Edi e pësoftë si Nikolla!
Në vend të një nekrologjie
Plaku, te shtëpia e të cilit vajtëm për ngushëllim, i kishte kaluar të nëntëdhjetë e pestat. Kishte vdekur, si i thonë, në këmbë. Shumëkush, në vend të ngushëllonte, uronte:- Ashtu vdekshim, në këmbë! Kishte tre djem, dy mërgimtarë në Itali, i treti në Bruksel të Belgjikës. Vila e tyre ishte në të dalë të Tiranës, për kah Durrësi, me një kopsht të rrethuar për bukuri. E punonin gratë e shtëpisë, nipërit dhe mbesat. Të tre djemtë ishin mirë me punë, jashtë shtetit, dhe vila e tyre ishte me pare djerse të ndershme. Kishte qenë amaneti i të ndjerit, xha Shpendit: parja harram të del për hundësh. Vath në vesh, bir!
Xha Shpendi vdiq nga një goditje e beftë në zemër, nga një atak kardiak, siç dëshironin të shpreheshin disa nga burrat e dhomës. Ishte nga Tamara e Malësisë së Madhe.
Qé ndër familjet më të varfra të asaj Malësie. Kishte qenë partizan, madje, për nja gjashtë muaj. Por, pas lufte, Këshilli e kuptonte se s’e kishte të tijin Shpendin. Nuk dihej përse ai kishte ardhur nga nacionalçlirimtarja si me zemër të vrarë. Sidoqoftë, në daç për shtresën, qoftë edhe për “qëndrim të mirë” gjatë luftës, nuk donin ta lëshonin nga dora. Donin, pra, ta mbanin pranë. Veçse krisja e parë filloi kur, në 1947-n, nuk pranoi t’i çonte vajzat, as njërën, as tjetrën, në aksionet e punës vullnetare në Hekurudhë. Iu prishi punë aktivistëve, paksa; sepse bashkëfshatarët e quanin tanimë malësor trim, me domethënien e burrit me karakter. Sidomos e çmonin hareshëm ata “me biografi”, që i kishin çuar vajzat te Plepat e Durrësit, për të mos e rënduar edhe më keq gjendjen e tyre të familjes, si “armiq”.
Por nuk vonoi që të ndodhte një vrasje në Malësi të Madhe, afër Tamarës. . I vrari paskësh qenë një aventurier në shërbim të Sigurimit, që ua kishte marrë vajzat thuajse “rrëshqanthi” pindërve nga vatra familjare, për aksionin e madh të Partisë.
Vrasësi nuk gjendej askund. Kishin marrë njerëz kot më kot, duke i pyetur nën torturë. Asgjë. Por vrasësi duhej gjetur patjetër. Së fundi menduan të miklonin Shpendin: -“Ti je yni, ke qenë partizan, ke autoritet në fshat. Ty të rrëfehen, kanë besim te ti. Na ndihmo, se po dënohen njerëz të pafajshëm!”.
-Unë s’bëj dot punë të tilla. Mos harroni se keni të arratisur përqark. (Në vitin 1947, Shpendi ishte 20 vjeç djalë). Për mua s’ka gisht fshati në këtë vrasje. Dhe mos ma pafshi derën për këso punësh...
Llafi shto llafin dhe Shpendi përfundoi në hetuesi. Sepse s’ua kishte përtuar, duke përgojuar keqazi të vrarin, si të patenzonë. U dënua me dhjetë vjet privim lirie. Në burg kishte mësuar frëngjisht dhe italisht nga profesorët e burgosur, si bashkëvuajtësi i tij Mëhilli, tani autor i shumë librave me vlerë, që kishte habitur gazetarin polak Jozef Kudenski, me frëngjishten e tij, kur ky kishte ardhur në Shqipëri, në vitin 1993, për të marrë të dhëna për terrorizmin e diktaturës sonë. Shpendi kishte pësuar edhe ridënime, si edhe internime të cilat i barazonte me burgimet. . . Djemtë e tij , gjatë agonisë së diktaturës, përfunduan në Itali dhe në Belgjikë, sepse kishin disa njohuri komunikimesh me gjuhët e këtyre vendeve, falë punës së Shpendit.
Rasti i çuditshëm i Nikolla Hugstrejtënit
Ky Nikolla kishte zënë faqet e kronikës së zezë, për shkak të pasurisë së tij të jashtëzakonshme të paligjshme. Shpesh kishte vënë edhe dorës, domethënë sikarë (të paguar), për të dëmtuar rivalët e tij. Shpendi mbante në xhep, para se të vdiste befasisht, një prerje të një shkrimi në frëngjisht dhe ua tregonte miqve të tij bashkëvuajtës, në kafet e Tiranës. I kishte bërë përshtypje deklarimi i pasurisë së E.Ramës: fukara, i shkreti, që nuk kishte as një shtëpi të tijën! Njëfarë mashtrimi që e rebelonte. U kishte shpëtuar edhe hetimeve të një komisioni parlamentar ndaj bashkisë, duke bërë zhurmuesin me një altoparlant portativ me bateri. Marifetçi i madh, por ishte bërë si ajo katruvja që hynte e dilte në pus dhe do t’i vinte vakti që të copëtohej, - sipas Shpendit. Albana Vokshi dhe Gerti Bogdani bënin fjalë për një pasuri qindra milion eurosh. Kohë më parë Shpendi kishte dëgjuar për fshatra të tërë turistikë në Spanjë, në posedim të këtij “varfanjaku”.
Djemtë e Shpendit, që i njihja që nga koha e gazetës “Liria”, më dhanë këtë shkrim në frëngjisht që ia kishin gjetur në xhep të xhaketës të atit dhe m’u lutën ta përktheja e ta botoja.
