E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spekulimi në emër të Kaosit

E çuditshme por e vërtetë. Kemi një fjalë që nuk po përdoret nga 6 muaj e këtej pari në dëgjimin medial të politikës: është lema “Kaos”. Një lumë parullash revolucionare, të papërdorshme në një demokraci, por që tashmë e kanë faturuar opinionin publik me “hapje kutish ose largohu”, “arsyet e krizës”, “bojkot i kushtëzuar apo parlament i cunguar”, etj. Nëse vjen në ekskursion një ditë nga jashtë shtetit në Tiranë të krijohet ujdia se kaosi është gjithandej, ku çdonjëri është në grupin e gatshëm për të krijuar një habitat përshtjellmërie sidomos me mjetet e komunikimit; ndonëse hierarkia ka shpërthyer, edhe vetiu respekti është në natyrë; kurse maxhoranca është përballë një delegjitimimi të përditshëm publik sepse kontestohet, sepse çdo njeri paska të drejtë të bërtasë lirinë e vet pa asnjë fre ndrydhës (alteregoja e porosisë konsensuale “përpara se të flasësh, duhet të mendosh”). Në politikën shqiptare shpesh ndodh të flasin pastaj të arsyetojnë mbi atë çfarë thanë. Flitet për protesta dhe marrje pushteti me dhunë me një non-chalance të pabesueshme. Ndërsa kur flitet, zakonisht nuk dëgjohet. Nuk dëgjohen kërkesat e shqiptarëve për një paqe sociale, për një bashkëpunim sa më të gjerë në favor të standardeve demokratike, ekonomike e shoqërore; nuk dëgjohet kërkesa për më shumë të vërteta në opinionin publik, etj. Devijimi i politikës nga udha e normalitetit dëftehet edhe nga virusi që kanë transmetuar në media.
Mjafton të shikosh një edicion informativ për të kuptuar se kemi të bëjmë me një surrealitet pervers të mistifikimit të lajmit. Nuk është çështje gazetarësh llogoresh, por mungesë e theksuar profesionalizmi. Mund ta ngjyrosësh lajmin me idetë që ke dhe kjo pranohet e përtypet; por kurrsesi s’duhet të manipulohet me mistifikime sondazhesh apo sms egoarkësh. Së fundmi kemi pasur rastin kur kërkohet veçse tragjedia: për të dalë gazetarët në terren gjysmë të zhytur nën ujë për të klonuar gazetarët e Cnn apo Bbc, me qëllim të spektakolarizimit të lajmit; dhe jo rrëfimin ekselent të ngjarjes. Mirëpo siç e patë, lexuat apo dëgjuat, një ditë ra shi në Shkodër dhe u ngrit alarmi mediatikisht se do të përmbytej më shumë Nënshkodra apo Lezha nga hapja e portave të digave. U desh të shkonte Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, për të qetësuar dhe shpërndarë klithmat e
kukuvajkave mediatike.
Gjithashtu nganjëherë skenografia krijohet posaçërisht nga kompani sondazhi, të tipit Gallup me qendër në Beograd, për të anketuar interesin e shqiptarëve për të hyrë në BE. Beogradi interesohet për opinionin e shqiptarëve në BE?!? Nuk u mjafton hyrja në NATO dhe pro-aktiviteti i Qeverisë për t’u anëtarësuar në strukturat Euroatlantike? çudi! ç’ka çudia nuk është se kemi të bëjmë me një tezë kinse komplotiste, sepse
paragjykohet qendra e tyre në Beograd, por sepse në kryeqytetin e Serbisë operojnë shumë OJQ me standarde të larta parashikimi të motit. Por sepse sondazhi i Gallup në këtë rast është porositur nga njerëz të lidhur gjenetikisht në PS, dhe të strukturuar në qendrën Gallup në Beograd, dhe jo në kryeqendrën e tyre në Uashington. Meqë kanë bërë një sondazh me 2. 8 milion qytetarë shqiptarë, përse nuk bënë edhe një pyetje për përkatësinë etnike apo fetare? Do të na kishin qartësuar për identitetin tonë. Nejse, mua nuk më kanë telefonuar për të më intervistuar, as ndonjërin në familjen time, madje as në lagjen time, kurrsesi as në qytetin tim, që është Tirana, e që ka 1 milion banorë. Siç kuptohet këto sondazhe janë komplet tendencioze, me qëllimin e kamufluar të krijimit in-vitro të njëfarë “kaosi” në Bruksel për të vonuar liberalizimin e vizave. Kush ka fakte
të kundërta të kundërshtojë këtë supozim.
Ndërkaq pasi prodhohet lajmi bruto, ai deformohet dhe seleksionohet paqshëm nga zjarrvënësit e gazetarisë shqiptare. Nuk do të reshtim se thëni se ky proces kamikaz mediatizmi, kur është karikaturesk, bëhet një faktor kundërshtimi për mediet dhe komunikimin e gjerë. Nga ana tjetër këta "mbretër të komunikimit" mendojnë se publiku do ta miratojë qëndrimin e tyre. Por audienca nuk thotë gjithçka, përkundrazi. Siç thotë edhe sociologu francez Domenique Eolton: “Sigurisht publiku është voyeur; ai vdes për kotësirat dhe skandalet, por është njëkohësisht më kritik nga sa e mendojmë, me ironik ndaj shumë kotësirave. Spektator, por jo naiv. Pra gjithmonë e më pak i tillë”.
Kuptohet vetiu se mesazhi është i qartë, një komunikim do të thotë të kesh një thikë me dy presa. Mund të presësh një lajm dhe mund të pritesh në imazh nga po ky lajm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›