E Diel, 1 Nëntor 2026

Edita Tahiri: Më së pakti mendon ministri i Kulturës për kulturënNga Dhurata HamzaiÇelja e edicionit të pestë të festivalit POETEKA, mbrëmjen e 21 shtatorit në Durrës, u bë në një mjedis spektakolar dhe ndjellës. Në ambientet e Bar 6 Kançi-it, pjesëm

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Edita Tahiri: Më së pakti mendon ministri i Kulturës për kulturënNga Dhurata Hamzai

Çelja e edicionit të pestë të festivalit POETEKA, mbrëmjen e 21 shtatorit në Durrës, u bë në një mjedis spektakolar dhe ndjellës. Në ambientet e Bar 6 Kançi-it, pjesëmarrja e kishte kaluar parashikimin. Si rrallë herë në këtë festival do të kishte edhe një pjesëmarrje të aktorëve të njohur të politikës shqiptare, përfshi edhe Kosovën. Ishte jo vetëm ministri i ri i Kulturës, zoti Ferdinand Xhaferri, i cili u shpreh se “pjesëmarrjen në këtë festival e kisha obligim”, por edhe më tepër. Përshtypje bëri në këtë festival pjesëmarrja në dy ditët e para e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Edita Tahiri. Zonja Tahiri kishte ardhur në këtë festival me poeten dhe intelektualen e shquar kosovare, Edi Shukriu, të dyja bashkëluftëtare të njohura për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në natën e parë të Festivalit POETEKA ishte e pranishme edhe media shqiptare, me përfaqësues të saj në edicionet dhe profilet përkatëse. U ndie në këtë festival edhe pjesëmarrja e analistit të njohur Fatos Lubonja, i cili u përfshi në moderimin e natës së parë të këtij festivali, duke e përkrahur nismën e organizatorëve. Poetë nga shumë vende të botës kanë mbërritur tashmë në Durrës, duke iu bashkuar aktivitetit të madh që në orët e para të tij. Prezantimi i pjesëmarrësve u shoqërua me lexime autoriale, të autorëve të vendeve të ndryshme të papërkthyera aty për aty, për faktin se drejtori i këtij festivali, Arian Leka, e ka menduar këtë organizim në përputhje me iniciativën: UNESCO 2009, viti i gjuhëve. Në mjediset e Bar 6 Kançi-it vijuan aktivitetet e natës së parë, që u quajt Nata Ballkanike, me temën “Ballkani, Piter Pan i Evropës”. Pjesëmarrës në panelin e diskutimit për këtë temë ishin Jovanis Nikolaidis, poet nga Mali i Zi, Bogomil Gjyzel nga Maqedonia dhe analisti i njohur Fatos Lubonja. Muzika etno me tingujt e Spartak Stamatit në violinë, Gentian Rrushit në fizarmonikë, dhe Reinald Foçit në violinë, mbylli në mënyrë të kënaqshme natën e parë, e cila krijoi edhe një mjedis mikpritës për poetët e ardhur nga vende të botës, si Blanka Andreu, Spanjë; Ameriko Rodrigues, Portugali; Francis Chenot, Beligjikë; Aldo Dramis, Itali; Demosthnes Agrafitios, Greqi dhe shumë poetë të tjerë nga Amerika, Sllovenia, Mali i Zi, Kosova, Spanja, Polonia, disa prej të cilëve do të thonë fjalën e tyre në intervistat gjatë ditëve të festivalit për gazetën “TemA”. Dita e dytë e festivalit, dje, ishte një ditë plot surpriza dhe risi, ku performancat dhe fryma poetike e kohës është prezantuar edhe me forma të çuditshme sonore, si ajo e portugezit Americo Rodrigues. Dita e dytë u mbyll me një mbrëmje letrare të organizuar nga poeti amerikan, Tom Sleigh, nga SHBA, që zhvilloi temën “Surrealizmi kundër klasicizmit ose përse unë gris togën time”. Përfundoi dita e dytë me intervista, lexime dhe degustim vere, moderuar së fundi nga poeti i njohur Parid Teferiçi, në tingujt e klarinetës së solistit të mirënjohur Fatos Qerimi. Intervista që iu bë deputetes kosovare Edita Tahiri, e pranishme në këtë festival nga gazeta “TemA”, shihet si një qasje e reflektimit të politikës në fatin dhe problemet e zhvillimit të kulturës në Shqipëri dhe në Kosovë, kulturës së të njëjtës gjuhë, gjuhës shqipe.

Zonja Tahiri, cila është arsyeja që ju, një deputete e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht obligimeve të mëdha që keni me politikën, gjendeni megjithatë në këtë festival?

Pjesëmarrja ime në këtë festival lidhet me shoqërimin e poetes dhe intelektuales së shquar kosovare, Edi Shukriu. Është një lidhje e hershme me të në ato kohë të rënda për Kosovën, ku ne të dyja kemi qenë përballë lëvizjes për pavarësi. Ardhja ime në një festival poezie, përveç kësaj u lidh edhe me përgjegjësinë time që të dal pak nga kornizat e politikës. Kam nevojë të sofistikoj shpirtin dhe mendjen duke ardhur në një festival të madh poezie, sepse kam mendimin se idetë më të mira të politikës vijnë nga poetët. Mendoj se poezia e një vendi është edhe një burim i formësimit edhe i mendimit politik e kombëtar.

