“Edmond Panairit, profesionist dhe me integritet”

Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha
Pas betimit në Presidencë, ish-Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti i është drejtuar Bashkisë së Tiranës, kësaj here për takimin e lamtumirës me stafin drejtues të këtij institucioni.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka vlerësuar rolin dhe kontributin e zotit Panariti, gjatë 11 muajve në krye të Bashkisë. Basha përmendi një sërë projektesh të lançuara gjatë fushatës së tij elektorale, të cilat me mbikëqyrjen nga zoti Panariti kanë marrë jetë në Bashkinë e Tiranës, projekte si mbrojtja e konsumatorit, reforma e shërbimit funeral, mbajtja nën kontroll e çmimeve gjatë festave të fundvitit apo iniciativa për t’i dhënë status mbrojtës Parkut të Liqenit. “Ky është një moment gëzimi për ne, sepse nga kjo periudhë shërbimi me përkushtim ndaj qytetit të Tiranës, me nder dhe meritë siç është por jo gjithmonë rregulli në politikë (por kësaj radhe me nder dhe meritë), shërbimin e këtij personaliteti do ta gëzojnë të gjithë qytetarët e vendit, në funksionin e tij të ri, si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Sigurisht që bashkë me gëzimin janë ato momentet e përziera, vjen edhe një ndjesi keqardhjeje, në momentin e parë për mua (pse jo edhe paniku), për largimin në këtë moment kyç të këtij drejtuesi kyç, iniciues dhe vënës në jetë i reformave e ndonëse puna e re do ta çojë me seli jo larg prej këtej por në udhëtime të shpeshta jashtë vendit, siç kemi rënë edhe dakord sot pas betimit tek Presidenti, disa prej projekteve, shpresoj se nuk do u mungojë këshilla dhe vëmendja e Ministrit tonë të ri të Jashtëm”, u shpreh Basha.
Edmond Panariti, duke shprehur bindjen se Bashkia është në rrugë të mbarë ka shprehur dëshirën e tij, për të qenë i pranishëm gjatë materializimit të disa projekteve të mbikëqyrura prej tij.
“Unë jam plotësisht i bindur që Bashkia e Tiranës ndodhet në rrugë të mbarë, ndodhet në rrugën e materializimit dhe për herë të parë bashkia e qytetit flet për projekte strategjike, gjë që është një ndryshim sinjifikativ, cilësor në raport me administratën e mëparshme. Për herë të parë, Bashkia e Tiranës lançon një vizion për Tiranën e 20-30 viteve dhe që këtë vit ne do të shikojmë frytet e para të materializimit të këtij vizioni. Ka qenë një punë vigane dhe unë kam qenë vërtet krenar që kam qenë pjesë e këtij stafi, duke filluar që nga Plani Urbanistik, natyrisht me diskutimet, faktorët e interesit dhe ndiej një nostalgji, do ta ndiej për një kohë të gjatë faktin që largohem nga kjo sfidë. Kjo nuk do të thotë që nuk do jem pjesë e kësaj sfide, madje i kërkova Kryetarit, që në momentin e materializimit të disa prej këtyre objektivave të jem dhe unë i pranishëm, nëse ai do ta gjykojë si të përshtatshme, sepse mbart me vete edhe atje ku shkoj një pjesë të investimit tim modest në Bashkinë e Tiranës”, tha Panariti gjatë fjalës së tij.