E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama zbulon metodën e letrave, i shkruan Sheferit që të mos e marrë në konsideratë Gërdecin



Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, me anë të një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, shpreh falenderimet dhe mirënjohjen e tij, për shfaqjen e menjëhershme të solidaritetit të kreut të Aleancës ditën tragjike të 15 marsit, duke kërkuar nga aleanca dhënien e ftesës së anëtarësimit për Shqipërinë në samitin e Bukureshtit. “Në emër të të gjithë shqiptarëve, si lider i opozitës, do të doja t'Ju shprehja mirënjohjen e thellë për shfaqjen e menjëhershme të solidaritetit Tuaj ndaj vendit tim në orët e tmerrshme të tragjedisë së 15 marsit. Jetët e humbura të fëmijëve, grave, burrave të pafajshëm, qindra të plagosurit dhe shtëpitë e rrafshuara për tokë të qindra familjeve të mbetura pa asgjë e të mbërthyera nga ankthi i mungesave të afërmve të tyre të humbur, ishin një shok i patregueshëm për të gjithë popullin tone që në ato orë të paharrueshme tronditjeje pati pranë, përmes mesazheve kuptimplota të solidaritetit, Ju dhe partnerët e miqtë e shtrenjtë ndërkombëtarë, pa të cilët Shqipëria do ta kishte të pamundur sfidën e integrimit në NATO e në BE dhe kapërcimin e një momenti kaq sfidues për një vend si i yni. Falë Jush e të gjithë miqve që na u gjendën pranë, ne nuk u ndjemë vetëm përballë pasojave të jashtëzakonshme të shpërthimit tronditës, mundëm të shpëtojmë jetë të çmuara të plagosurish e besoj do të mundemi të gjejmë zgjidhje për problemet e rënda të të mbijetuarve”, thekson Rama. Ai vijon më tej në letrën e tij, duke shtuar se “ne do të dimë ta kthejmë këtë dhimbje të thellë në një forcë të madhe për të nxjerrë të gjitha mësimet e duhura nga një tragjedi që nuk ishte rezultat i një fatkeqësie natyrore, po një alarm shumë domethënës për nevojën e madhe të ndryshimeve të mëtejshme e të gjithanshme në rrugën e ndërtimit të një shteti modern e tërësisht të integruar në NATO e në Bashkimin Europian. Duke iu referuar integrimit të NATO, Rama ka shprehur në letrën drejtuar Schefferit, se si asnjëherë më parë në historinë tonë të gjatë si vend, ne shqiptarët ndjehemi pranë familjes së popujve të Aleancës së NATO-s, të gatshëm të marrim përsipër përgjegjësinë historike të të qenit pjesë integrale e kësaj aleance. “Ne do të bëjmë çdo përpjekje e nuk do të kursejmë asnjë energji për të garantuar jo vetëm ftesën po edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një borxh që ua kemi të gjithë atyre që u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë e demokratike dhe atyre që sot janë ende fëmijë e që, pa humbur kohë, duhet të jenë të lirë e të sigurtë në gjirin e familjes euroatlantike”, përfundon letra e Kryetarit të PSSH-së, për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap Dee Hoop Scheffer .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›