E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e Ramës kundër Gramoz Ruçit

07-09-2011 / Gazeta 55

Duke e shpallur si krahun e vet të djathtë, linja ekstremiste e Edi Ramës e ka paraqitur Gramoz Ruçin si frymëzuesin e trazirave antishtetërore, por me publikimin e dosjeve të Wikileaks-it ka ardhur koha për zëvendësimin e tij, pa marrë mbi shpinë kosto politike. Me zëvendësimin e Besnik Bares, po ndodh ardhja në pushtet e klanit më fanatik të edvinistëve, por mbetet për t’u parë nëse përfaqësuesit e PS do të jenë aq paburra sa të hapin rrugë pa rezistencë e pa i thënë publikut se me ç’brumë halabakërie po zëvendësohen

Edi Rama ka ardhur në fundin e stacioneve të skemës për mënjanimin e Gramoz Ruçit nga strukturat drejtuese të Partisë Socialiste. Rotacioni në degën socialiste të Tiranës është sinjali se tashmë s’mund të vijohet me njeriun e bezdisshëm (për Edvinin) në krye të grupit parlamentar. Që pas zgjedhjeve të 2009, strategjia e ndjekur nga Edi Rama për nulifikimin e ndikimit të Gramoz Ruçit në disa struktura drejtuese partiake, apo edhe në disa degë vendore, ka qenë e detajuar dhe tashmë kemi mbërritur në stacionin e fundit. Pas zgjedhjeve të 2009, Ruçi ishte ende në fazën e llastimit, të vënies në gjumë. Duke e shpallur si krahun e djathtë në një moment të vështirë politik për të, ai e mikloi Ruçin, duke e rikthyer në krye të grupit parlamentar e duke i dhënë bashkë me ofiqin, edhe kosto të gjëra që në një parti demokratike i mban vetëm kryetari i partisë. Kështu Ruçi u kthye violinë e parë e PS me vullnetin e Edi Ramës, por nga ana tjetër, ai u paraqit nëpër biseda e shkëmbim pikëpamjesh me ndërkombëtarët si kreu i fluksit partiak që po e detyronte Edi Ramën të shkonte drejt linjave ekstreme, drejt një politike bolshevike. Jo vetëm informacionet e zbardhura nga Wikileaks, por edhe deklarimet gjysëmzyrtare të Erion Veliajt nëpër media të ndryshme se ishte Ruçi ai që po diktonte këtë linjë të fortë politike, flasin për këtë kosto shtesë që Edvini po i vishte (sipas strategjisë) kryetarit të grupit parlamentar. Edhe përpjekjet e këtij të fundit për të sqaruar tek bërthamat e përpunimit të opinionit diplomatik mbi PS-në s’kanë pasur sukses. Merret me mend se përbetimet e Gramoz Ruçit se s’ishte ai “njeriu i vjetër” në PS e s’ishte ai që po i nxirrte njerëzit në rrugë për të rrëzuar pushtetin me dhunë, s’kanë qenë fort të besueshme, kur shqiptoheshin nga ministri i fundit komunist i Sigurimit të Shtetit.
Kështu që praktika e keqpërdorimit i ka ulur shumë kredencialet politike të sekretarit të përgjithshëm të PS, prandaj edhe tashmë është kuptuar se ka mbërritur koha për fazën finale të strategjisë për mënjanimin pa kosto të njërit nga mamuthët e ish-Partisë Komuniste. Sado e çuditshme të ngjajë, largimi i detyruar i Besnik Bares nga kreu i degës partiake të Tiranës dhe zëvendësimi i tij me një skifter edvinist si Saimir Tahiri ka lidhje me largimin e pritshëm të Gramoz Ruçit nga pozitat partiake të mban. Koha s’priste më sepse kongresi është shumë afër, prandaj edhe përdorimi i dosjeve të Wikileaks-it për linçime ngjan të jetë sjellja e duhur, sado kosto të ketë në imazhin e opozitës përpara opinionit ndërkombëtar. Ashtu si Bare u largua pa çak e pa bam, me “reflektimin” për dosjet e Wikileaks-it janë krijuar kushtet që edhe Gramoz Ruçi të bëjë mënjanë. Raportimet e mëhershme të Erion Veliajt për të njëjtën çështje ndihmojnë në këtë punë dhe ka rrezik që strukturat drejtuese të mos vihen fare para sikletit të shkarkimit të Ruçit, pasi ai vetë do të kërkojë një dalje me takt nga skena politike. Marrëveshja do të ulte ndjeshëm kostot për Edvin Ramën, por nëse kjo s’do të ndodhë, krisja tek strukturat drejtuese do të jetë më e thellë dhe në zgjedhjet parlamentare të 2013-s do të shohim një version të maksimalizuar të shkërmoqjes elektorale që pësoi PS-ja në disa bashki të jugut të vendit, kryesisht në Tepelenë, Memaliaj a gjetkë.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›