Stani i Ramiz Alisë, burimi i “prurjeve të reja” të Edi Ramës

Shitja e mjeteve ramiziste, si Shkëlqim Cani a Pajtim Bello, për “prurje të reja”, tregon se ku i ka varur shpresat “rilindja” e Edi Ramës
Në një parti pa vlera çdo kush mund të cilësohet si vlerë e shtuar. Edi Rama prezantoi në Dibër kandidatin e Partisë Socialiste për deputet, Shkëlqim Cani, të cilin e cilësoi “specialist të shkëlqyer”; dhe po përgatitet të prezantojë Pajtim Bellon si një tjetër “specialist”.
Në fakt, blerjet e reja të Edi Ramës janë produkte të vjetra politike të Ramiz e Alisë që janë atashuar më pas Fatos Nanos, duke qenë krijesa të përpunuar në shkollën e partisë. Partia Socialiste ka dy “specialistë” më shumë, do të thoshte i ndjeri Pjetër Arbnori. Kuptohet vetiu është ish-kryeministrit Fatos Nano që bëri të mundur që Shkëlqim Cani të bëhej guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Ai bëhet i pari Guvernator, falë mbështetjes dhe mbrojtjes së Fatos Nanos të mbaronte të plotë mandatin 7-vjeçar në krye të institucionit më të rëndësishëm të politikës monetare. Gjatë mandatit të tij si guvernator i Bankës, Cani nuk shkëlqeu. 7 vitet e Canit në krye të Bankës përmbledhin në vetvete edhe një sërë dështimesh e skandalesh. Skandali më i madh ka të bëjë me vjedhjen e thesarit të Kërrabës, ku floriri u zhduk pa lënë gjurmë. Ky skandal u pasur nga një tjetër skandal, sikurse ishte ai i kartëmonedhave dhe për të cilin, zëvendësi i Canit, Dh. Pite u burgos. Ai u arrestua pasi ishte në hetim për abuzime dhe shkelje në shuma të mëdha në një tender të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, që drejtohej nga Shkëlqim Cani, ku i ishte shkaktuar shtetit një dëm që kap shifrën e 600 mijë dollarëve amerikanë. Thelbi i këtij skandali ishte ndryshimi i kontratës me një firmën franceze kundrejt një kostoje shtesë prej 600 mijë dollarësh, për të shtuar elemente të tjerë sigurie në kartëmonedhat e reja, që do të prodhoheshin dhe emetoheshin. Sipas hetimeve zëvendësi i Guvernatorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, kishte pasur rol kryesor në organizimin e tenderit dhe në shpalljen e ofertës fituese. Shkëlqim Cani për këtë aferë të zëvendësit të tij nuk ka dhënë asnjëherë shjegime publike.
Mjerisht edhe në krye të Bankës së Shqipërisë më shumë ndihmoi kursin e këmbimit tek dollari sesa politikën monetare të shtetit shqiptar. Gjatë mandatit të tij 7 vjeçar pati shumë rrjedhje informacioni, ku shumë persona përfituan nga kursi i këmbimin, pasi ishin në dijeni një ditë më parë të uljes së normës së interesit të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa këto ditë po qarkullon në redaksi se prurja e re e Edi Ramës në skuadrën e Rilindjes do të jetë, Pajtim Bello, ish-zëvendësministri i Energjetikës (1997-2005), është dhe ky produkt i Ramis Alisë. Më saktë, ish-anëtar i kabinetit të Adil Carcani, Pajtim Bello aktivizohet më komandë sa herë partia ka nevojë për të lëvizur gurët kundër programit të qeverisë dhe reformave ekonomike.
Të dy këta kandidatë, Cani e Bello, janë kamufluar gjithë këto vite në opinionin publik, ashtu si shumë prurje të reja të Edi Ramës, si të pavarurit. Por në fakt janë shpërblyer për varësinë e tyre për të manipuluar opinionin publik me një propagandë që synonte të deformonte realitetin duke nxirë Shqipërinë sa herë i interesonte Edi Ramës.