E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvin Murati: “Sherri” im me David Bekham

Nga Arben Shemili
Tifozët e kanë krahasuar deri me Maradonën, por më tepër se për numrat "alla Diego", Edvin Murati do të mbahet mend për golin e famshëm kundër Greqisë, si dhe për duelin "dhëmbë për dhëmbë" me një lojtar gjithashtu i famshëm, anglezi David Bekham. Një duel që vajti pothuajse në kufijtë e sherrit, me sharje e provokime nga të dy palët. Nëse krahasimi me kampionin argjentinas është një hiperbolizim bujar nga ana e tifozëve, nga ana tjetër Murati ka të drejtë të krenohet për atë cka bëri në stadiumin "St. James Parc" të Njukasëllit, në mbrëmjen e 5 shtatorit 2001, përballë kapitenit të "Tre luanëve". Është ndeshur edhe me kampionë të tjerë, si Luis Figo, Damien Daf, Robi van Persi, apo me "të keqin" Karsten Ramelov, por ajo që bëri bujë ishte pikërisht përplasja me Bekham, aq sa u prit me shumë kërshëri edhe takimi i dytë midis tyre, në ndeshjen Lilë-Mancester. Një takim që nuk u realizua kurrë, duke zhgënjyer pikë së pari gazetarët e tabloidëve anglezë, që s'e kishin menduar asnjëherë se dueli deri në kufijtë e sherrit midis numrit 7 të Anglisë me një lojtar shqiptar do të bëhej objekt i shkrimeve të tyre. NDESHJA- Anglia fluturonte në qiellin e shtatë. Vetëm katër ditë më parë kishte arritur fitoren më të madhe të saj, 5-1 në fushën e kundërshtares më të urryer, Gjermanisë. Nga ana tjetër, Shqipëria ishte mundur në fushën e saj nga Finlanda dhe takimi në Njukasëll pritej të ishte thjesht një formalitet i yjeve anglezë kundër "skuadrës së refugjatëve", sic u quajt nga "The Sun". Përballë kapitenit të Anglisë vendoset Murati. Anglezi luante në krahun e djathtë, shqiptari në të majtin, por nuk ishte ky shkaku i përballjes. Trajneri i atëhershëm, Sulejman Demollari, kujton se Murati në atë kohë ishte një nga lojtarët më në formë dhe për më tepër me karakter të fortë, cka bënte që të mos kishte probleme psikologjike nga detyra kundër Bekham, nën vështrimin e 50 mijë shikuesve. EMOCIONET- Duelin me Bekham Murati e kujton si një nga kulmet e karrierës së tij kuqezi. "Anglia vinte nga një fitore e paparë, 5-1 në Gjermani. Një skuadër e shkëlqyer, ndërsa Bekham ishte superylli i saj", kujton Edvini. "Trajneri Demollari më ngarkoi detyrën që të luaja kundër tij. Ndoshta isha me fat që luaja në krahun përballë tij, por nuk qe vetëm kjo. E konsiderova si një nder këtë detyrë, sepse të merrje përsipër mbulimin e një superylli si David Bekham ishte me të vërtetë privilegj për mua. Nuk ishte e thjeshtë ta mbuloje, sepse ai zotëronte klas, ishte i papërmbajtshëm". Nga ana tjetër, Murati nuk është nga ata lojtarë që në fushë të bën "komplimenta" dhe këtë e pranon pa ngurruar. "Që në fillim të lojës i dhashë "sinjale" se nuk do të kishte të bënte me një kundërshtar të dobët. Nuk kisha ndërmend ta toleroja dhe ia bëra të ditur", kujton Murati, i rrëmbyer nga vërshimi i kujtimeve. "Bekham ishte në kulmin e karrierës së tij, por edhe për mua ajo ndeshje ishte një kulm. E cilësoj ndër më të mirat që kam zhvilluar ndonjëherë". PROVOKIMET- Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Bekham u shpreh se "Murati më provokonte vazhdimisht. Disa vjet më parë do ta kisha goditur, por tani jam më i pjekur dhe nuk e bëra një gjë të tillë". Kapiteni i Anglisë i referohej reagimit të tij ndaj provokimeve të argjentinasit Simeone në botërorin France '98, kur kartoni i tij i kuq u konsiderua si shkaku i eliminimit të Anglisë. Sot Murati nuk e përgënjeshtron, nuk dëshiron të gjejë alibi, megjithatë sqaron menjëherë se as Bekham nuk ishte engjëll. "David Bekham mbetet ndër futbollistët më të mëdhenj, por mos kujtoni se u tregua i pastër në atë ndeshje", thotë Edvini. "Përkundrazi... Patëm shumë momente fërkimi. Natyrisht, kur luan përballë një lojtari të madh, nuk mjafton