E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Ndëshkimi në emër të kompromisit

26-05-2011 / Nga Idriz Morina

Nga kush duhet të presë urdhër për ndërhyrje KFOR-i dhe EULEX-i? Edhe për një stërvitje dhe zhbllokimin e magjistrales së Adriatikut, të cilën KFOR-i ndalohet ta ushtrojë nga një grup serbësh, u dashka ky sinonim i forcës dhe i NATO-s, “të presë një urdhër”! Për EULEX-in, si një organizatë e hamendësuar që nga fillimi, nuk mund të jetë i papritur “urdhri për të pritur” një urdhër të ri, për këtë ushtrim të përbashkët me KFOR-in nga selia e Brukselit. Tashmë është e qartë, veçanërisht pas deklarimeve të Feith-it se vetë ai ishte detyruar nga posti i Përfaqësuesit Special të BE-së, të vepronte me neutralitet ndaj Kosovës dhe se EULEX-i është një mision që më së paku mund të akuzohet për neglizhencë (nëse jo për dështim), kuptohet që në Bruksel në vazhdimësi ka një përballje të madhe ndërmjet forcash apo bartësish të tyre, pro Kosovës dhe pro Serbisë, përkatësisht kundër interesave të shqiptarëve. Prandaj, ende pa filluar stërvitja, strukturat paralele serbe mirë informohen për lëvizjet ushtarake dhe policore, dhe po ashtu u jepen instruksionet se si të ndalohen këto dy misione, sikurse që ndodhte edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, që para se të goditeshin caqet, ato të zbrazeshin nga ushtarët, strukturat komanduese dhe pajisjet e teknika ushtarake. Prandaj, në gjithë këta 12 vjet, që nga ura e Ibrit, e tutje në Veri, çdo protestë serbe është zhvilluar me një paraskenar evropian, pra para se ai të përpunohej nga serbët. Dhe nuk ka shpjegim tjetër dështimi i deritashëm në Veri i misioneve ndërkombëtare dhe të Kosovës, pra kjo ndodhte për shkak të urdhrave, që kurrë nuk vinin apo që ndryshonin gjithmonë kahen e zhvillimit, pra në vend të spastrimit nga strukturat paralele të Serbisë, dhe po ashtu nga strukturat kriminale serbe, ndodhte inkurajimi i tyre, dhe ato shndërroheshin në të paprekura, aq sa vazhduan të dëbojnë, të shpërngulin me forcë edhe atë pjesë të banorëve shqiptarë që kishin mbetur më në brendësi të Mitrovicës, dhe po ashtu janë po ato struktura, që nuk lejojnë rikthimin e shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut” në Veri. Po ashtu protestuesit serbë përveç që kërkojnë të bllokojnë stërvitjet e KFOR-it dhe të EULEX-it, ata kërkojnë edhe lirimin e një krimineli të arrestuar ditë më parë, i cili përveç tjerash merrej edhe me kontrabandë, duke përfshirë naftën. Një kërkesë kjo aspak e re që ky komunitet jo vetëm që kërkon mbrojtjen e kriminelëve, pra krimit ordiner, por ai gjen edhe përkrahje ndërkombëtare në vazhdimësi, që ‘në emër’ të këtyre reagimeve të orkestruara Serbi-Evropë Perëndimore (në pjesën më të madhe të saj) siç e konstatuam më sipër, nëpërmjet fakteve historike, atyre juridike, që i kemi afirmuar në vazhdimësi, dhe dëshmive të dhëna së fundi nga vetë Piter Feith. Pra, tashmë rizbulohet filozofia politike evropiane, që në emër të konceptit të ‘baraspeshës së forcës’, kërkon në vazhdimësi nga Kosova negociata për llogari të Serbisë.
Këtë së fundi e ka deklaruar edhe profesori i Universitetit Jel (Yale) në SHBA, Ivo Banac: "Parimisht është një sjellje e padrejtë, e cila dëshmon se në çfarë mase është Kosova pjesë e lojës së bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan”.
Është po kjo politikë, e cila po vjen në shprehje edhe në Shqipëri në disa momente delikate, sikurse në rastin e zgjedhjeve. Derisa institucionet kanë siguruar çdo mënyrë për të pasur votë të pastër dhe transparente, këtij procesi i kundërvihet kryesocialisti Edi Rama, duke kërcënuar me dhunë të hapur, revoltë të përgjithshme, mosnjohje të institucioneve, vetëm e vetëm që të mos përfundojë si humbës. Ndërsa, pjesa më e madhe e pranisë ndërkombëtare, duke pasur një situatë të pastër u kërkon palëve kompromis. Pra, këta ‘shenjtërues’ të demokracisë kërkojnë kompromis me rendin dhe sundimin e ligjit. De fakto inkurajojnë Ramën që të mos respektojë rendin e ligjin, pasi institucioneve, që kanë ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për respektimin e sistemit demokratik, u kërkohet shmangie nga vetë sistemi. Pra, një qëndrim i hapur në të dyja rastet si në çështje të brendshme të shqiptarëve si në ato të jashtme, pozicionimi pro të keqes, nëse do të diskutonim me fjalorin e etikës.
Është koha që shqiptarët dhe institucionet e tyre në Kosovë, por edhe Shqipëria, të fillojë kundërvënie të hapur ndaj kësaj pranie të këtyre institucioneve dhe që njëkohësisht të krijojnë një platformë politike të njëmendët në mbrojtje të interesave politike të shqiptarëve.
Marrë nga “Bota Sot”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›