E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet vakante në Gjykata, Presidenti Nishani takon përfaqësuesit e partive politike

18-03-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot takime të veçanta me përfaqësues të partive parlamentare, në kuadër të përfundimit të mandatit të njërit prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë si dhe për plotësimin e dy vendeve vakante që krijohen në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë takimeve të Presidentit Nishani me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, zotin Astrit Patozi; Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zotin Gramoz Ruçi; Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, zotin Lefter Koka, si dhe me përfaqësuesit e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet u diskutua për kriteret dhe performancën që duhet të kenë anëtarët e rinj të dy institucioneve kushtetuese.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për rëndësinë që ka procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese si dhe nënvizuan faktin se ky proces duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës fton subjektet e interesuara të dorëzojnë kërkesat e tyre të shoqëruara me një CV pranë Institucionit të Presidentit të Republikës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›