kurrë vetëm loja korrekte, por as ai nuk ishte i tillë. Unë përpiqesha t'i ndërhyja shumë shpejt, për të mos i lejuar kontaktin me topin. Ndërkohë, edhe si skuadër, ne po luanim mirë dhe kjo e nervozoi shumë. Kur e merrja unë topin, më godiste me shqelma, hapte krahët për të më penguar dhe më shante nëpër dhëmbë". Murati u ndëshkua edhe me karton të verdhë, të cilin nuk e konsideron si të padrejtë, por këmbëngul që edhe Bekham duhej ndëshkuar. "Bekham më tha disa herë "fuck you", "fuck off" e të tjera sharje. Natyrisht, as unë nuk i lashë gjë mangut", kujton duke qeshur Lusha. "Në një moment, kur loja kishte ndaluar, më gjuajti me top pas shpine. Unë ju ktheva me sharje dhe gjyqtari më ndëshkoi me karton të verdhë. Sharjet ndëshkohen, këtë e pranoj, por më erdhi cudi dhe keq që për Bekham nuk pati asnjë ndëshkim. Lojtarët e mëdhenj kanë edhe privilegje të tjera, mbrohen nga gjyqtarët". PENGU-Anglia fitoi 2-0, falë golave të shënuar nga Ouen dhe Fauler. Shifrat mënjanë, ishte një lojë mjaft e mirë e Shqipërisë. Për minuta të tëra, gjatë pjesës së dytë, topi ishte pronë e shqiptarëve teknikë, ndërkohë që anglezët pothuajse e humbën fillin. Murati e kujton me krenari atë ndeshje, por e ka edhe një peng: "Në një moment kujtova se shënova golin e barazimit. E dërgova topin në trekëndësh, por Siman fluturoi dhe me gishta e nxori në korner. U tregua vërtet portier i madh. Gjynah, sepse luajtëm mirë, por goli i dytë i dha fund gjithckaje". Krenaria-Përsa i përket Bekhamit, Murati nuk ka pasur asnjë ndjenjë armiqësie, si sot, ashtu edhe atëherë: "Përplasjet në fushë janë të zakonshme midis lojtarëve. Ishim pothuajse në prag të sherrit, sepse që të dy e ngacmuam dhe e provokuam njëri-tjetrin, por gjithcka mbetet brenda fushës. Duelin me të tani e kujtoj vetëm si një pikë kumore të karrierës sime dhe ndeshjen me Anglinë si një nga më të mirat për mua". Komenti i Demollarit/ Bekham meritonte karton të kuq Ndeshja me Anglinë ishte më e rëndësishmja për mua si trajner i Kombëtares shqiptare. E mbaj mend si tani. Anglia ishte skuadër yjesh, por edhe ne zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, iu përgjigjëm me dinjitet dhe lojë cilësore. Murati luante në krahun e majtë, Anglia kishte Bekham nga e djathta. Për fatin tonë të mirë si skuadër, Edvini në atë kohë gëzonte një formë të shkëlqyer, ishte ndër më të mirët e Kombëtares, në kulmin e karrierës. I thashë që të luante me përqendrim maksimal kundër Bekhamit, sepse vetëm kështu mund të kishte sukses në një detyrë aq të vështirë. Për të gjithë ne ishin momente emocionuese dhe Murati nuk bëri përjashtim. Unë kam qenë vetë futbollist dhe di ta dalloj gjendjen shqipërore të lojtarëve. Vura re që Murati e priti me emocione detyrën për të mbuluar me cdo kusht Bekham, por jo me frikë apo shqetësim. Kjo më krijoi edhe mua përshtypjen se ai do të luante sic duhej dhe nuk u zhgënjeva. Midis tyre u zhvillua një duel i fortë, disa herë edhe duke i tejkaluar ca rregullat, por kështu ndodh në futboll. Për mua, më i keqi nga të dy u tregua Bekham. Nëse Murati e meritoi kartonin e verdhë, Bekham meritonte të kuqin, por skuadrat e mëdha favorizohen. Ishte pa dyshim një provë pozitive e tij, këtë e them me bindje të plotë. Dueli që nuk u zhvillua "Disa vjet më parë do t'i isha kundërpërgjigjur, por tani jam më i pjekur dhe nuk iu përgjigja provokimeve të tij", tha Bekham. Kush dreqin ishte ky Edvin Murati, që për pak sa nuk u shndërrua në një tjetër "Diego Simeone" për "Kapiten Fantastikun"? Ishte shqiptar dhe luante në Francë, me Lilën. Për median angleze po bëhej gati historia e radhës. Vetëm dy javë më pas, Bekham dhe Murati do të viheshin përsëri përballë, këtë herë në Ligën e Kampioneve, kur Mancester Junajtid do të priste Lilën. "Një duel interesant, që do të përsëritet pas dy javësh në "Old Trafford". Të