E Diel, 1 Nëntor 2026

Eduard Kukan: Votimi i rregullt tregoi se Shqipëria ka aftësi të zhvillojë zgjedhje me standarde

26-05-2011 / Gazeta 55

Në mbledhjen e djeshme të PE-së kreu i delegacionit të europarlamentarëve Eduard Kukan ka deklaruar se procesi i votimit në 8 maj në tërësi ishte i rregullt, por kishte polarizim të lartë dhe raste të votimeve familjare.
Sipas Kukan, këto nuk janë probleme të mirëfillta zgjedhore pasi ekzistojnë edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por ajo që u konstatua nga ky proces elektoral ka qenë qytetaria e treguar ditën e zhvillimit të zgjedhjeve. Kreu i delegacionit për Shqipërinë në PE, tha se në 8 maj u vërejt një pjesëmarrje mbi 50 për qind e votuesve, çka tregon se qytetarët duan zhvillimin dhe integrimin.
“Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje do të thotë se njerëzit duan zhvillimin dhe integrimin. Por këto zgjedhje duhet të na kishin treguar maturi politike nga ana e politikanëve”, tha Kukan.
Sipas Kukan, situata në Shqipëri për një kohë të gjatë është përfshirë nga polarizimi, pjesëmarrja e lartë tregoi se njerëzit e duan të ardhmen, por këto zgjedhje duhet të kishin treguar maturi politike dhe aftësi për zgjedhje sipas standardeve.
“Fatkeqësisht, impresioni im është që përkeqësimi i situatës na tregoi problemet e gjata në politikë dhe proceset në Shqipëri. Treguan paaftësi për të gjetur zgjedhje konsensuale dhe në parim zgjedhjet nuk do e ndihmojnë Shqipërinë për të tejkaluar stanjacionin politik. E di që dukem pesimist dhe do isha i lumtur që të dal gabim, pasi i uroj më të mirën Shqipërisë”, theksoi Kukan.
Ai ka deklaruar se procesi nuk ka përfunduar, pasi kandidati demokrat Basha kërkoi marrjen në konsideratë të votave të hedhura gabimisht dhe KQZ mori vendimin 4 me 3 që shkaktoi debate, situata politike u tensionua shumë, opozita nisi protestat dhe vendosi të largohet nga parlamenti.
“Ambasadorët po bëjnë diplomacinë me dyer të mbyllura duke u kërkuar liderëve të partive vetëpërmbajtje. Më 24 maj KQZ shpalli rezultatin, sipas të cilit Basha fitoi bashkinë e Tiranës me 81 vota”, tha ai, duke shtuar se tashmë partitë kanë të drejtën në dorëzojnë animimet. “Vendimi përfundimtar do të jepet nga Kolegji Zgjedhor, pra procesi nuk ka mbaruar akoma”, shtoi Kukan. Ai kërkoi që liderët politik të kenë kurajë të pranojnë vendimet e institucioneve ligjore.

Eurodeputetët: Procesin e zgjedhjeve e vendosin organet kompetente
Eurodeputetët e komisionit të Jashtëm janë të qartë. “Ata nuk duan të bëjnë gjykatësit e procesit zgjedhor në Shqipëri, por të lënë organet kompetente të merren me to.
Ioanis Kassoulides, nga Partia Popullore Europiane deklaroi se çështjet speficike lidhur me procesin zgjedhor duhet t’i lihen autoriteteve gjyqësore. “Nëse ne fillojmë të bëhemi gjyqtarë në favor të njërit ose tjetrit, atëherë ne do t’i hedhim benzinë zjarrit dhe që nuk ndihmon popullin shqiptar dhe as të ardhmen e Shqipërisë. Pyetjet, pse u numërua kështu këtë radhë, pse u morën në konsideratë kjo apo ajo, kjo le t’u lihet autoriteteve të duhura gjyqësore”, tha europarlamentari grek.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikolas Chountis, do të deklaronte në raportin e tij se ajo me të cilën ndeshen aktualisht debatet politike në Shqipëri lidhet me interpretimin e rezultatit.
“Jam i shqetësuar si është e natyrshme, sigurisht nuk kemi rezultatin e përfundshëm dhe ka filluar që tani beteja e interpretimit te rezultatit. Ndërkohë, ka disa eurodeputetë, që hapur e konsiderojnë numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara si të logjikshme”, tha ai.
Nikolas Chountis, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, tha se “rezultatet e votimeve nuk u bënë të pranueshme dhe që këtu e një vit e gjysmë, nuk kemi funksionim të plotë të parlamentit shqiptar, tensioni politik ishte një fenomen i përditshëm, plus kjo që ndodhi tani me votimet, të gjitha këto kanë si rezultat krizë politike”.
Sipas Brukselit, në rast mosmarrëveshjeje, organi i pavarur që të dyja palët do të mund t’i drejtoheshin pas procedurave gjyqësore, është për shembull Komisioni i Venecias.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›