MASH: Si ta zgjidhni drejt shkollën e lartë
Ministria e Arsimit, në kuadër të këshillimit për karrierën, ka publikuar pak kohë më parë edhe një broshurë informative, që do t’u vijë në ndihmë maturantëve për të zgjedhur shkollën e lartë. Duke qenë se shkolla e lartë është një investim i madh për jetën, MASH këshillon që të bëni kujdes, si dhe çfarë duhet të dini që zgjedhja juaj të jetë sa më e drejtë. Kështu, për të qartësuar maturantët në plotësimin e formularit A1, MASH shpjegon se çfarë duhet të kenë parasysh të rinjtë për universitetet publike dhe private. Kështu, për shkollat e larta publike, maturantët duhet të kenë njohuri mbi programin e studimit, që duhet të përgatisë studentët për tregun e punës dhe për studime të mëtejshme. Nëse programi bën pjesë në profesionet e rregulluara, të diplomuarit, pas praktikës profesionale, i nënshtrohen provimit të shtetit, që zhvillohet jashtë shkollës së lartë. Profesionet e rregulluara janë: mjekësia, stomatologjia, farmacia, infermieri, mami, fizioterapi, mësuesia, arkitektura, veterinaria dhe inxhinieria. Përpara zgjedhjes: informohuni mbi programin e studimit; pyesni sa studentë diplomohen në këtë program dhe sa prej tyre janë punësuar; pyesni si zhvillohen provimet e lëndëve dhe si administrohen ato; pyesni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty, janë të transferueshme brenda ose jashtë vendit. Ndërkaq, maturantët duhet të interesohen dhe mbi profesoratin e shkollës. Shkolla e lartë duhet të ketë pedagogë të kualifikuar, me tituj “Master”, “Doktor”, “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”. Për këtë, njihuni me pedagogët e moduleve dhe kualifikimin e tyre; pyesni studentët aktualë nëse janë të kënaqur me pedagogët; pyesni për tekstet mësimore që përdorin pedagogët, dhe për çmimet e teksteve. Për të bërë një zgjedhje të drejtë, maturantët duhet të kenë informacione edhe për shkollat e larta private. Këto informacione kanë të bëjnë me statusin ligjor të shkollës së lartë dhe të programit të studimit. Shkollat e larta dhe programet e studimit duhet të jenë të licencuara me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Pas licencimit, shkollat e larta dhe programet akreditohen nga Këshilli i Akreditimit, me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Prandaj, përpara zgjedhjes: kërkoni nga shkolla e lartë: vendimin për licencimin e programit të studimit, si dhe urdhrin e ministrit për akreditimin e programit. Sigurohuni që programi i studimit të jetë i akredituar përpara lëshimit të diplomës. Klikoni gjithmonë faqen e internetit të APAAL www.aaal.edu.al dhe/ose (www.mash.gov.al), për të parë statusin ligjor të institucionit. Pyesni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty, janë të transferueshme brenda ose jashtë vendit. Pyesni nëse programi bën pjesë në profesionet e rregulluara. Interesohuni për mundësinë e punësimit pas përfundimit të studimeve dhe sa për qind e të diplomuarve në programin përkatës janë punësuar etj.