E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia e marrive Nga Shkëlzen HalimiEnciklopedia e marrive mund të quhet projekti më i ri i Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve, që të mërkurën pati një promovim mjaft pompoz. Është vështirë të presësh diçka nga ata që lajtmotiv të p

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Enciklopedia e marrive Nga Shkëlzen Halimi

Enciklopedia e marrive mund të quhet projekti më i ri i Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve, që të mërkurën pati një promovim mjaft pompoz.

Është vështirë të presësh diçka nga ata që lajtmotiv të përditshmërisë kanë paragjykimin, aq më tepër kur dihet se paragjykimi ndaj shqiptarëve në Maqedoni për shumë kë është ushqim shpirtëror.

Paraqitja e elementit shqiptar në formën e një karikature të vrazhdë, në një projekt voluminoz që mban siglën e një institucioni, ku besohet se është tubuar truri i një kombi (Akademia e Shkencave dhe Arteve), do të thotë se më në fund në Maqedoni po bien maskat dhe se po qartësohen qëllimet me prapavijë të errët.

Shqiptarëve kjo u kujton projektet famëkeqe të akademisë serbe në krye me Çubrolloviçin e Ivo Andriçin.

Mosprezantimi i vërtetë i historisë shqiptare, ashtu siç argumentohet edhe në shumë dokumente të historianëve e udhëpërshkruesve të huaj, mospërfshirja e ngjarjeve historike (që kanë ndodhur në Dibër, Manastir, Shkup...), pa të cilën historia shqiptare do të ishte e mangët, lënia anash e shumë figurave shqiptare nga jeta kulturore e politike, përfshi edhe ata, pa të cilët historia më e re e Maqedonisë, jo vetëm që do të ishte e thatë, por edhe do të humbte kuptimin, do të thotë se intriga ndaj shqiptarëve tashmë po institucionalizohet.

Është e pafalshme mospërfshirja në këtë enciklopedi e shumë figurave, ndër të tjera edhe mospërfshirja e Nevzat Halilit, liderit të partisë (PPD) së parë shqiptare në Maqedoninë pluraliste, pastaj e kryetarit aktual të PDSH, Menduh Thaçit e ndonjë tjetër. Për ta nuk pati “hapësirë dhe vend”, por pati për, bie fjala, Johan Tarçullovskin, i dënuar nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit (në Luboten plagët ende janë të freskëta). A nuk flet kjo qartë për një tendencë të paramenduar mirë?

Është kapitull më vete numri i madh i gabimeve dhe të pavërtetave që prezantohen në këtë enciklopedi. Duket qartë se hartuesit e saj ndaj elementit shqiptar kanë patur qasje improvizuese. Këtë improvizim ata do ta dëshmojnë, për shembull, te shënimi mbi Hasan Kaleshin, një figurë e shquar e kulturës shqiptare nga Kërçova (babai i piktorit me famë botërore, Omar Kaleshi). Në vend të fotografisë së Hasan Kaleshit, ata vënë fotografinë e Faik Konicës.

Një gabim tjetër i pakëndshëm bëhet me Hamid Thaçin (kumanovar), një figurë nga periudha e LNÇ, i cili prezantohet dy herë: një herë si Taki Hamid pastaj si Taçi Hamid. Këto janë vetëm disa nga “perlat” e injorancës dhe infantilitetit të përpiluesve të këtij projekti. Ndërkaq, mos të flasim për disa të pavërteta që ndërlidhen me vetë shtetin shqiptar dhe me disa figura që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë.

Dhe çka duhet bërë pas gjithë kësaj? Është koha të tubohet Unioni i Inteligjencës Shqiptare, Shoqata e Historianëve Shqiptarë, shoqata “Zgjohu” dhe asociacionet e tjera shqiptare që veprojnë në Maqedoni dhe ta shqyrtojnë mirë e mirë këtë enciklopedi, dhe t’i evidentojnë të gjitha marritë, intrigat, të pavërtetat, natyrisht me argumentet që janë absolutisht në anën e shqiptarëve, dhe të kërkojnë që urgjentisht enciklopedia të tërhiqet nga përdorimi dhe të shpallet e pavlefshme ose të bëhet një enciklopedi që i përgjigjet realitetit të Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›