Okielo: “Rasti i çuditshëm i Nikolla Hugstrejtënit”. Titulli: “Edhe të pasurit e paligjshëm paguajnë babëzinë e tyre!”. Kishte edhe një nëntitull “ Përfundon në burg të përjetshëm, për paudhësitë e tij, biznesmeni që ishte miliarder që në moshën 20-vjeçare”. Autori: Uilliam Uard.
“Për afër gjysmë shekulli, mbreti i pasurive të patundshme, njëri ndër më të pasurit e vendit të tij, kishte koleksionuar gjer në atë kohë nëntë dënime për një mori aktivitetesh të tjera kriminale.
Në vitin 1956, kur ishte 11 vjeç, u dënua nga një gjykatë të miturish për vjedhjen e një makine daktilografike. Më vonë: katër vjet burg, për hedhjen e një bombe në shtëpinë e një rabini. Pesë të tjera, për vjedhjen dhe fshehjen e argjendarisë së grabitur. 15 muaj, në të vërtetë, se korruptoi një agjent të shërbimeve të burgut. Por Van Hugstrejtën-i nuk është një kriminel çfarëdo : cilido që ka pasur të bëjë me të, është pushtuar nga frika.
Receta e tij fituese “profesionale” ka qenë ligësia. Duke ndjekur shembullin e keq të shumë pronarëve të lagjeve të varfra, Hugstrejtëni ( titulli aristokratik “van” është fals), që kur ishte fare i ri, filloi të blinte shtëpi në rrezik shembjeje, të cilat i shiste me çmime të larta, pasi iu bënte një meremetim sipërfaqësor. Banorët e këtyre lloj shtëpive i detyronte të shpërnguleshin, me kërcënime dhe me ngacmime agresive. Madjè sikur na mburret me krenari për filozofinë e tij pseudoniçiane: - “ Qiramarrësit, - thoshte, - janë mutër. Vetëm ata që s’dinë të respektojnë vetveten jetojnë me qira”.
Duke zbatuar këtë formulë, njëmijë herë në 40 vjet, grumbulloi një pasuri që çmohet në 800 milionë euro. Dhe fitoi një vend në Ginesin e primatëve të vitit 1981, për pagesën më të lartë të taksave mbi të ardhurat: 8,5 milionë euro, njëherësh.
I lindur nga një familje borgjeze e rrënuar ekonomikisht, (gjyshi, me origjinë flaminge, kishte qenë njëri ndër aksionistët kryesorë të së fuqishmes British East India company), që kur ishte i vogël i kishte mbushur mendjen vetes që të vinte në vend nderin e familjes. Ishte ende me pantallona të shkurtra kur mashtronte të fejuarat në shitblerjen e pullave. Kur u bë 15 vjeç, koleksioni i tij vlente 45.000 euro. I çuar nga i ati për t’u bërë marinar, blinte prona në vendet ku bënte qëndrimin anija. Ishte 17 vjeç kur zotëronte shtëpi në Bermudet; 21 vjeç qé pronar i 350 mijë pronave të patundshme dhe ishte, tashmë, miliarder. Në vitet nëntëdhjetë, për shkak të miqësisë me presidentin e Zimbabwes, Robert Mugabe dhe me padronin e Lonrho-s, Tiny Rowland, e shtriu perandorinë e tij në Afrikën Jugore: toka, ferma, hotele, miniera.
I edukuar nga jezuitët, nuk është pa kulturë e pa shije. Mburret për një koleksion të bollshëm të mobilerisë dhe të argjendarisë të Luigjit XIV dhe XVI, si edhe për piktura të rëndësishme të piktorëve të mëdhenj, duke përfshirë edhe Holbein-in. Zotëron banesa luksoze në të gjithë botën. Por, i pushtuar nga mania e grandeur (madheshtisë) ndërtoi një pallat barok në Sussex, Hamilton Palace,që kushtoi 60 milion euro. Pallati e ka gjatësinë 200 metra, me fasadën që e kalon atë të Backingam Palace-it. është rezidenca private më e madhe, e ndërtuar në Anglinë e Nëntëqindës dhe është e pajisur me një mauzoleum, në të cilin kufoma e tij do të prehet “ për 5000 vjet”. Kjo ndërtesë “mbretërore” s’është përfunduar endé. është e destinuar, tani, që të mbetet e pambaruar për 20 vjet. Të paktën nëse manjati djallëzor nuk do të mundet të korruptojë ndonjë gjyqtar e të mundet të dalë nga burgu para afatit!”.
Kjo është kronika. I ndjeri Shpendi bënte gallatë me shoqërinë e tij ish-të përndjekur, duke thënë se Nikolla Hugstrejtëni nuk thoshte, amà, sikundër ky zhvatësi ynë, se ishte i varfër! -As unë nuk jam i varfër, - shtonte Shpendi. Ju e keni parë vilën time, se shihet nga autostrada Durrës-Tiranë, që i paça djemtë e mi të cilët i kanë nxjerrë eurot me djersë të ballit. Nga kjo autostradë shihen fshatrat me vila që nuk dallohen nga ato europianet. Ndërsa ata që na gënjenin me fotot e “fshatit tonë socialist”, i kishin çatitë me kashtë!
- Po, o Shpend, se na shkulën veshët me varfërinë. Varfëria, varfëria! Kemi varfëri, se kanë edhe vende më të përparauara se ne. Por këta, njëshin e bëjnë njëqind! Nuk dinë veçse të poshtërojnë vendin e tyre. Po si s’thonë një fjalë se edhe nxënsit e vegjël i sheh kudo me celularë në vesh! Edi është mashtruesi më i madh, që e pësoftë si Nikolla, jarebí!