E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Ramën e vuri Fatos Nano e Sali Berisha në krye të PS-së”

Kryeministri sulmon nga Vlora, kreun e selisë rozë gjatë prezantimit për kandidat të Bashkisë së “Aleancës për qytetarin”, Ardian Kollozi

VLORË Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë dje në prezantimin zyrtar të kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për Bashkinë e Vlorës, Adrian Kollozi. Ai nuk ka harruar t’i kujtojë kreut të selisë rozë se, “nuk ka fituar asnjë betejë vetë dhe se në krye të PS-së e ka sjellë Fatos Nano e Sali Berisha. Pasi ka sulmuar kundërshtarin e tij politik, ai ka vijuar me prezantimin e kandidatit. “Adrian Kollozi, i cili 20 vjet më parë do të merrte pjesë në themelimin e Partisë Demokratike, sot e la mandatin e deputetit për t’u kthyer në Vlorë dhe për të punuar së bashku me vlonjatet për zhvillimin e saj. Kryeministri Sali Berisha ka folur dje gjatë prezantimit të kandidatit të “Aleancës për qytetarin” në Vlorë, Ardian Kollozi. “Ne vijmë këtu pasi Vlorën e kemi bërë pjesëtare të NATO-s, pasi e kemi bërë Vlorën qytetin e qytetarëve që lëvizin të lirë pa viza në Europë” tha më tej Kryeministri. Duke shtuar se mazhoranca e ka bërë të njohur Vlorën në mbarë botën, pasi ajo këta 4 vjet ka pritur më shumë turistë se më parë. “Ne vijmë në Vlorë pasi ia kemi dalë, që në 4 vjet ka pritur më shumë turistë se më parë. Ne vijmë në Vlorë, pasi ia kemi dalë që në katër vjet të dyfishojmë të ardhurat dhe që ekonomia shqiptare të qëndrojë fuqishëm ndaj krizës më të madhe që Europa dhe bota kanë njohur në vitet e fundit. Kemi dyfishuar rrogat dhe pensionet. Ne duam ta përgatisim Vlorën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Pa harruar të theksoj se çdo projekt të vlonjatëve, qeveria do ta mbështesë me përparësi të madhe. Kjo është rruga jonë dhe alternativa jonë. Ëndrrat, projektet, hallet, fëmijët dhe familjet tuaja, Vlora dhe mbarë Shqipëria, është rruga jonë. Përballë saj është rruga tjetër, e cila thotë se është e vetmja”, ka vijuar më tej kreu i Partisë Demokratike. “Le t’i themi Edi Ramës nga Vlora se rruga e vetme e tij është rruga e karriges, është rruga pa kthim, është rruga e asgjëkundit. Rruga jote është ajo e konfliktit, jona e mirëkuptimit; rruga jote është ajo e bllokimit, e jona ajo e zhvillimit. Në skenën politike shqiptare, je politikani i vetëm që s’ke fituar as edhe një betejë dhe në 2013 do dështojë përsëri. Në krye të Partisë Socialiste nuk erdhi vetë, por e solli Fatos Nano, e solli Sali Berisha. Ti me politikë, unë me qytetarin, ti për karrigen, unë për interesat e qytetarit” iu drejtua ai kreut të Partisë Socialiste, Edi Ramës.

Ndërsa kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Adrian Kollozi është shprehur se “kam marrë një detyrë të vështirë, por fisnike për zhvillimin e Vlorës. Një qytet që duhej të drejtohej me fytyrë nga deti, pallatet e larta ia kanë mohuar atë. Qyteti aktual i Vlorës është betonizuar dhe nuk është ai ku ne duam të jetojmë. 8 maji do të jetë fundi i zhvillimit të paparashikuar të Vlorës, pasi ne mendojmë se jemi në kohë të shpëtojmë Vlorën. Do t’i japim fund shpërfytyrimit të qytetit tonë, përmes një sërë investimesh dhe komunikimi me biznesin, duke hartuar masterplanin e saj për Vlorën e pastër. Ndërtimi i Unazës së Vogël dhe asaj të madhe do të jenë ndër projekte tona kryesore, si dhe ndërtimi i një tramvaji”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›