E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama urdhëroi deputetët të mos votonin Rrugën e Arbrit - brenda vitit nis ndërtimi i tunelit”

18-03-2013 / Gazeta 55

Deputeti i PD-së në qarkun e Dibrës, Sherefedin Shehu: “Kandidatët e Ramës për deputetë, një miliarder zëvendësohet nga një miliarder tjetër” 

“Brenda vitit do të nisë ndërtimi i tunelit për Rrugën e Arbrit”. Kjo ka qenë deklarata e deputetit të Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu në kundërpërgjigje të akuzave të kryetarit të PS-së në qarkun e Dibrës, për premtime të pa mbajtura nga qeveria.
Sipas tij, deklaratat e Edi Ramës për Rrugën e Arbrit, ishin absurde, pasi Rama urdhëroi deputetët e tij të votonin kundër ndërtimit të rrugës. “Edi Rama duhet që të kërkojë ndjesë publike se ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër rrugës së Arbrit dhe kundër çdo rrugë tjetër dhe çdo investimi në këto 3 vite! Dje dhe sot Edi Rama vijoi fjalimin e tij absurd por veprat e tij nuk i përputhen me fjalët. Edi Rama mund te ketë parulla, por ai nuk ka punët apo faktet për t’i mbështetur ato. Sajesa e fundit që vjen nga Edi Rama, sulmi i tij për Rrugën e Arbrit, me të cilën mendon të gënjeje qytetaret që të harrojnë veprimet e tij për të kundërshtuar këtë rrugë. Edi Rama e ka kundërshtuar këtë rrugë në çdo moment dhe ka bllokuar progresin. A është Edi Rama aq i dëshpëruar për pushtet saqë tani me hipokrizi shkon ne Dibër dhe u kërkon banoreve për të shpaguar veprimet e tij bllokuese? A mendon ai se kjo sajese e fundit do të gënjejë shqiptarët? A mendon Edi Rama se duke zëvendësuar një miliarder me një miliarder tjetër për Deputet njerëzit do të harrojnë veprimet e tij bllokuese? E vërteta është se Edi Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit te kësaj rruge 3 herë rresht, dhe hera e fundit vetëm para 3 muajsh, dhe se Edi Rama ka përdorur çdo mundësi për të bllokuar progresin për qytetaret me kusht që të marrë diçka për vete”, u shpreh Shehu.
Deputeti demokrat i Dibrës deklaroi se rruga e Arbrit është një nga premtimet solemne të Partisë Demokratike dhe pavarësisht peripecive të kreut të opozitës, ndërtimi i saj po ecën përpara dhe është ndërtuar në një gjatësi prej 30 km.
Ai deklaroi se brenda vitit do fillojnë punimet për ndërtimin e tunelit dhe urës së Vashës, të cilat janë vonuar për shkak të çështjeve teknike.
“Rruga e Arbrit është premtimi solemn i PD-së si një rrugë e dytë e kombit dhe pavarësisht sajesave të Edi Ramës, ndërtimi i saj ka filluar dhe po ecën përpara. Ndërkohë që çështjet teknike kanë vonuar tunelin e Murrizit, tani që janë sqaruar këto probleme, brenda këtij viti do të fillojnë punimet për ndërtimin e tunelit dhe të urës së Vashës. 30 km janë ndërtuar tashmë (pauze) dhe ndërtimi po vijon si nga Bulqiza edhe nga Tirana. Gënjeshtra e fundit e Edi Ramës është absurde dhe qesharake. Edi Rama duhet që të kërkojë ndjesë publike se ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër rrugës së Arbrit dhe kundër çdo rrugë tjetër dhe çdo investimi në këto 3 vite!”, deklaroi deputeti demokrat, Sherefedin Shehu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›