“Edi Rama, xheloz për studimet e Priftit në Harvard, politika e tij është banale”
Zëvendëskryeministri, Ilir Meta komenton zhvillimet më të fundit politike
Kryediplomati shqiptar thotë se nuk është i rastësishëm debati i ditëve të fundit ndërmjet kryetarit të socialistëve, Edi Rama dhe ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti. Gjatë një konference për shtyp, pas kthimit nga Konferenca Ndërkombëtare e Kabulit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta u shpreh se Edi Rama ka një xhelozi të vjetër ndaj deputetit të LSI, xhelozi të cilën s’ka mundur ta kapërcejë edhe pas viteve të tëra. “E gjithë kjo ka për bazë një mllef të vjetër të kreut të PS Rama ndaj përfaqësuesit të LSI në qeveri, Dritan Prifti. Konflikti Rama-Prifti ka ekzistuar që kur kemi qenë të gjithë se bashku në të njëjtën parti, në PS. Mund t’ju them me keqardhje se xhelozia dhe fobia e Edi Ramës ndaj Dritan Priftit janë të vjetra, nuk janë të reja. Së dyti, sulmet e Partisë Socialiste janë vërtet shumë banale dhe shumë denigruese”, tha ministri Meta.
Duke u ndalur tek sulmet e opozitës ndaj pasurisë së Priftit, Meta tha se ministri është korrekt me ligjin, ndërsa opozita po kritikon pa baza.
Sipas tij, të gjithë ata që janë në pozita të larta shtetërore, duhet të anashkalojnë konfliktin e interesit.
“Ju të gjithë e dini se të gjithë ata që janë në pozita të larta shtetërore dhe që marrin detyra të rëndësishme shtetërore, duhet të tregojnë kujdes për sa i takon konfliktit të interesit. Besoj se Dritan Prifti e ka sqaruar vetë, sikurse edhe e ka thënë që është diplomuar në Harvard dhe nuk ka nevojë për avokat, që në detyrim të zgjidhjes së çdo konflikti interesi është përpjekur për t’i shitur aksionet e tij, të cilat kanë qenë të deklaruara përpara se ai të merrte detyrën e Ministrit që kur ka qenë në Opozitë. Mendoj se ky është një veprim për t’u përshëndetur, jo për t’u kritikuar nga ana e Partisë Socialiste”, vuri në dukje Meta.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ju përgjigj interesit të medias dhe mbi ecurinë e negociatave mazhorancë -opozitë.
Duke shprehur padurimin për mbërritjen sa më parë në një marrëveshje, Meta vuri në dukje se opozita e ka në dorë zgjidhjen, nëse pranon opsionin ligjor dhe kushtetues të saj. Meta sqaroi gjithashtu votën ‘pro’ të LSI, dekreteve të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë e Kushtetuese. Lidhur me këtë fakt, nr 2 i qeverisë, tha se bashkëpunimi i koalicionit do vazhdojë sipas marrëveshjes së nënshkruar.
Ditët e fundit është ashpërsuar ndjeshëm gjuha midis Ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, duke bërë deklarata të cilat ne në fakt nuk i kishim dëgjuar më parë. Si ju duken këto lloj qëndrimesh që janë mbajtur për këtë dhe cili ka qenë roli juaj?
Dua të deklaroj se nuk kam pasur asnjë rol në këtë debat, të cilin më tepër e kam ndjekur përmes sms-ve dhe internetit, pasi vetë fluturimet për në Afganistan dhe në Kazakistan e kanë bërë të pamundur ndjekjen e një debati të tillë. Por mund t’ju them me keqardhje se xhelozia dhe fobia e Ramës ndaj Priftit janë të vjetra, nuk janë të reja. Së dyti, sulmet e Partisë Socialiste janë vërtet shumë banale dhe shumë denigruese. Ju të gjithë e dini se të gjithë ata që janë në pozita të larta shtetërore dhe që marrin detyra të rëndësishme shtetërore, duhet të tregojnë kujdes për sa i takon konfliktit të interesit. Besoj se Prifti e ka sqaruar vetë, sikurse edhe e ka thënë që është diplomuar në Harvard dhe nuk ka nevojë për avokat, që në detyrim të zgjidhjes së çdo konflikti interesi është përpjekur për t`i shitur aksionet e tij, të cilat kanë qenë të deklaruara përpara se ai të merrte detyrën e Ministrit që kur ka qenë në Opozitë. Mendoj se ky është një veprim për t`u përshëndetur, jo për t`u kritikuar nga ana e Partisë Socialiste. Gjithashtu dëgjojmë edhe një absurditet tjetër, që ortaku i cili ka marrë këto aksione, sipas Partisë Socialiste, qenka kushëri i Petrit Vasilit, Ministrit të Shëndetësisë, dhe ky paska marrë pjesë në tenderët që bën Ministria e Shëndetësisë apo QSUT-ja për çështjen e ilaçeve. Kjo është thjesht një përpjekje diabolike për të krijuar një klimë denigruese dhe të pandershme, pasi me sa u interesova edhe vetë, ky person merret me këtë aktivitet farmaceutik prej 15 vitesh dhe njëkohësisht në këtë kompani që është një ndër më të njohurat në vend, ai është një ndër tre aksionarët, duke marrë pjesë në këtë lloj aktiviteti shumë kohë përpara se Petrit Vasili të bëhej Ministër i Shëndetësisë. Pra të gjitha këto së bashku, deri dhe me pikëpyetje të tilla absurde, pra që Dritan Prifti ia paska shitur aksionet këtij biznesmeni, sepse nuk e di se kush do ti merrte këto aksione, sigurisht që një biznesmen do t`i merrte, tregojnë shumë thjesht që këtu kemi të bëjmë me një sulm politik, kemi të bëjmë me një krizë të madhe të lidershipit të kësaj force politike, krejtësisht e çorientuar, e cila në vend që të përqendrohet tek reforma zgjedhore për të çuar përpara edhe projektet e saj për transparencën duke përmirësuar Kodin Zgjedhor dhe duke përmirësuar rregullat ekzistuese me të cilat bëhen zgjedhjet në Shqipëri, pra merret me çështje për të cilat Dritan Prifti më duket se ka bërë thirrje që të investohen organet përkatëse, institucionet shtetërore. Partia Socialiste duhet t`i ndjekë akuzat e saj në këtë rrugë. Për mua ky nuk ishte një konflikt i ri; konflikti Rama-Prifti është një konflikt i vjetër që kur kanë qenë të dy në Partinë Socialiste.
