Rama nis udhëtimin e mashtrimit – e gënjyera e madhe është vetë PS
Edi Rama vazhdon turin e tërheqjes zvarrë të gazetarëve në periferi, për t’i shndërruar aty në mekanizma të skemës mashtruese, që synon t’u japë idenë strukturave të PS-së se ai po punon. Krejt si Kola i Estradës, ai po mashtron PS-në se është politikan, po mashtron Shqipërinë se është patriot dhe po mashtron ndërkombëtarët se është bashkëbisedues e luajal
Edvin Kristaq Rama kreu dje një tjetër akt të turpshëm politik teksa u fsheh nga komunikimi politik me mediat e Tiranës, për ironizuar ato të periferisë, konkretisht në Durrës për të mos kthyer asnjë përgjigje konkrete lidhur me pretendimet antiligjore dhe njëherazi në dhunim me Kushtetutën e Shtetit. Sigurisht që veprimi i Ramës për të dalë jashtë kryeqytetit për një komunikim me mediat është shumë i qartë. Në podiumet e Tiranës ai kurrsesi nuk ndjehet i qetë, madje përjeton një ngërç të rëndë ligjërimi që e detyron të japë përgjigje manipuluese dhe aspak të përputhshme logjikisht me aktualitetin. Fobia e tij ndaj mikrofonave të gazetarëve të mediave të ndryshme, të cilët në rastin aktual janë jo vetëm në shërbim të punës së tyre, por duke kryer edhe një heroizëm gazetaresk, për të informuar opinionin publik me spekulimet dhe mashtrimet ordinere që Rama po i faturon dita-ditës, është më se i justifikuar pasi nga aty mund të dalë e vërteta e fshehur pas kërkesës për hapjen e kutive. E vërtetë kjo që lidhet me krizën e brendshme të PS-së dhe atë të lidershipit në marrëdhënie me anëtarësinë e gjerë, e cila prej kohësh i ka vënë vizën e zezë. Nga ky fakt, Edi Rama po u fshihet përgjegjësive të angazhuara nga Komuniteti ndërkombëtar, lidhur me situatën politike në vend.Si pa të keq, pas urrejtjes së përshkallëzuar ndaj mediave të Tiranës, por me mbulim në të gjithë territorin e Shqipërisë, madje edhe më gjerë, kryesocialisti udhëtoi drejt Durrësit, për të kryer atje aktin kamikaz ndaj medias dhe shtypit të lirë. I ndodhur pak ditë më parë në vështirësi përballë panelit të gazetarëve, të cilët më shumë ngjasonin si anëtarë të kryesisë së PS, nisur nga renditja, duke filluar nga e majta në të djathtë të kryetarit, Edi Rama mendoi se duke udhëtuar jashtë kryeqytetit, për një komunikim me mediat, siç ishte ai i djeshmi në Durrës, do të mund të shmangte pyetjet e gazetarëve të Tiranës. Sigurisht, për Ramën kanë shumë kosto pyetjet direkte, si p.sh, se pse ai vazhdon të mbajë PS-në jashtë radhëve të institucionalizimit politik, pse nuk merr pjesë në proceset reformatore dhe ato për përmbushjen e kritereve të integrimit, pse nuk merr pjesë për të konfirmuar përgjegjësitë e ngarkuara nga elektorati që i ka votuar më 28 qershor. Këto dhe të tjera, e vënë Edi Ramën, me shpatulla pas murit, pasi nuk ka një përgjigje të arsyetuar, as të justifikuar, përveç disa grahmave spekulative që sa vijnë e bëhen më të zvenitura, nisur nga fakti i një fshese kushtetuese të mandateve të PS-së në parlamentin shqiptar, çka do të shënonte një rokadë të vërtetë në Partinë Socialiste dhe hyrjen e saj në historinë e turpit, si një brez i faktuar me ngjyrime të theksuara antishqiptarizmi.Në këtë turravrap, s’duhet shumë mend tashmë, për të mësuar lajthitje të këtij lloji të Edvin Ramës, i cili për realizimin e një konference për shtyp udhëton kilometra të tërë, thjesht e vetëm, t’i shpëtojë diktatit të lejueshëm të gazetarëve dhe medieve të kryeqytetit. Në çdo konferencë për shtyp Edvini ironizon pyetjet e gazetarëve, duke kthyer herë pas here përgjigje cinike, duke mos përjashtuar as ofendimet që vetëm një politikani nuk i shkojnë fort për shtat, aq më tepër kur bëhet fjalë për marrëdhëniet media-politikë. Kësisoj, gazetarët e një televizioni me sinjal në të gjithë territorin shqiptar, janë bërë ‘pre’ e politikës fataliste të një të dështuari politikisht, i cili edhe pse ka humbur zgjedhjet, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë, por edhe u ngulit aty, duke dhunuar statutin e forcës më të madhe politike të opozitës. Përveç kësaj më e keqja nuk është thënë. Duke mos pranuar vullnetin e sovranit, vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të cilët votëbesuan 64 deputetë të Partisë Socialiste, për t’i dhënë vendit për herë të parë në historinë e tij shtet-formuese, opozitën më të fortë në parlament, Edi Rama përbën një rrezik permanent që nuk duhet lejuar, për rendi demokratik dhe stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Kjo opozitë nuk bën jetë politike opozitare. Jo vetëm kaq, por nuk ka marrë pjesë në asnjë prej punimeve të Kuvendit të legjislaturës së XVIII. Fakti i mospjesëmarrjes së PS në parlament, nuk është problem i mazhorancës, as i medieve, as i gazetarëve, por është problemi kyç i krizës politike të lidershipit të opozitës. Ndaj edhe një transparence përballë gazetarëve, është më e mira e mundshme që ai mund të bëjë....