i EULEX-it për krime lufte.
Ndaj arrestimit të Gecit ka reaguar Shoqata e Veteranëve të Luftës së UçK-së, duke konsideruar se UçK-ja ka bërë luftë të pastër. “Në ditët në vijim ne do t’i shqyrtojmë masat, që këtyre ofendimeve në formë spektaklesh t’u përgjigjemi shumë ashpër edhe ne”, thuhet në deklaratën e veteranëve të UçK-së.
#