Shkolla, nga shkumësi tek interneti
Shkollat tona mbeten pengesa e fundit e revolucionit dixhital. Për një person i cili zgjohet nga një letargji prej 50 vjetësh, pamja aktuale e një klase do të ishte pothuajse identike me epokën viktoriane: një mësues që qëndron para nxënësve, vetëm me manualin, dërrasën e zezë dhe shkumësin. Ne po përballemi me një dështim kolosal të imagjinatës, madje edhe më keq, me abdikimin e përgjegjësive tona më shumë ndaj fëmijëve se sa nipërve tanë dhe me një hipotekë për të ardhmen tonë. Siç thoshte Stendal: Kush justifikohet, akuzohet.
Ne e dimë se përgjigja tradicionale – që investon para për të zgjidhur problemin – nuk funksionon. Në vendin tim, i kemi dyfishuar shpenzimet për arsimin fillor dhe të mesëm gjatë 30 viteve të fundit: rezultatet e testimit nuk kanë ndryshuar. Arsyeja e këtij dështimi varet nga fakti se shumat e shtuara kanë mundësuar një sistem që nuk shërben më në edukimin, por vetëm për t’i dhënë një punë mësuesve dhe administratorëve. Si amerikanë, ne diskutojmë arsyet se pse, në një qytet si Detroit, gati gjysma e popullsisë nuk di të lexojë.
Drejtuesit e këqij të mediokritetit do t’iu thonë se problemi varet nga fakti se nxënësit që mësojnë janë shumë të varfër ose vijnë nga familje me pozita jo të favorshme, janë emigrantë të cilët nuk e kuptojnë kulturën tonë. Kjo deklaratë është absurde, arrogante elitare dhe tërësisht e papranueshme.
Në vende si Kina apo India, dihet se justifikime të tilla nuk janë të pranueshme. Kur unë shkova në këto vende, mbeta i habitur nga rezultatet e arrira me burime shumë më të kufizuara dhe me shpejtësinë e tyre për të t’iu përshtatur inovacioneve. Gjendja e tyre shpirtërore i bën ata që të kenë sukses në konkurrencën ndërkombëtare: shumë nga lojtarët kryesorë janë aziatikë dhe shumë nga ata që kthehen për t’u gjendur në mes ose në fund të grupit kanë ardhur nga Perëndimi i industrializuar.
Të njëjtat teknologji që kanë transformuar një në dy aspekte të jetës moderne mund të transformojnë arsimimin, t’u sigurojnë kompanive tona talentin për të cilin kanë nevojë të lulëzojnë dhe për t’u siguruar qindra milionë të rinjve në skajin e mirëqenies mundësinë për të lënë gjurmë në zemrën e ekonomisë botërore. Ne duhet të fillojmë të stimulojmë imagjinatën e të rinjve tanë. Pika kyçe nuk është kompjuteri ose iPad, por një program informatike që do të përfshijë të gjithë studentët, do t’u shpjegojë atyre konceptet dhe do t’u mësojë atyre të mendojnë vetë. Të gjitha studimet do t’u tregojnë se sa më bashkëpunues dhe i personalizuar të jetë, aq më shumë rezultatet e studentëve do të përmirësohen.
Le të marrim një shembull: Si t’i mësojmë një fëmije 10 vjeç parimin e Bernoullit, i cili e merr emrin nga matematikani i famshëm i shekullit XVIII. Sipas këtij parimi, kur rritet shpejtësia, presioni ulet. Hipotezë pak “e thatë”. Tani çfarë ndodh nëse e lidh leksionin me yllin e futbollit Roberto Carlos, gjuajtja legjendare e të cilit lidhet në fakt me këtë parim?
Së fundmi, në sajë të dixhitalit, mund t’i ofrojmë mendimtarët më të mëdhenj çdo studenti, në të katër anët e botës, me një kosto shumë të ulët. Jashtë klasave, dixhitali tashmë e ka bërë këtë. Jo shumë kohë më parë, duhet të ishe i pasur për të dëgjuar një opera ose një simfoni të kryer mirë. Ndërsa tani për një dollar, ju mund të shkarkoni regjistrimin më të mirë botëror të koncertit tuaj të preferuar të Moxartit dhe mund ta dëgjoni sa herë të doni. Kështu, nëse një mësues në Britani ofron kursin më të mirë të historisë franceze, nuk ka asnjë arsye për mos t’ia vënë menjëherë në dispozicion secilit student në Francë, ose në Vietnam.
Reflektoni për një çast, nuk ka asnjë arsye pse një student në çdo vend të botës – në Pekin, Boston ose Berlin – të mos jetë në gjendje të ketë qasje tek fizikanti Stephen Hawking që shpjegon shkencën, tek historiani Andrew Roberts që shpjegon Churcillin, tek Nobeli për ekonominë Amartya Sen që shpjegon ekonominë etj. Të gjitha këto personalitete mund të integrohen në një kurs në të gjithë botën duke paguar çmimin aktual të shkarkimit të një kënge.
(Ekstrakt i fjalimit: “Edukimi: kufiri i fundit” të mbajtur dje nga manjati i mediave ndërkombëtare Rupert Murdoch në Forumit e G-8 në Paris). Përgatiti L. Lita