E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, doganieri refuzon të dëshmojë për naftën virgine

TIRANE Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje inspektorin e Tatimeve, Dashamir Kasaj, i arrestuar në dosjen penale për kontrabandën e naftës virgine. Disa javë pas arrestimit të tatimorit, prokurorët kanë kërkuar sqarime prej ish-tatimorit të Fierit në lidhje me kontrabandën e naftës. Sipas burimeve nga prokuroria, tatimori i arrestuar ka deklaruar se ka zbatuar ligjin gjatë detyrës së tij dhe nuk është në dijeni se ka kryer ndonjë vepër penale. Po kështu, prokuroria ka marrë në pyetje edhe ish-doganierin e Vlorës, Edmond Ferraj, i arrestuar së bashku me 13 persona të tjerë në lidhje me kontrabandën e naftës virgin. Burime nga prokuroria thanë se ish-doganieri i Vlorës, i akuzuar për tolerimin e kontrabandës, nuk ka preferuar të japë shpjegime për prokurorinë. Kjo e fundit po vazhdon hetimet në lidhje me kontrabandën e naftës virgin që është hedhur në tregun shqiptar e papastër gjatë viteve 2007-2009, ndërkohë që deklarohej si mall importi. Me dokumente false, sikur kishte kaluar në doganën e Vlorës pasi ishte përpunuar jashtë vendit, nafta e papastër është përzier në karburante me raportin 1/3. Për këtë çështje, prokuroria urdhëroi arrestimin e shtetasve Hajri Elezaj, pronar i kompanisë së karburanteve Euroil dhe Iliaz Fisheku, pronar i kompanisë Fisheku sh.a.. Urdhër arresti për këtë çështje u lëshua edhe për dy tregtarët Martin Fisheku dhe Bajram Fisheku, si dhe inspektorin e Tatimeve të Fierit, Dashamir Kasajn, e doganierin e Vlorës, Edmond Ferraj. Personat e tjerë që u arrestuan, janë shtetasit Flamur Merkaj, Vladimir Koteci, Gani Prençe, Reshat Aleksi dhe Kadri Hajredini, të gjithë punonjës të dy kompanive të mëdha, që kanë kryer qarkullimin e naftës virgin, duke e hedhur atë në treg të papastër, me efekt ndotës në ambient dhe me dëmtim për automjetet. Ata akuzohen se kanë kryer veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda, shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

17 mije tonë
naftë virgine dyshohet se është futur në tregun shqiptar e papërpunuar, ndërkohë që me dokumente pasqyrohej sikur karburanti i papastër i marrë nga ARMO ishte nxjerrë jashtë vendit dhe ishte përpunuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›