Qeveria, 4 mijë hektarë tokë në zonën bregdetare për kompensimin e ish pronarëve

Qeveria identifikon 4 mijë hektarë tokë në bregdet, të cilat pritet t'u jepen ish- pronarëve në formën e kompensimit. Sipas zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu mësohet se këto toka që janë identifikuar nga grupi Ad- hoc, i ngritur posaçërisht nga qeveria, ndodhen në zonën bregdetare të Adriatikut dhe pjesën e liqenit të Shkodrës. Ndër të tjera, nëpërmjet deklaratës për shtyp, Bregu sqaroi se 2 mijë hektarë të tjera toka në zonat turistike janë në proces verifikimi dhe pritet ti shtohet këtij fondi për kompensim.
Nga grupi Ad- hoc i ngritur për të identifikuar tokat publike në zonat turistike, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve përsos 4000 ha tashmë të përvijuar, deri tani janë në përfundim të procedurave të verifikimit edhe 2000 ha të tjerë të mundshëm në vijën bregdetare të Shqipërisë. Në ditët që vijojnë do të konkretizohet një paketë e re aktesh nënligjore, në bazë të së cilës do të shpërndahen trojet për kompensim tha Bregu. Pavarësisht se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është i vështirë, zgjidhja nga qeveria, sipas Bregut, nuk është e pamundur. Vetëm në qershor të vitit të shkuar u identifikuan 20 mijë ha tokë bujqësore të gatshme për kompensim. Kompensimi fizik, kompensimi në cash i pronarëve, kreditimi së fundmi i 3000 familjeve që kanë zënë shtëpitë e pronarëve, bëjnë të mundur trajtimin si asnjëherë gjatë këtyre 18 viteve, të çështjes së pronësisë në Shqipëri, u shpreh ajo. Sipas Bregut, zgjidhja e problemit nuk është vetëm plotësimi i kërkesës së vazhdueshme nga Bashkimit Europian, por ajo ndihmon edhe në zhvillimin e ekonomisë si dhe në thithjen e investimeve në Shqipëri. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, kryeministri Berisha njoftoi skemën shtesë të qeverisë për të bërë kompensimin, me toka dhe jo me vlerë monetare, sepse e cilëson të papërballueshme për qeverinë këtë kompensim duke u nisur edhe nga çmimet e tokës kohët e fundit. Unë gjykoj se ky është një detyrim absolut i yni dhe pa këtë sipërmarrje, pa vënien në dispozicion të disa mijëra hektarëve tokë në troje turistike për ish- pronarët, ky proces nuk do të mund të marrë zgjidhje. Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është tu ofrojë pronarëve troje turistike, u shpreh kryeministri. Në lidhje me këtë nismë, Berisha shprehu besimin se do të gjejë mirëkuptim të gjerë, pasi sipas tij zgjidhja e problemit të pronësisë është kushti më themelor për stabilitetin dhe zhvillimin e tregut të lirë.
Last Updated on Friday, 27 February 2009 22:22
Last Updated on Friday, 27 February 2009 22:22