E Diel, 1 Nëntor 2026

“Leja e pallatit të Linda Bashës, në shkelje me ligjin Për Urbanistikën”

14-01-2013 / Gazeta 55

Reagon Bashkia e Tiranës

Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me godinën në rrugën “Qamil Guranjaku”, në pronësi të bashkëshortes së kryesocialistit Edi Rama, Linda Basha.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e bashkisë së Tiranës Anila Bisha deklaroi se ndërtimi i kësaj godine është në kundërshtim të ligjit për urbanistikën. “Në përgjigje të interesimit të qytetareve dhe  mediave, Bashkia e Tiranës sqaron se: Sheshi mbi të cilin është dhënë leja e ndërtimit për këtë pallat më datë 21. 03. 2006 ka qenë i përcaktuar në studimet e miratuara, ‘hapësirë publike, në funksion të bllokut të banimit’. Për këtë arsye, leja e ndërtimit për këtë pallat është dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin. Në bazë të ligjit nr. 8405, datë 17. 09. 1998 ‘Për Urbanistikën’, neni 62, Këshilli i Rregullimit të Territorit nuk ka pasur të drejtë të miratojë asnjë ndërtim të përhershëm ose provizor , jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara. Në rastin konkret në studim, hapësira mbi të cilën është dhënë leja ka qenë e përcaktuar  shprehimisht ne ligj, si  hapësirë ndërmjet blloqeve të ndërtuara të banesave dhe si e tillë kjo hapësirë ishte e përjashtuar nga çdo lloj ndërtimi”.
Ndër të tjera, Bashkia Tiranë vëren se ku ligji kjo vlen dhe për rastet e pronave të kthyera.
“Neni 62 i ligjit ‘Për Urbanistikën’ thekson se, ‘Për rastet e pronave të kthyera nga komisionet e kthimit dhe të kompensimit të pronave ish- pronarëve, kur këto prona gjenden në territore të tilla (sheshe apo hapësira ndërmjet blloqeve të ndërtuara të banesave), KRRT- të e të gjitha niveleve nuk kanë të drejtë të ndryshojnë destinacionin e përcaktuar në studimin e miratuar. Në këto raste, pronarët e tokave kanë të drejtë të kërkojnë kompensim, sipas ligjeve në fuqi’. Më datë 27. 12. 2008, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ndryshoi  projektin teknik të kësaj godine të miratuar në 2006, duke e zgjeruar edhe më tej hapësirën e ndërtimit horizontalisht dhe vertikalisht, por pa e shoqëruar me planimetrinë përkatëse, siç e kërkon ligji”, vijon më tej zëdhënësja e bashkisë së Tiranës Anila Bisha. 
Në përfundim  të deklaratës për shtyp, zëdhënësja e bashkisë Tiranë, Anila Bisha  nënvizoi se, “për këto arsye, si leja e ndërtimit më 21.03. 2006, ashtu edhe ajo e rishikuar më 27. 12. 2008, janë dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 ‘Për Urbanistikën’. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës ia ka referuar të gjithë materialet, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›