E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Ramën e refuzojnë aleatët, edhe kur i fton për drekë

07-09-2011 / Gazeta 55

Tkurret tryeza e opozitës

Një drekë e thirrur dje nga Edi Rama për krerët e partive aleate në opozitë, ka dëshmuar jo aq, tkurrjen apo përçarjen e opozitës, se sa refuzimin që i bëjnë kryesocialistit edhe kur ai i fton “për të ngrënë ndonjë çap bukë”.
E lajmëruar për tu mbledhur në një nga lokalet në qendër të Tiranës, që pa nisur mirë dreka, u pa se tryeza do të ishte e cunguar. Në drekën e thirru nga Edi Rama, ndërsa nuk munguan dje Paskal Milo  Nard Ndoka, nuk kaloi pa rënë në sy, mungesa e dy aleatëve, më potencialë të opozitës, Skënder Gjinushit dhe Vangjel Dules. Ndërsa “në këmbë” të Spartak Ngjelës, gjysmë-drekën e thirrur nga Edi Rama, e shijoi Preç Zogaj. Në tryezë, mungonte dje edhe kreu i G 99-së, Ervin Mete.
Për sa i përket mungesave të Skënder Gjinushit e Vangjel Dules, ato dukshëm binin në sy, sikurse edhe u mësua më pas, se ishin qëndrime refuzuese ndaj sjelljeve të fundit të Edi Ramës.
Ndërsa Skënder Gjinushi, kryetari i socialdemokratëve që në deklaratat e tij më të fundit ka folur me tone përçmuese për kursin e ri politik të Edi Ramës, dje kishte zgjedhur të dilet jashtë Tiranës, të ndërpriste ço komunikim, duke fikur edhe celularin. Jo vetëm kaq, por Skënder Gjinushi nuk harroi dje, “ti vinte drynin” edhe selisë së PSD-së, duke “lënë me gisht në gojë”, korrierët që Edi Rama, kishte shpërndarë nëpër Tiranë, me shpresën ti mbushnin mendjen Skënder Gjinushit, duke i reklamuar menunë e bollshme dhe cilësore, të drekës opozitare.
Po aq refuzues e injorues, është sjellë dje edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili si për të treguar se ishte në Tiranë, por nuk kishte dashur të shkonte në drekën e thirrur nga Edi Rama, doli në një konferencë shtypi. Biles, biles, në këtë konferencë nuk e fshehu injorimin për tryezën, duke mos pranuar ti përgjigjej një pyetje të bërë për drekën opozitare.
Në kushtet kur Edi Rama siguroi informacionin për refuzimin që i kishin bërë ftesës së tij “për të ngrënë ndonjë çap bukë, ai zgjodhi të hyjë e të dalë nga lokali, te dy kullat, nga shkallët e emergjencës, duke i qëndruar me fanatizëm zgjedhjes më të fundit, të mos përballjes me gazetarët.
Për sa i përket “tematikës” së tryezës, nga “përbërja” e saj, pak të lihej ndonjë shije, se mund të ishte diskutuar ndonjë gjë serioze dhe me vlerë.
Sikurse u mësua më pas, biseda në drekën e thirurr nga Edi Rama, ishte përqendruar në gjëra të përgjithshme, mbi axhendën politike që do të ndjekë në vijim opozita, veçanërisht për reformën zgjedhore. Lidhur me këtë pjesë të diskutimit, mësohet se disa prej të ftuarve në tryezë kërkuan ndër të tjera, që një vëmendje të veçantë t’i kushtohet pikërisht reformës zgjedhore, me qëllim mënjanimin e çdo parregullsie në zhvillimin e proceseve zgjedhore. Ndërkohë, të tjerë krerë të partive opozitare, nuk mbështesin linjën zyrtare të ndjekur nga PS mbi vendosjen e dialogut me mazhorancën qeverisëse, duke u shprehur skeptikë në arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes palëve.
Takimi i djeshëm mes krerëve të majtë dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, ishte i pari që pas mbarimit të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Paszgjedhjet sollën takime të ndara dhe krejtësisht informale mes kreut Rama dhe drejtuesve të majtë, ku më së shumti u shprehën pakënaqësi lidhur me mënyrën se si PS-ja administroi zgjedhjet, ku aleatët akuzuan socialistët se u vodhën votat gjatë numërimit të tyre. Madje nga selitë përkatëse, krerët e majtë shigjetuan kreun Rama sa i takon mënyrës me të cilën po e drejton opozitën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›