E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Ramës i bëra platformën, më hoqi vajzën nga lista”

 

Aristir Lumezi

"Vajza ime u eliminua nga lista për shkak të miqësisë sime me Metën". Ish-këshilltari i tre kryeministrave socialistë Meta, Nano dhe Majko, Koço Danaj tha dje për "Panorama", se arsyeja e mospërfshirjes së koordinatores së gruas socialiste nga listat për deputetë, është miqësia e tij me Ilir Metën.  Edhe pse shprehet se për këtë çështje duhet të japë mendimin e saj Ermira, Koço Danaj shprehet se ka mbështetur edhe Edi Ramën në kandidimin e tij për kryetar në kongresin e 2003 përballë Fatos Nanos dhe Rexhep Meidanit. "Është e vërtetë ajo që keni thënë ju sot në gazetë, se unë kam punuar me disa nga drejtuesit kryesorë të PSSH, si Nano, Meta apo Majko. Është e vërtetë se me Ilir Metën kam pasur marrëdhënie më të ngushta, siç i kam sot fare normale. Por unë kam punuar edhe me Edi Ramën kur tentoi për herë të parë të bëhej kryetar i PSSH në dhjetor 2003", shprehet Danaj. Sipas ish-këshilltarit politik të tre kryeministrave socialistë, tha dje se ka qenë ai që ka hartuar platformën e kandidimit të Edi Ramës në dhjetor 2003, platformë që mori në kongresin zgjedhor të PS-së vetëm 41 vota të miqve të tij delegatë në atë kongres. "Rama aso kohe, në mjediset e hotel 'Grand' më kërkoi me insistim ta ndihmoja të kandidonte për kryetar i PSSH. Dhe me këmbënguljen e Ben Blushit që e shoqëronte, e ndihmova të hartonte platformën e tij me 10 pika. Ai e mbajti fjalimin në Kongres, paraqiti platformën, të cilën pa votim ia hodhi poshtë miku i tij më i ngushtë i sotëm Gramoz Ruçi dhe fitoi vetëm 41 vota që ia dhanë miqtë e mi delegatë në Kongres. Të përdorësh miqësinë time me Metën për të eliminuar dikë nga lista, e konsideroj të gabuar", tha Danaj. Përpunuesi i tezës gjeopolitike "Shqipëria natyrale", Koço Danaj shprehet se disa përfaqësues të lartë të PS-së nuk e kanë përkrahur një tezë të tillë, duke ndikuar negativisht dhe në mospërfshirjen e vajzës së tij në listat e PS-së. "Është e vërtetë se gjatë periudhës 2005-2008 unë kam përpunuar tezën mbi nevojën e Shqipërisë Natyrale. Kjo tezë nga disa drejtues internacionalistë të partisë që drejton Edi Rama është konsideruar teprim etj., etj. Dhe përsëri unë e kam respektuar një gjë të tillë. Unë kam dhe do të kem bindjen se Shqipëria për kushtet që ka, ka nevojë për një të majtë kombëtare. Por respektoj edhe ata që thonë se e majta duhet të jetë ndërkombëtare, ose siç jemi mësuar ta themi, internacionaliste dhe nuk merrem me fëmijët e tyre. Unë kam pasur dhe kam bindjen se Shqipëria dhe kombi shqiptar për kushtet e veçanta që ka, i duhet edhe aleanca edhe me djallin, edhe me të birin e djallit. Prandaj, në funksion të një ideje madhore të parealizuar, por në prag të realizimit, të bashkimit të kombit shqiptar, unë respektoj edhe Zogun, edhe Hoxhën, edhe Frashërin, edhe Dostin, edhe Kupin, edhe Deven, edhe Pozharin, edhe Rugovën. Sa kohë që lufton për bashkimin e të gjallëve, jam i detyruar të respektoj mitet e vdekura të tyre edhe kur nuk të pëlqen. Por respektoj edhe të tjerët, që më shumë preferojnë të kundërtën e ideve të mia. Dhe asnjëherë nuk më shkon ndërmend të merrem me fëmijët e tyre, kushdo qofshin ata", u shpreh dje Koço Danaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›