E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg përjetë vrasësit të dyfishtë

Banesa ku ndodhi shpërthimi në Sauk

Gjykata e Tiranës dënoi me 25 vjet burg dërguesin e një televizori plazma, montuar në të një bombë, shpërthimi i të cilit vrau 2 vetë e plagosi tre të tjerë në 12 qershor të vitit 2010 në Sauk, Tiranë.Luan Dervishi u deklarua fajtor dje nga një trupë gjyqtarësh të Gjykatës së Tiranës për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Pas shtatë seancash gjyqësore, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Sokol Tona i dha fund shqyrtimit gjyqësor ndaj Dervishit, i cili e pati pranuar autorësinë e krimit. Në vendimin e saj gjykata i dha të drejtë kërkesës së prokurorisë për dënimin me burgim të përjetshëm të të pandehurit. Por, në seancat e mëparshme ishte pranuar gjykimi me kohë të shkurtuar i Dervishit dhe për shkak të lehtësirave që krijon ky lloj gjykimi, përfundimisht ai u dënua me një çerek shekulli heqje lirie. Ngjarja për të cilën u dënua Dervishi, pati si shkak një hasmëri të lindur mes tij dhe familjes së njërit prej viktimave pas një ngjarjeje të vitit 1997. Si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi të montuar në brendësinë e një televizori nga i pandehuri Dervishi, vdiqën Xhevdet Xhebrahimi, 71 vjeç dhe Luan Brahja, 36 vjeç, ndërsa u plagosën lehtë Fatbardha, Altin dhe Shpresa Xhebrahimi.
DHURATA-BOMBË
Një shpërthim i fortë në banesën e familjes Xhebrahimi në Sauk të Tiranës në qershor të vitit të kaluar, zbuloi më pas se Luan Dervishi ishte arkitekti i një skeme hakmarrjeje të pasajuar ndonjëherë më parë. Ai kishte blerë një dekoder dixhital dhe një televizor plazma, të cilën ia kishte dërguar si dhuratë familjes Xhebrahimi. Por para se porosia të shkonte në destinacion, Luan Dervishi kishte montuar brenda televizorit një sasi prej 600 gramësh tritol. Ditën e ngjarjes, dhurata kishte mbërritur në familjen Xhebrahimi. Kryefamiljari Xhevdet Xhebrahimi kërkoi ndihmën e fqinjit të tij Luan Brahja, për të vënë në punë televizorin dhe dekoderin dixhital. Por në momentin që televizori është vënë në prizë, u aktivizua shpërthimi i lëndës eksplozive brenda tij. Shpërthimi u mori jetën të dyve, si edhe u plagosën tre pjesëtarë të tjerë të familjes Xhebrahimi. Gjithashtu, shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha materiale. Luan Dervishi u arrestua pak ditë pas ngjarjes, pasi policia arriti të zbardhë identitetin e dërguesit të dhuratës-bombë. Që në daljen e tij të parë para gjykatës, gjatë caktimit të masës së sigurisë, i pandehuri Dervishi pranoi autorësinë e krimit. Ai pohoi se eksplozivin e kishte montuar vetë në televizorin plazma. Montimin e eksplozivit e kam bërë vetë. E kam parë në televizor, u shpreh ai para gjykatës.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›