E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albpetrol, Rezart Taçi dëshmon për videon

TIRANE Biznesmeni i naftës, Rezart Taçi, dëshmoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme, për më se një orë e gjysmë, në lidhje me një fragment të videos së regjistruar nga Dritan Prifti në bisedën e përgjuar me Ilir Metën. Për rreth një orë e 30 minuta, biznesmeni është marrë në pyetje në Prokurorinë e Përgjithshme. Rezart Taçi ka dalë nga organi i akuzës dje rreth orës 15:50, pasi ka dhënë sqarimet e tij në lidhje me objektin e hetimeve. Shkak i thirrjes së prokurori të biznesmenit ka qenë një pjesë e bisedës Meta-Prifti, në të cilën përmendet një tender i kompanisë Albpetrol. Pikërisht në lidhje me këtë tender është marrë në pyetje dje edhe pronari i kompanisë ARMO, e cila merr lëndën e parë nga Albpetrol për prodhimin e naftës. Në bisedën e përgjuar mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës, pretendohet se është folur për ndërmarrjen shtetërore Albpetrol dhe më konkretisht, për prishjen e një kontrate të vjetër që ajo kishte me kompaninë ARMO. Pikërisht për këtë kontratë është marrë në pyetje dhe pronari i kompanisë ARMO, Rezart Taçi. Burimet nga prokuroria nuk i kanë bërë të ditura deklarimet e tij në zyrën e grupit hetimor, por organi i akuzës tha se pyetja e biznesmenit ka qenë një veprim i domosdoshëm, pasi prokuroria është duke verifikuar çdo episod të bisedës së përgjuar nga Dritan Prifti. Prokuroria filloi hetimet në janar 2011 për videon e përgjuar nga Dritan Prifti, ndërkohë që në shkurt me kërkesë të organit të akuzës Parlamenti u hoqi imunitetin dy deputetëve, për ti hapur rrugë hetimeve të prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›