E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Rama të mos na nxjerrë bllof, të dëgjohen dhe të vegjlit

19-11-2011 / Gazeta 55

Reforma zgjedhore


“Ne nuk kërkojmë ndryshim të sistemit elektoral, por përmirësim të tij. Të dëgjohen edhe sugjerimet e partive të vogla”. Kështu u shpreh dje kreu i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, gjatë një komunikimi me mediat, duke folur mbi marrëveshjen mes dy partive të mëdha për reformën zgjedhore dhe duke dhënë opsione konkrete për realizimin sa më të mirë të mundshëm të kësaj të fundit. Partitë e vogla të majtë dhe të djathta do të grupohen për të rritur presionin ndaj PS dhe PD. Në fillimin e javës tjetër, aleancat mazhorancë – opozitë do të ri-formatohen, secili grupim në mbrojtje të interesave zgjedhore. Këtë e pohon edhe vetë Milo, i cili gjen rastin t’i drejtohet kreu të PS, Edi Rama, që të mos neglizhojë zërin e partive të vogla. “Në fillim të javës do të mblidhen të gjitha partitë kryesore, parlamentare dhe jo parlamentare të ashtuquajtura parti të vogla, ku do të diskutojmë rreth qëndrimeve të përbashkëta dhe mesazhit që do t’i adresojmë dy partive të mëdha, për të patur në konsideratë kërkesat tona të drejta, në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. PS dhe PD duhet t’i dëgjojnë kërkesat e aleatëve, pasi me katë aleatë do të shkojnë në zgjedhje”, u shpreh Milo. Korrigjimi i sistemit aktual zgjedhor është kërkesa e të vegjëlve. Sipas Paskal Milos, kjo arrihet edhe pa ndryshuar Kushtetutën. “Nuk jemi për ndërrimin e sistemit. Je jemi për sistemin aktual proporcional/rajonal, por që të futet elementi i korrektimit kombëtar. Pra, në llogaritjen e mandateve të gjendet një formulë që pa prekur Kushtetutën lejon një proporcional, në llogaritjen e votave në shkallë kombëtare, në llogaritjen e mandateve. Që do të thotë se, votat që marrin partitë në shkallë kombëtare, të mos shkojnë dëm dhe në favor të dy partive të mëdha, por të shkojnë atje ku janë adresuar që në fillim nga vullneti politik i shqiptarëve që votojnë këto parti”, tha Milo. Sipas ligjit aktual zgjedhor, nëse një parti politike nuk arrin votat e duhura për të fituar deputetë, atëherë votat e saj në përllogaritje i shtohen partisë më të madhe të koalicionit. Kjo bëri që dy partitë e mëdha të përfitojnë dhe nga aleatët e tyre në zgjedhjet e kaluara, duke lënë jashtë parlamentit një pjesë të mirë të partive të vogla.       

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›