E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Ramën e pret fati i Mircea Geoanas

Edhe në polemikën më serioze, hamendësitë bëhen, shpesh, me synime instruktive. Hapja e kutive, me qëllimin që shpall E.Rama, është një gjë e pamundur; por edhe kundërthënëse nga pikëpamja ligjore. Me siguri ai këtë ngulmim e ka për përdorim të brendshëm. Si shumë broshurëza të kohës së diktaturës, që kishin në okielo: “Për përdorim të brendshëm”, domethënë për anëtarët e Partisë së Punës. Se vetëm këta paskëshin qenë të pjekur për të vërteta, që ishin komprometuese , nëse do t’i dinte populli sekretet e komunistëve; vetëm këta ishin, sipas Enver Hoxhës, kalë karroce, ndonëse jo të gjithë (Dhe ishte hipokrit, pra, kur fliste në emër të popullit!).
I gjithë faktori ndërkombëtar, ai europian dhe ai euroatlantik, po ia thotë troç EdRamës se hapja e kutive bie ndesh me Kushtetutën, hedh poshtë vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe është certifikuar nga KQZ-ja. Ia ka thënë prej kohësh dhe po ia përsërit edhe sot e kësaj dite. Partitë Popullore Europiane po i thonë këto ditë se kjo nuk ndodh askund në botë. Ai, Edvini, dhe lakenjtë e tij po bërtasin se ndodh kudo në botë! Kryetarja e grupit të PPE në Asamblenë Kmbëtare të OSBE-së Walburga Gabsburg Douglas-i i thotë se “është zhgënjyer nga opozita shqiptare, sepse OSBE-ja kishte dërguar vëzhguesit e saj në Shqipëri dhe ata kishin arritur në përfundimin se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe demokratike”. Për më tepër ishte shprehur pa mëdyshje; “Para çdo lloj ndryshimi, opozita të kthehet në Parlament”. Edvini dhe laklakët e tij po gënjejnë popullin dita-ditës, sikur ndërkombëtarët thonë të kundërtën! Por që nuk thonë atë që dëshiron EdRama, faktet janë të përditshme. Lajm i freskët është edhe ky: Ish-kryetari i grupit të monitoruesve të OSBE/ODIHR-it, Wolfgang Grossruck deklaron më 19 shkurt: “Unë i sugjeroj opozitës që të kthehet në Parlament menjëherë. Nuk mund të bien ndesh me ligjin dhe me Kushtetutën shqiptare”. Mos të harrojë Edvini edhe ndajfoljen: menjëherë! Zëvendëspresidentja e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Katerina Ashton, duke konfirmuar Grosrukun, shton edhe se: “Shqipëria gjatë këtyre viteve ka bërë progres të rëndësishëm, por vështirësitë aktuale (të ngërçit), po vënë në rrezik progresin e mëtejshëm”. Sa për atë, zonja Katerinë, ta themi ne shqiptarët sesa i bëhet vonë Edvinit dhe pàzhëve e tij për Shqipërinë dhe për progreset e saj.
EdRamës i janë bërë shumë favore nga pozita e sotme: I kanë dhënë ofiqin e Paganinit, domethënë violinën e Stradivariusit. I kanë mundësuar firmën e parë në prioritetin e komisionerëve të tij në zgjedhjet e 28 qershorit, si edhe në përpilimin e Kodit Zgjedhor. Këto dhe shumë të tjera ia ka përmendur një për një elitari i së majtës socialiste, që nuk e duroi dot më mujshinë e Ramës dhe ia përplasi: “ç’kërkoje më tepër nga Berisha, ti? Të ka dalë borxhit”!
