E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Lezhë: Mos harroni vjedhjet e kësaj qeverie

Kreu i selisë rozë ka qenë dje në qytetin e Lezhës, ku ka bërë prezantimin e 21 kandidatëve socialistë për këtë zonë

LEZHË Koalicioni “Aleanca për të ardhmen” ka hapur në Lezhë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. Pas takimit të zhvilluar në Kurbin, lideri i PS-së Edi Rama ka prezantuar në sheshin “Skënderbeu”, kandidatët e koalicionit të majtë që do të garojnë për 21 njësitë vendore të Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit. Rama ka deklaruar se “katër vite më parë i hapëm rrugë Ilir Metës për një kandidat të tij në Lezhë dhe pa mbështetjen e Gjokë Jakut ishim të sigurt se nuk do ta fitonte”. Ndërsa në fjalën e tij, kryetari i PS-së Rama u shpreh që shqiptarët nuk duhet të harrojnë në asnjë moment premtimet e Qeverisë së Berishës së pambajtura, korrupsionin galopant të familjes së tij, vjedhjen në Rrugën e Kombit, vrasjet në Gërdec, e së fundi me 21 Janarin e protestuesve, ku njëri prej tyre ishte nga Lezha. Duke u ndalur në sloganin e kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin” kandidati për Bashkinë e Lezhës, i cili është afishuar në qytet, “Jetojmë së bashku, vendosim së bashku”, Rama pohoi se për kandidadin vendos Ilir Meta dhe Berisha dhe jo vetë ai. “Ne duhet të votojmë njerëzit që iu shërbejnë qytetarit dhe jo qeveritarë vendorë, që i shërbejnë oborrit të familjes politike dhe kryetarëve të tyre”. Rama u ndal edhe në Shëngjin, duke vënë theksin në rëndësinë e portit për zhvillimin e Lezhës, Veriut dhe Kosovës, duke apeluar që të votojnë për shpëtimtarin Salvator Kaçajn, shpëtimtarin e Shëngjinit të mbajtur peng në këto 4 vjet. Rama nuk la pa përmendur edhe të riun lezhjan, Aleks Nika, një prej të rinjve që humbi jetën në demonstratën e 21 janarit, i cili u flijua për rrugën e zhvillimit. Lideri i opozitës së bashkuar, Edi Rama theksoi më tej se “Rruga jonë është rruga e mirëqeverisjes për komunitetin. Vota e 8 majit është sa për të

mirëbesuar kandidatët tanë, aq edhe për të protestuar dhe mosbesuar Saliun”. Gjithashtu, edhe deputetët Ndrec Deda dhe Gjovalin Kadeli, vunë theksin se kjo fushatë nuk është thjeshtë një fushatë për zgjedhjet vendore, por është edhe një betejë për të larguar Berishën nga qeverisja. Ndërkaq, kandidati për postin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Gjok Jaku, apeloi se “Vota për PS është një votë për një jetë më të mirë, një votë për drejtësinë e vrasjes së Aleks Nikës, një votë kundër korrupsionit”. Këtë tubim elektoral e ka përshëndetur edhe kryetari i PSV 91, Petro Koçi, i cili ftoi zgjedhësit e Lezhës që të votojnë më 8 maj për kandidatët e “Aleancës për të ardhmen”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›