Mund tju qeras me një teke emancipim? Jo, faleminderit!
Kjo pyetje besoj ka qenë e fshehur brenda mendjes së gjithë teleshikueseve gjatë shfaqjes së Kryeprokurores Ina Rama në emisionin Opinion. Ky mendim vjen në forma të ndryshme në mendjet tona, por burimi është i njëjtë, disa e simpatizojnë pa dashje dhe disa e urrejnë po pa dashje! Pikë së pari ky artikull përpiqet vetëm të japë një ide mbi njerëzit e thjeshtë dhe pa interesa: çfarë duan ata, çfarë ndjejnë ata kur shikojnë një femër në një pozicion aq të fuqishëm? Disa mund të fillojnë të skërmisin dhëmbët, e disa të tjerë të reflektojnë një buzëqeshje teksa shikojnë një femër në dukje të brishtë, por me aq shumë përgjegjësi në shpatulla.
Fushëbeteja e preferuar është ajo nëpër rrjetet sociale, ky është një vend nëpër të cilin mendjet tona të kompleksuara lëshohen disi më të lira nga forca e gravitetit të frikës së fjalës së lirë. Nëpër këto rrjete ne shikojmë mendimin e njerëzve të thjeshtë dhe jo të atyre që janë të prekur nga ndonjë interes i ndërthurur, interes që qoftë për një rrogë të thjeshtë në shtet, vret pa mëshirë dinjitetin në mes të ditës për diell. Megjithatë, çuditërisht edhe nëpër këto rrjete ku qarkullon pak më tepër fjala e lirë, ne shikojmë me habi që pozicioni jonë gjeografik nuk tregon aspak që zemra jonë i përket Europës. Kjo zemër gëzohet kur shtypen femrat e lira, por ama po kjo zemër nuk rebelohet kur ne na paraqiten, promovohen dhe na shtypin femra model kuçedër. Shumica e komenteve në rrjete sociale tallen me Ina Ramën dhe gëzohen me pseudonimin e tmerrshëm që ju vu asaj vetëm pak kohë më parë nga Kryeministri. Dhe fatkeqësisht autorët janë kryesisht femra.
Tradita jonë nuk e justifikon aspak këtë çallmë brenda mendjes tone. Ne dikur kemi pasur Mbretëreshë Teuta, Mbretëreshë Geraldina, figura femërore këto të padiskutueshme për sa i përket rrezatimit solid e dinjitoz të tyre. Sot, në 2012-tën, vit gojëdhënash katastrofike, çfarë kemi ne? Kemi Jozefinën dhe Mesilën, emra që menjëherë të sjellin në mendje Shilën dhe Karibden. Shila jep përditë shfaqje dhune verbale, të denjë për ndonjë fraksion militantësh në Rripin e Gazës, Karibda del në sallën e Parlamentit Europian, me veshje të diele paraditeje dhe flet me ton dhe gjeste, të cilat edhe me cipëtrashin e shtynë me faqet roze nga turpi, poshtë tavolinës!
Mbas disa bisedash me femra të cilat nuk e ndajnë me mua gëzimin e natyrshëm që më erdhi teksa pashë të shfaqej në ekran, aq dinjitoze, inteligjente dhe plot sharm Kryeprokurorja, një figurë e pushtetshme e llojit dhe gjinisë së tyre, me mendje ulërita disa pyetje: Çfarë bëjmë që ecim kaq fuqishëm mbrapsht?, Pse në 21 vjet kemi bërë kaq shumë regres, kur të tjerët veçse janë në progres?, Pse para 21 viteve punonim bashkë, shkonim në zbor me pushkë në krah së bashku dhe nuk talleshim me tjetrin?, Pse na është bërë punë e detyrueshme minimi i vlerave dhe i virtyteve?, Pse i hedhin një “Jo” të përbaltur sipër një femre që po mundohet me mish e me shpirt të bëjë sadopak drejtësi, në parajsën e kusarëve dhe manipulatorëve?
Përgjigja është e njëjtë për të tëra këto pyetje: individi i pa cikur nga interesi duhet të dojë të drejtën, të bardhën, të mirën, duhet të dojë lirinë, dinjitetin, duhet të dojë Perëndimin, mirësjelljen, mirënjohjen… Ai nuk duhet të dojë pabesinë, përbaltjen, ryshfetin, rrugën e lehte, vjedhjen dhe manipulimin!