Ju thatë se bashkë me poeten e njohur Edi Shukriu, ju bashkonte mendimi dhe bashkëveprimi për pavarësinë e Kosovës. Si ju ndihmonte poezia e saj? Çfarë shtyse i dha konkretisht mendimit politik ajo?

Së pari, mund t’u them se Edi Shukriu njihet si një nga poetet kulmore jo vetëm të Kosovës, por edhe mbarë shqiptarisë dhe unë dua t’u them se, kur kam qenë fëmijë, i kam lexuar poezitë e saj nëpër revista shkollore dhe e kam adhuruar vazhdimisht. Mirëpo ajo që karakterizon poezinë e Edit, dihet që u adresohet shumë aspekteve të jetës. Por, në radhë të parë i është adresuar fatit të kombit dhe poezitë e saj në fakt janë një kontribut shumë i madh për formësimin e mendimit politik kombëtar. Kjo është ajo pika jonë e lidhjes me Edin Shukriun si njeri, sepse Edi e ka menduar që ditën e ndarjes së kombit fatin e tij dhe e ka shprehur nëpërmjet poezisë, por edhe ka dhënë ide se si duhet punuar në kuptimin e vlerave të bashkimit, të fuqizimit të njëri-tjetrit, mendimit të lirë, alternativave etj.

Zonja Tahiri, ju jeni deputetja e Kuvendit të Kosovës, a interesohet ky vend për artin, poezinë dhe kulturën në Kosovë apo ia keni lënë të mendojë për këtë vetëm ministri i Kulturës?

Do të thosha që më së pakti mendon ministri i Kulturës për kulturën në Kosovë, sepse po të kishte menduar më shumë, do të bënte të mundur që poezia jonë të gjejë mbështetjen e duhur që, në fakt, kultura në Kosovë, por edhe në Shqipëri, nuk e ka mbështetjen e mjaftueshme. Shihni buxhetin në Ministrinë e Kulturës dhe aty shihet përkrahja në këtë fushë. Sepse edhe buxheti ndikon që më së paku të edukohen shijet dhe mendimet nëpërmjet kulturës.

Zonja Tahiri, kur ka qenë hera e fundit që ju vetë keni dhënë një kontribut sado modest për kulturën?

Unë personalisht angazhohem shumë me problemet kulturore, për faktin se jam e vetëdijshme se ecuria e një kombi është komplete, nuk mund ta orientosh vetëm në një aspekt dhe ta lësh në aspektin tjetër të pazhvilluar, e dyta, sepse Serbia, kur e ka shtypur popullin shqiptar, është munduar ta paraqesë si një popull pa kulturë. Madje është munduar të tregojë se ne as nuk kemi qenë autoktonë në këto hapësira, as nuk kemi civilizime të tjera. Mirëpo, ka mundur të vërtetojë të kundërtën sot politika dhe shkenca botërore, e cila e ka demaskuar Serbinë. Kemi rastin e Enciklopedisë së Maqedonisë, e cila doli e botuar me denigrime në adresë të shqiptarëve. Këto janë tendenca që na dëmtojnë dhe unë vetë angazhohem shumë për t’i ndalur. Ndërsa, nëse bëhet fjalë për kontributin e herës së fundit, unë si deputete në parlament kam kërkuar në Kuvend, në ditën që diskutuam buxhetin e Kosovës, mjete që Ulpiana, lokaliteti më i rëndësishëm arkeologjik i Kosovës, të fitojë një buxhet, me të cilin do të blihet toka ku ndodhet sot Ulpiana, që të mbështeteshin arkeologët dhe në krye të tyre është doktoreshë Edi Shukriu, e cila drejton ekspeditat arkeologjike që të fillojnë kërkimet arkeologjike, pra të fillohet studimi në atë fushë.

Përgëzime. Le të kthehemi te poezia, për të cilën ju keni ardhur këto ditë në festivalin ndërkombëtar POETEKA, në Durrës. Cili është poeti shqiptar që ju pëlqeni më shumë?

Për sa i përket pjesës së Kosovës, siç ju thashë që e kam lexuar që nga fëmijëria, është poezia e Edi Shukriut dhe unë them se ajo nuk është vetëm një grua poete, por është ndër poetët më kulmorë të shqiptarisë. Ndërsa në Shqipëri kam edhe unë disa nga poetët e preferuar, por së fundi më ka pëlqyer shumë një poezi e Dritëro Agollit që titullohet “Pelegrinazh i vonuar”.

Jam edhe unë e mendimit që poetja kosovare Edi Shukriu është ndër më të mirat, e cila po më provokon për pyetjen tjetër: Vihet re që në mbarë botën e poezisë shqipe, poetët më të reklamuar janë ata që s’janë poetë dhe në hije janë më së shumti ata që vërtetë janë poetë, si do të zgjidhet kjo çështje, ndërkohë që politika me interesat e saj e nxit këtë dukuri?

Te vendet në tranzicion, jo vetëm të rajonit, por edhe të mbarë Ballkanit, ndodh një dukuri e çrregullimit të sistemit të vlerave. Kjo është e pashmangshme si dukuri dhe në këto raste antivlerat ngrihen lart dhe vlerat zbresin poshtë dhe margjinalizohen. Ky është shpjegimi, pse ne gjejmë në treg antivlerat, jo vetëm të artit, por edhe të fushave të tjera. Pra, puna e parë e politikës, por edhe e inteligjencës është rikthimi i sistemit të vlerave në mbarë shoqërinë. Pa u ri-kthyer sistemi i vlerave nuk ka fuqizim të kombit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›