E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama vijon serialin e mashtrimeve ndaj shqiptarëve”

14-01-2013 / Gazeta 55

Deputeti i PD, Gerti Bogdani

Deputeti i PD, Gerti Bogdani deklaroi dje se kreu i PS, Edi Rama vijon serialin e mashtrimeve ndaj shqiptarëve.
Gjatë një konference për shtyp, Bogdani tha se “PD do t’i përmbahet me besnikëri premtimit të saj solemn dhe do të vazhdojë me rritjen e rrogave dhe të pensioneve çdo vit, për sa kohë do ta votojnë shqiptarët”, ndërsa Edi Ramës i ka mbetur ora tek statistika e Ramiz Alisë për 1 milionë të papunë.  “Pas dy javë pushimesh në resortet më luksoze të botës, Edi Rama u tha sot shqiptarëve se ai nuk do të rrisë rrogat dhe pensionet, por ngushëlloi 820 mijë qytetarë punonjës të administratës shtetërore se, PS nuk do të ulë rrogat e tyre. Rama në serialin e mashtrimeve të tij foli për papunësinë, por harroi deklaratën e tij të marrë hua nga Ramiz Alia për një milion të papunë dhe foli për 240 mijë të papunë. Ai u tha shqiptarëve se të ardhurat e tyre janë vetëm 28 për qind e të ardhurave mesatare të BE”, tha Bogdani.
Në këtë drejtim, PD deklaron se që nga viti 2006 e deri sot ka rritur rrogat për mësuesit nga 120 deri në 160 për qind , rrogat e mjekëve dhe infermierëve nga 130 në 160 për qind, ka mbidyfishuar rrogën minimale dhe rrogën mesatare, ka rritur me 110 për qind pensionet në fshat dhe me rreth 70 për qind pensionet e tjera.
“Zoti Rama që u zotua se nuk do të ulë rrogat ka urdhëruar deputetët e tij të votojnë kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve çdo vit që janë rritur ato, madje vitin që shkoi e quajti kriminale rritjen e rrogave dhe pensioneve. Rama mashtroi shqiptarët kur foli për papunësinë, e cila sigurisht përbën dhe do të përbëjë një problem shqetësues, por është Komisioni Europian që ka deklaruar se Shqipëria është vendi i vetëm në rajon në të cilin papunësia jo vetëm nuk u rrit, por u ul progresivisht”, vijoi deputeti i PD, Bogdani.
Sipas tij, papunësia u ul, sepse Shqipëria këto 4 vjet realizoi mbi 4 miliard dollarë investime të huaja dhe vjet ka ruajtur investimet buxhetore më të larta në Europë.
“Rama u zotua se do të ngrejë një agjenci speciale dhe se do të gjejnë belanë ata që nuk do të paguajnë taksat. Ndërkohë, si kryetar bashkie përjashtoi nga taksat Koçon, Fidelin dhe kupolën e tij për më se 8 vjet me radhë dhe në deklaratën e pasurive familjare rezultojnë qindra milion lekë pa nam e nishan në tatimet shtetit. Rama deklaroi se të ardhurat e shqiptarëve qenkan 28 për qind e mesatares së të ardhurave të BE-së. Ai harron se vetëm 20 vjet më parë, kur ne përmbysëm etërit e tij, shqiptarët ishin sipas Bankës Botërore të tretët me të ardhura më të ulëta në botë, prej vetëm 204 dollarë për frymë, pra jo tre herë më të ulëta, por së paku 3 400 herë më të ulëta se mesatarja e të ardhurave të vendeve anëtare të BE-së”, theksoi Bogdani.
Deputeti i Partisë Demokratike vuri në dukje më tej se, “Shqipëria edhe sot në vitet e krizës më të thellë të Europës ka ruajtur rritjen ekonomike më të lartë në Europë”.
Sipas tij, në 7 vitet e fundit Shqipëria ka realizuar një rritje në të ardhurat nga taksat dhe tatimet, prej më shumë se 9 miliardë dollarë dhe renditet e 4-ta në 150 vende për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët e saj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›