E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, emri i ndaluar për Bashën në Uashington

Share

Nga Mero Baze

Një nga zyrtarët më të rëndësishëm që mbulon çështjet e rajonit tonë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, është takuar me Lulëzim Bashën. Reeker është një zyrtar që ka rëndësi politike. Ai është për nga detyra zv.ndihmës Sekretari i Shtetit për Ballkanin dhe është i informuar në detaje për krizën shqiptare. Është pasardhësi në detyrë i Countryman, i cili tentoi të negociojë krizën pas vitit 2009. Lulëzim Basha, për të cilin në këtë rast është mirë të thuhet ka ftuar veten në Uashington, ka shpërndarë një deklaratë pas takimit, e cila ka një element shumë interesant: Nuk përmendet askund Sali Berisha dhe qeveria shqiptare. Kjo është e pazakontë, sidomos për nivelin e lartë politik të zyrtarit që ka takuar dhe për peshën politike të lartë që Lulëzim Basha ka në Partinë Demokratike në pushtet. Por fakti që për to nuk u fol publikisht, nuk do të thotë se nuk është folur.

Kur SHBA nisi ftohjen me Berishën në vitin 1996, i fundit ministër i tij, që priti në Uashington, ishte Safet Zhulali. Për shkak të marrëdhënieve të mira që ai kishte si përfaqësues i ushtrisë shqiptare me Pentagonin, Safet Zhulalit iu besua në një farë mënyre ti përcillte Berishës rrugën pa krye ku po shkonte Shqipëria me prishjen e zgjedhjeve, mosdëgjueshmërinë ndaj Perëndimit, kontrollin mbi institucionet dhe mungesën e lirisë së shtypit. Zhulali, i cili nuk linte rast pa thënë ndonjë fjalë edhe për Berishën kur kthehej nga SHBA, apo qoftë dhe nga ndonjë seminar në Garmish në Gjermani, ishte hera e parë që erdhi prej andej dhe nuk foli më, derisa më 13 mars të 1997, rrëmbeu një anije peshkimi, mori familjen dhe ia mbathi në Itali, duke akuzuar Berishën se po shkatërronte Shqipërinë. Ua thoshte të gjithëve me zë të ulët, siç e kishte zakon, gjënë e rëndë që i kishin thënë atje, por kurrë nuk e tha publikisht.

Fotoja e Bashës me Philip Reeker më ngjau e tillë pas takimit. Asnjë fjalë për Berishën, asnjë fjalë për qeverinë, disa fjalë të Bashës për punët e Bashkisë dhe një fjali pa tekst e Philip Reeker, që Basha është këtu, por unë do ta takoj dhe atje. Kjo gjuhë e drunjtë për të mos folur për Berishën dhe qeverinë shqiptare është marrëveshja për të mos folur për atë çfarë ndan SHBA nga pushteti në Shqipëri. Lulëzim Basha ka sens të takohet me Philip Reeker se është një figurë me peshë në PD. Nga ana tjetër Departamenti i Shtetit nuk është Autoriteti i Pushtetit Lokal që të presë bashkiakë, aq më tepër bashkiakë me mandat problematikë. Lulëzim Basha pra është pritur aty si një lajmës për Sali Berishën. Fakti që asnjëri dhe as tjetri nuk e përmendën Berishën dhe qeverinë e Tiranës pas takimit, do të thotë se qëndrimi amerikan ndaj Tiranës zyrtare është rënduar shumë, aq sa nuk mund të flitet më publikisht për të.

Shikoni takimet me këto nivele politike prej vitit 2005 dhe do të shikoni gjithmonë se ka një fjali që përshëndet reformat e qeverisë apo që inkurajon qeverinë të bëjë reforma, apo që përgëzon disa suksese në luftën kundër korrupsionit…, pra ka një retorikë që i referohet qeverisë. Është hera e parë që një përfaqësues me rëndësi i qeverisë amerikane për rajonin tonë, pret një person të rëndësishëm politik të shumicës në pushtet në Shqipëri dhe nuk flasin asnjë fjalë për profilin qeverisës të Shqipërisë.

Hamendjet se Lulëzim Basha ka shitur Berishën, apo amerikanët i japin atij zemër të kundërshtojë Berishën, janë të kota. Amerikanët mbi të gjitha nuk janë shumë në merak se kush do ta zëvendësojë Berishën, pasi nuk presin që në këtë vend të lindë Ahmedinaxhadi dhe të jenë frikësuar. Ata nuk kanë pasur në historinë e këtij vendi ndonjë partner më problematik se Berisha dhe në këtë aspekt as që u hyn në punë kush vjen pas tij, pasi kushdo që të vijë do të jetë pro-amerikan. Ata janë të shqetësuar, siç e tha Bob Hand, se Berisha nuk ka aftësinë e duhur për të drejtuar në mënyrë demokratike këtë vend dhe për këtë po i çojnë tashmë mesazhe publike dhe private. Lulëzim Basha është njeriu i duhur për ta marrë këtë mesazh. Ai është figurë e rëndësishme e PD dhe njeri konfidencial i Sali Berishës. Por dhe këtu ka një keqkuptim. Ai nuk ka guximin ti thotë gjithë të vërtetën Berishës, nëse e vërteta nuk i pëlqen Berishës. Ai mund ti bëjë gjëmën Berishës, jo duke bashkëpunuar pas krahëve ndaj tij, pasi as për këtë nuk ka guxim, por duke mos ia përcjellë deri në fund të vërtetën e hidhur atij. Vetë Berisha ia njeh këtë cilësi. E ka pësuar disa herë prej tij dhe me çështje delikate si rruga Durrës- Kukës, apo probleme të tjera negociatash siç ishte kufiri detar me Greqinë. Lulëzim Basha më shumë se sa lajmës, në këto raste për shkak të servilizmit të tij bëhet amortizator i peshës së hidhur që mesazhet e Perëndimit mbajnë për Berishën. Ai ia rrumbullakos, ia relativizon dhe në fund ia zbukuron mesazhet me qëllim që ti kthejë ato në merita të veta. Kjo është rruga më e mirë që e fut Berishën dhe më tej në spiralen e konfliktit me SHBA dhe Perëndimin, por Lulëzim Basha nuk e bën këtë si një tradhtar i Berishës, por si një servil i tij. Përfundimi do të jetë i njëjtë. Pas Berishës, të gjithë do mendojnë se Basha e ka bërë detyrën e tij, por në fakt ai thjesht do tia arrijë ditës të jetë dëshmitari i vetëm se si e ka fundosur Berishën nga dashuria dhe jo nga pabesia. Dhe ka për ti shijuar më shumë mbijetesa pas tij, kur gjysma të mendojnë se ky ia futi pas krahëve dhe ta adhurojnë, dhe gjysma tjetër të mendojnë se bëri ç’mundi të shpëtonte dhe prapë ta adhurojnë. Është mënyra si të merr më qafë dhe si ecën para, një i paaftë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›