Shqipëria, e angazhuar për arritjen e objektivave të ndërkombëtarëve në Afganistan
Konferenca ndërkombëtare e Kabulit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në komunikimin me gazetarët, informoi mbi takimin e Konferencës Ndërkombëtare, për Kabulin, zhvilluar në Afganistan. Sipas Metës, kjo konferencë ishte një aktivitet shumë i rëndësishëm, në mbështetje të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Afganistan.
“Ajo çka është më e rëndësishme, është fakti që një Konferencë e përmasave të tilla, ku merrnin pjesë personalitete te larta ndërkombëtare, u organizua krejtësisht nën kujdesin e Qeverisë afgane. Konferenca e Kabulit është tregues i një faze të re të bashkëpunimit midis palës afgane dhe komunitetit ndërkombëtar, e cila do të ofrojë një mundësi unike për të forcuar partneritetin ndërkombëtar me qëllimin final arritjen e një Afganistani të stabilizuar dhe në afatgjatë të fortë dhe të begatë”, tha ai.
Zëvendëskryeministri informoi se para të pranishmëve ka deklaruar angazhimin e Shqipërisë, për arritjen e objektivave të Komunitetit Ndërkombëtar në Afganistan.
“Në ndërhyrjen time gjatë Konferencës, rikonfirmova angazhimin e Shqipërisë për arritjen e objektivave të Komunitetit Ndërkombëtar në Afganistan si edhe ritheksova mbështetjen për përpjekjet e Qeverisë afgane për stabilizimin dhe zhvillimin e Afganistanit. Në kuadër të Strategjisë së re për Afganistanin, shpreha edhe njëherë vendosmërinë tonë për kontribute shtesë me 44 trupa luftarake, trajnues të ushtrisë dhe policisë kombëtare afgane, si edhe akordimin e 100 bursave studimore për studentë afganë”, deklaroi më tej, zëvendëskryeministri shqiptar, duke sjellë në vëmendje se zyrtarët më të lartë të institucioneve ndërkombëtare dhe të Qeverisë afgane vlerësuan kontributin e Shqipërisë dhe angazhimin e palës shqiptare për të ardhmen.
Arritjet dhe konkluzionet kryesore të kësaj konference ishin hartimi dhe miratimi i planeve dhe strategjive të reja që kanë të bëjnë me riintegrimin, ripajtimin dhe procesin e tranzicionit, i cili nënkupton marrjen e përgjegjësive nga pala afgane.