“Edi Rama vjel taksa e tatime që e tejkalojnë kufirin ligjor”
Deputeti i PD-së Florjon Mima denoncon kryebashkiakun e Tiranës
Partia Demokratike akuzoi përsëri dje kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për mungesë transparence të shpenzimit të të ardhurave të bashkisë, duke i maskuar këto përmes mos miratimit të buxhetit për vitin 2010-ë. Deputeti i PD-së për Qarkun Tiranë, Florjon Mima u shpreh se operimi i bashkisë me një buxhet provizor, është shkelje e ligjit, pasi në kushtet aktuale ka një mungesë të theksuar transparence. Sipas deputetit Mima, Rama vazhdon të thellojë rrugën ekstraligjore të operimit të tij në krye të bashkisë së Kryeqytetit. “Kreu i bashkisë së Tiranës, Zoti Rama, po vijon të thellohet në rrugën e tij të paligjshmërisë dhe të keqpërdorimit për qëllime të pastra politike të ligjit. Kështu, zoti Rama për të disatin vit rresht, vazhdon traditën e mosmiratimit të buxhetit në Këshillin Bashkiak, dhe të operimit me buxhet provizor në kushtet të mungesës totale të transparencës për publikun, i cili sipas ligjit do të duhej të informohej me detaje për paratë që paguan në formën e tatimeve, taksave dhe tarifave lokale si dhe për mënyrën e shpenzimit të këtyre parave nga bashkia e Tiranës. Zoti Rama në thyerje totale të ligjit, vijon të vjelë tatime, taksa dhe tarifa të cilat tejkalojnë disa herë kufirin e vendosur nga ligji, sipas të cilit të gjitha tatimet, taksat dhe tarifat nuk mund të jenë më shumë se 10 për qind e nivelit tregues të taksës për biznesin e vogël. Partia Demokratike dhe qeveria e mazhorancës do të kthehen në avokatin e mbrojtjes së të drejtave të tatim-paguesve për të garantuar që paratë e vjela padrejtësisht të kthehen në arkat e tyre”, u shpreh Mima.
Ai i bëri thirrje qytetarëve, të cilët nuk kanë kryer pagesën, të injorojnë njoftim-tatimet ilegale të bashkisë dhe të paguajnë vetëm detyrimin që thotë ligji. “Mos harroni! 10 për qind e taksës së biznesit të vogël është detyrimi juaj total për të gjitha taksat dhe tarifat lokale. U bëjmë thirrje të gjithë trupave të ngarkuar nga ligji, të ndërmarrin sa më parë veprime, verifikuese, kontrolluese dhe bllokuese të kësaj rrugë antiligjore dhe të garantojnë transparencën në sytë e publikut në përgjithësi dhe komunitetit të biznesit të vogël në veçanti”, deklaroi më tej deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë, Florjon Mima.