Dhe tani ER-ja është bërë si Senjorët e mesjetës, me pazhët, - domethënë me vajzurinat dhe me djemkat e tij e tij shërbestarë, - nga pas. Që s’marrin vesh, madje, nga politika (po aq sa merr vesh vetë, siç ka thënë huqlliu i Bllokut perandorak). Nga këta rioshë të politikës kemi dëgjuar atë shprehjen cinike: se e kanë për nder që janë bij kriminelësh! Kurse i biri i Kristaq Ramës, me arrogancën e tij proverbiale, iu përvesh në Uashington një ish-të përndjekuri politik, i cili ia prishi gjakun, kur i përmendi firmën e Kristaqit për ekzekutimin e poetit Havzi Nela: - “S’ke turp, goxha burrë, që merre me gënjeshtra!”. Pasi mori edhe pyetje të tjera që e gozhduan, iku nga mbledhja turivarur, duke gëlltitur edhe gënjeshtrën nga pas, me vete, si të gjitha gënjeshtrat e koleksionuara në ndërgjegjen e tij. Madje edhe nga ndërkombëtarët, që i nxjerr jallanshahitë se në asnjë vend të gjithë botën nuk hapen kutitë! Prandaj, kur iku nga mbledhja që përmendëm, me sytë e mavijosur nga pagjumësia e këtyre ditëve, i vajtën huq edhe përçapjet se mos e priste ndonjë nga personalitetet amerikane! Tani e pret vetëm fati i merituar i komunistit rumun, ithtarit të çauseskut, Mircea Geoana, i cili dështoi në akrobacitë e tij si të Edvin Ramës, në Rumani. Së fundi edhe ky yni, ithtar është. Bash i atij (që të mos ia zëmë në gojë as emrin), që festohet në Pezë, me nismën e birit të tij shpirtëror!
***
Tani po vijmë tek ai supozimi se qenka e mundur hapja e kutive, gjë që s’ka asnjë gjasë të ndodhë. ç’i duhet hapja e tri-katër kutive, që ai mëton me aq këmbëngulje, përderisa pohon se vendet në parlament do të mbeten të pandryshuara? Ai (pardon, njerëzit e tij, se ai s’është deputet) , në opozitë se në opozitë do të mbetet! Mirë, - thotë ai, - por do të vlejë për zgjedhjet e ardhshme! Aspak! Vjedhjet e ardhshme s’kanë të bëjnë fare me këto zgjedhje, por me përmirësimin e elementeve zgjedhore, nëse ka vërtet gjë për t’u përmirësuar. Por njëri nga elementet thelbësore është moria e 20.000 komisionerëve të Ramës, të cilët ai i akuzon pa asnjë provë si tradhtarë, si njerëz pa karakter, që duhen çuar në gjyq! Sa veta ka denoncuar me emër, gjer tani, që na u bë kjo punë casus belli? Apo s’ka prova dhe kërkon prova në kutitë e votimit? Po prezumimi i pafajesisë?
Një pyetje tjetër, së cilës ER-ja nuk i është përgjigjur gjer tani: Po sikur të mos dalë ajo që ti e kërkon pa asnjë provë? A do të bësh dorëheqjen e dytë të parevokueshme? Si do të ndodhesh përballë komisionerëve që i akuzove padrejtësisht? Dorëheqja është lule! Ata kanë të drejtën ligjore që të të padisin në gjyq, për cenimin e nderit në mënyrë të paligjshme! Këtu nuk lozet kumar pa pare! Por EdRama është nga ata që thotë se pritet lisi me gërshërë! Do të fillojnë cic-micet. Kjo letër qenka si e përthyer! Kjo tjetra e paska kryqin jashtë kuadratit! Qenka pak e grisur në cep, - e pavlefshme! E më the, të thashë!
Ti po jep shembullin e keq, për zgjedhjet e ardhshme. Do të fillojnë grindjet që s’ka burrë t’i ndalojë, se mos akuzohen për tradhtarë!
Kjo është hamendësia jonë. Le t’i kërkohet se ç’do të bëjë po të mos i dalin provat pa prova!
Por është vetëm një qyfyre, se mjaft jemi lodhur me Edvinin. E vërteta qëndron në monitoruesit e kujdesshëm ndërkombëtarë. Dhe këta thonë se janë zgjedhjet më të mira gjatë të gjithë tranzicionit në vendin tonë. Edhe të 20 mijë komisionerët socialistë janë njerëz të ndershëm, jo ashtu siç i përgojon Rama, që s’ka besim as tek hija e vet!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›