“Rriten investimet dhe forcohet leku, thelbësore për progresin ekonomik”
Kredia 3.2 miliardë euro do të nxisë rritjen ekonomike. Flasin ekspertët
Kredia 3.2 miliardë euro që Shqipëria ka siguruar nga institucionet ndërkombëtare financiare, pritet të japë një ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit. Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se ky është momenti i duhur që kjo shumë të hyjë në tregun vendas, për disa arsye, si investimet apo forcimi i lekut, thelbësore për rritjen ekonomike.
Adrian Civici, ekspert ekonomie tha se “vendi ka nevojë për investime pasi duhet rritje ekonomike”.
“Kjo kredi do rrisë punimin po ashtu edhe do forcojë lekun duke futur valutë në treg. Sektorët si infrastruktura po ashtu dhe energjia janë mjaft të rëndësishëm në zhvillimin e vendit, sektorë në të cilët do të investohet pjesa më e madhe e kësaj kredie.
Ekspertët e quajnë si një hap pozitiv këtë kredi, duke këshilluar që ajo të investohet kryesisht në sektorët që nxisin punësimin.
Një tjetër ekonomist, Zef Preçi, thotë se kredia po të financohet në sektorët e duhur po ashtu dhe të jetë me interesa të ulëta, i jep zhvillim vendit.
“Bankat që financojnë vendin tonë kanë besim në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.
Do ndikojë pozitivisht në punësim dhe forcimin e lekut”, tha ai.
Kreditë e mbledhura së bashku, që arrijnë shifrën e 3.2 miliardë eurove do të jenë me interesa të buta nga 1 deri në 3 për qind.
Pjesa më e madhe e kësaj kredie do përdoret në infrastrukturë dhe energjetikë, dy sektorë që janë vlerësuar edhe nga ekspertët si katalizator në zhvillimin e ekonomisë së vendit.