Keni dhënë votën pro të gjitha kandidaturave të propozuara nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i Partisë suaj shprehu qëndrimin e LSI ndaj ndryshimit të ligjit të SHISH-it në rast se nuk do të kishte miratimin e partnerëve ndërkombëtarë. Në rast se ngremë një hipotezë dhe themi se Partia Socialiste do të kishte marrë pjesë në Parlament gjatë votimit të Dekreteve, shumica e votave do të kishte kaluar në krahun tjetër, pra PS-LSI. Ka ndonjë gjë këtu, apo është thjesht spekulim të mendosh që mund të ketë diçka brenda Mazhorancës? çfarë sinjalesh i jepni ju Partisë Demokratike me këto dalje kundër publikisht?
Ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike, e cila është publike, dhe ne i kemi qëndruar dhe do t’i qëndrojmë marrëveshjes deri në fund për të gjitha çështjet që të dy palët kanë rënë dakord të punojnë së bashku. Lidhur me votimin për Dekretet e Presidentit e kam theksuar edhe më parë, sikurse dhe Luan Rama e ka theksuar, që ne nuk votojmë pro Partisë Demokratike, apo kundër Partisë Demokratike, apo kundër apo pro Partisë Socialiste. Ne kemi një politikë tonën, e cila është një politikë që në përgjithësi i mbështet Dekretet e Presidentit sepse mendojmë se si institucioni përgjegjës për të promovuar kandidatura të caktuara në nivelet më të larta të gjyqësorit, ka bërë verifikimet e duhura dhe kjo është një politikë e hapur. Në rast se do të kishin qenë deputetët e Partisë Socialiste në Parlament, aritmetika është e thjeshtë: gjyqtarët do të ishin zgjedhur! Për sa i përket ligjit për SHISH-in, përsëri nuk duhet të krijojmë keqkuptime të paqena. Më duket se Rama, pra Luani, është shprehur shumë qartë, se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s prej një viti, dhe ka përmbushur me shumë sukses gjatë vitit të parë të saj pas anëtarësimit, të gjitha detyrimet si vend anëtar i Aleancës. Më duket se ai është shprehur shumë qartë se bashkëpunimi në luftën kundër terrorizimit është një prioritet madhor në raportet Shqipëri-NATO dhe në këtë drejtim, dhe e njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunimin në fushën e shërbimeve inteligjente. Unë e kam thënë me kohë se ligji ka nevojë për ripërtëritje në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me shumë aspekte të tjera, dhe kjo nuk është një gjë e re. Njëkohësisht, të gjithë e dinë se si një vend që tashmë është anëtar i NATO-s, Shqipëria ka një detyrim edhe për sa i përket rishikimit të ligjeve që kanë të bëjnë me forcat e armatosura, që kanë të bëjnë me shërbimin inteligjent, të konsultohet me NATO-n në mënyrë që të përmbushë detyrimet e saj dhe të arrijë standardet e kërkuara, të cilat burojnë tashmë nga anëtarësimi. E njëjta gjë vlen dhe në raport me Bashkimin Evropian, përderisa synojmë të anëtarësohemi në të. Ne kemi për detyrim, që për çdo ligj që ka të bëjë me fushën ku shtrihen marrëdhëniet tona me BE-në, ne të verifikojmë nëse legjislacioni ynë është apo jo në përputhje me legjislacionin e këtij komuniteti.
Kanë mbetur vetëm dy seanca plenare nga mbyllja e sesionit parlamentar. Ju si aleati kryesor në koalicionin qeverisës, a besoni se jeni afër arritjes së një marrëveshjeje për ngritjen e një Komisioni përpara mbylljes së sesionit?
Ne mezi po presim për këtë. Kemi një vit që kemi kërkuar të ngrihet Komisioni Hetimor, që të bëhet transparenca, dhe të gjithë e kanë bërë të qartë që kërkojnë respektimin e Kushtetutës dhe pavarësinë e gjyqësorit. Shpresojmë që kjo situatë e pakuptimtë të kalohet sa më shpjet dhe të ecet përpara. Ndërkohë, gjej rastin edhe një herë tjetër të bëj thirrje që të fillohet puna për reformën zgjedhore, sepse transparenca garantohet me ligj.