Europarlamentari Çavushoglu: Jo hapje të kutive, opozita të respektojë rezolutën e KiE, të rikthehet në parlament dhe të vijohen reformat
“Kompromisi, vetëm sipas Kushtetutës, në të kundërt KiE do japë rekomandimet finale”
Këshilli i Evropës nuk inkurajon hapjen e kutive të votimit, përsa kohë ka një standard ligjor për çështjet që i takojnë verdiktit të gjykatave. Krerët më të lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët prej dy ditësh zhvilluan një vizitë zyrtare në Shqipëri, për t’u njohur më nga afër me situatën politike, u shprehën edhe njëherë duke iu referuar rezolutës së miratuar nga KiE më 28 janar se opozita duhet të rikthehet në parlament dhe të vijohet rruga e reformave madhore, që e presin vendin në rrugën e integrimit evropian. Të dërguarit evropianë, pas takimeve të zhvilluara me personalitetet më të larta të politikës dhe qeverisë shqiptare, si kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli, Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe kreun e opozitës, Edi Rama, dhanë një konferencë për shtyp lidhur me situatën politike në vend dhe për aspektet e mundshme të zgjidhjes së saj. Presidenti i Asamblesë së KiE, Mevlu çavushoglu, u shpreh se kompromisi duhet të realizohet në bazë të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Ai deklaroi se KiE nuk inkurajon kurrsesi hapjen e kuitve të votimit, kërkesë e fortë kjo nga ana e opozitës, por përsëriti rikthimin e saj në parlament për të kontribuuar në reforma. Në këtë drejtim ai i apeloi Edi Ramës që të mos e kthejë opozitën në Kuvend vetëm për një ditë, por të instalohet aty për të ardhmen e vendit. “Opozita duhet të kthehet në Kuvend. Deklarata jonë nuk është për njërën palë, është për të dyja, qeverinë dhe opozitën. Deklarojmë se opozita duhet t’i japë fund bojkotit dhe të kthehet në Kuvend, jo për një ditë, por kthim të përhershëm. Ndërkohë bëjmë thirrje për hetim të zgjedhjeve, por theksoj se ne nuk kemi përmendur hapjen e kutive. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe të vijohet me reformat. Ne urojmë që të arrihet kompromisi i nevojshëm, në të kundërt KiE do të japë rekomandimet e saj. Edhe njëherë theksoj se ne nuk përmendëm hapjen e kutive të votimit, por mbështetëm fort gjetjen e një kompromisi sipas ligjeve në fuqi. Edhe palët ranë dakort që situata të zgjidhet në bazë të Kushtetutës dhe ne jemi mbështetës të fortë të kësaj metodike që nuk cenon rendin ligjor”, u shpreh çavushoglu. Në vijim, ai përgëzoi nismën e qeverisë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar sipas kërkesave të opozitës dhe me shumicë të kësaj të fundit. Sipas tij, ky koncension që bën mazhoranca, është mjaft tolerues. “Komisioni hetimor të ngrihet sipas rekomandimeve të rezolutës dhe vullnetit të qeverisë, atë ta udhëheqë opozita, por kjo e fundit duhet të rishikojë kthimin në sallën e Kuvendit”, tha Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut çavushoglu, duke apeluar për nisjen e dialogut politik pa humbur kohë. “Unë ju bëj thirrje partive politike ti japin fund krizës politike në vend. Mungesa e dialogut parlamentar bllokon punën në institucionet shtetërore. Presim që çështja të zgjidhet menjëherë, palët të rigjejnë dialogun politik dhe duke filluar dhe nga ky moment”, u shpreh ndër të tjera kreu i delegacionit të të dërguarve evropianë, Mevlut çavushoglu.
...