E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk do ketë 10 polici, do jetë vetëm Policia e Shtetit

 

Kreu socialist Edi Rama zhvilloi një takim të zgjeruar me punonjës të liruar të Policisë së Shtetit, duke prezantuar para tyre kapitullin e programit të PS-së për sektorin e sigurisë dhe të rendit. Rama u shpreh se qeveria që do dalë pas 28 qershorit do të krijojë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare. "Nuk do ketë më 10 polici, një polici e veshur me gri, një polici e veshur me jeshile, një polici e veshur me bojëqielli, një tjetër me të verdhë, njerëz të punësuar me teserë partie që shpërndahen nëpër territor për të nxjerrë bukën e gojës, ndërkohë që territori i Shqipërisë është tërësisht jashtë kontrollit në aspektin e pronës publike, në aspektin e pronës private, në aspektin e sigurisë publike dhe private që ka ndërkohë një kontroll që lë shumë për të dëshiruar. Ajo që ne do të bëjmë është: Një polici, Policia e Shtetit", tha Rama. Qeveria që do të vijë pas 28 qershorit, sipas Ramës, "do të ndërtojmë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare, e cila do të jetë përgjegjëse për përmirësimin e faktorëve të rrezikut që i kanosen sigurisë dhe do të planifikojë politikat e integruara të ndërhyrjes sipas rastit. Kjo strukturë do të hartojë politikat për rendin dhe sigurinë publike, për shërbimin e emergjencave civile, për sigurimin dhe qarkullimin e informacionit të klasifikuar dhe për mbrojtjen e integritetit territorial". Kreu socialist tha se programi i PS-së për policinë dhe rritjen e sigurisë kombëtare do të ringrejë dhe dinjitetin e figurës së punonjësit të Policisë së Shtetit. "Çdo punonjës policie duhet të përfaqësojë denjësisht shtetin, nuk mund të vazhdohet me diskreditimin e figurës së punonjësit të policisë, duke bërë që sa herë të ndërrohet pushteti, të militantizohet sipas ngjyrave të tij kjo strukturë shumë e rëndësishme për jetesën në siguri të qytetarëve: Duke e kthyer policin, më të thjeshtin, në simbol të shtetit dhe duke mos toleruar më që të jetë karikatura e pushtetit", tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›