Statusi i vendit kandidat/Ambasadori Sequi: S’ka kohë për të humbur, të zbatohet marrëveshja e nëntorit

Bashkimi Evropian shprehet sërish se reformat mbeten parësore për klasën politike shqiptare në mënyrë që vendi të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti. Shefi i delegacionit të BE në Tiranë, Ettore Sequi deklaroi dje se nuk ka kohë për të humbur në përmbushjen e marrëveshjes së nëntorit.
Gjatë një vizite të përbashkët në qytetin e Shkodrës me ministrin e kulturës, rinisë dhe sporteve Aldo Bumçi, ambasadori Sequi u shpreh se politika shqiptare duhet të punojë për më shumë dialog dhe kompromis me qëllim që në vjeshtë Shqipëria të marrë statusin e kandidat në BE. “Statusi i Shqipërisë varet nga vullneti politik i shqiptareve, është një gjë e mundur por ju nuk duhet të humbisni kohë. Ju duhet të plotësoni sa më shpejt atë që ne e njohim si paketa e nëntorit, që përfshinë reformën zgjedhore, reformën parlamentare si dhe të gjitha prioriteteve të tjera të nevojshme. Kjo është e mundur, por koha po ecën”, shtoi Sequi.
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë u bën apel palëve politike shqiptare të arrijnë në kohë dialogun për reformën zgjedhore. Ai u shpreh se Shqipëria i ka mundësitë të plotësojë 12 kriteret e statusit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Siç tha dhe komisioneri Fyle disa ditë më parë nuk kemi shumë kohë dhe ora po bën tik- tak. Unë kam besim që vlerat e Evropës siç janë dialogu dhe kompromisi ti shërbejë asaj që ne i quajmë interesat kombëtare, apo prioritetet kryesore të Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat”, theksoi Sequi.
Komiteti i Asociim- Stabilizimit, në përbërje të të cilit janë deputetë të shumicës dhe opozitës, do të mblidhet në Bruksel më 12 korrik për tu angazhuar në përmbylljen e reformave dhe çeljen rrugë të statusit kandidat në provimin e vjeshtës së këtij viti. Brukseli, veçanërisht Komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fyle i ka kërkuar klasës politike të shpalosë vendosmëri dhe bashkëpunim, në përputhje me marrëveshjen e nëntorit e cila shënoi edhe qetësimin e situatës politike.
“Ne nuk duam një tjetër shans të humbur për Shqipërinë”, u shpreh Fyle në deklaratën e fundit rreth zhvillimeve politike në vendin tonë.
Ndërkohë, Komiteti Stabilizim Asociimit, takimi zyrtar i të cilit është në 12 korrik, vlerëson hapat e deritanishëm në reformat parlamentare dhe zgjedhore kërkon nga klasa politike shqiptare që në mënyrë urgjente të finalizojnë këto dy reforma. Liberalizimi vizave shihet nga Komiteti Stabilizim Asociimit, si një sukses jo vetëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe në marrëdhënieve ndërinstitucionale. Vlerësohet puna e qeverisë në menaxhimin e problemeve të shfaqura që lidhen me këtë proces. Në pikën e pestë të deklaratës që do tu paraqitet palëve në mbledhjen e 12 korrikut, ritheksohet se reformat në drejtësi, lufta krimit të organizuar dhe korrupsionit janë parakushtet kryesore për të gjithë rajonin në rrugëtimin drejt BE-s.
Komiteti në mënyrë të veçantë kërkon nga autoritet shqiptare jo vetëm hartimin e ligjeve të bukura në letër, por më kryesorja zbatimin e tyre e në mënyrë të posaçme garantimin e pavarësisë në sistemin e drejtësisë.