shohim si do të shkojë këtë herë midis tyre", shkruante "The Mirror". Për fat të keq nuk ndodhi. Murati sot kujton se nuk ishte vetëm shtypi anglez, por edhe ai francez që prisnin me interesim. "Por ja që trajneri im te Lila, Vahid Halilhoxhic, nuk e pa të arsyeshme të më aktivizonte. Më tha se ishte për arsye taktike, i duhej të ndërtonte një skuadër shumë mbrojtëse, sepse Mancesteri ishte superfuqi", kujton Murati. "Po a nuk ishte edhe Anglia superfuqi përballë Shqipërisë? Unë mund t'i përshtatesha më së miri lojës mbrojtëse, duke bllokuar Bekham, por pata përshtypjen se trajneri u tregua paksa sfidues dhe kryenec karshi gazetave franceze që shkruanin për duelin e ri midis meje dhe Bekham". "Hakmarrja" ndaj Halilhoxhic Në fund të sezonit 2001-2002, Lila arriti të renditej në vendin e tretë në kampionatin francez dhe siguroi për herë të parë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Një sukses fantastik për skuadrën modeste, e kthyer prej vetëm dy sezonesh nga liga e dytë. "Ndërsa festonim në dhomën e zhveshjes, e bëra qull me shampanjë Halilhoxhicin. Më pa si me bezdi dhe më tha me kunjë se i prisha kostumin. "Do të blej një të ri", iu përgjigja", kujton Murati, i cili me të qeshur shton: "Ia bëra me qëllim, por edhe ai e kuptoi. E nxora pak inatin që kisha". E rrallë. Historia me policin Murati nuk luajti në ndeshjen e parë me Anglinë, luajtur në Tiranë, më 28 mars 2001. Lojtari kujton: "Isha i pezulluar, me dy kartonë të verdhë. TV Klan më ftoi për të komentuar ndeshjen që e transmetonin direkt dhe unë pranova. Kur shkova në stadium, një punonjës policie nuk më lejoi të hyja, edhe pse unë kisha kartën identifikuese të FSHF-së. E pyeta policin se cila ishte arsyeja që nuk më lejonte të hyja, kur unë isha lojtar i Kombëtares dhe me dokument identifikimi. "Nuk më do qejfi", m'u përgjigj. E pashë që ishte e kotë, ai nuk logjikonte fare në ato momente. Vjen Artan Shyti dhe më jep biletën e tij, falë së cilës hyra në stadium. Një vit më pas, isha përsëri në Tiranë. Mora taksi për të shkuar diku. Shoferi i taksisë u kthye nga unë dhe më tha: "Ti je Edvin Murati". Pohova, pa ndonjë habi, sepse ne futbollistët njihemi nga ata që janë tifozë. Por habia erdhi më pas. "Unë jam ai polici që nuk të lashë të hyje në stadium në ndeshjen me Anglinë", më tha duke qeshur. U habita vërtet, por tani edhe për mua ishte histori për të qeshur. E falënderova për sinqeritetin, ndërkohë që edhe ai më kërkoi ndjesë". GOLAT FINLANDA- Murati shënoi golin e parë të Shqipërisë për eliminatoret e Botërorit 2002. Në ndeshjen e humbur 2-1 në Finlandë, ai shënoi golin e barazimit të përkohëshëm 1-1. Më pas u dëmtua nga një faull brutal, cka e la dy muaj jashtë fushave dhe i prishi shumë marrëdhëniet me klubin e Lilës, sa herë që e thërriste Kombëtarja. ZVICRA-Në ndeshjen e parë për eliminatoret e Euro 2004, Murati shpëtoi kuqezinjtë nga humbja. Miqtë kryesonin 1-0 në "Qemal Stafa", në një mbrëmje me shi. Shqipëria fitoi një goditje të lirë në krahun e majtë, larg portës dhe askush nuk priste gjuajtje në portë. Por, një gjuajtje si Roberto Karlos dhe 1-1 përfundimtar. GREQIA-Minuta e dytë kundër kampionëve të Evropës, në ndeshjen për eliminatoret e botërorit 2006. Kacuranis përpiqet të evitojë goditjen nga këndi dhe e dërgon para portës. Murati e nuhat dhe me një zhytje të guximshme në këmbët e mbrojtësve shënon golin që coi gjithë Shqipërinë në delir. Më pas edhe Aliaj, për fitoren historike 2-1. SHIFRAT E EDVINIT 62- Edvin Murati ka luajtur 62 herë me Kombëtaren e Shqipërisë, që nga viti 1999 deri në vitin 2007, kur u largua për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin Oto Baric dhe disa dëmtimeve të vazhdueshme. 6- Në 62 ndeshjet e tij me kuqezinjtë, Murati ka shënuar gjashtë gola, disa prej të cilëve të paharruar. Shënoi kundër Zvicrës e Greqisë, por edhe dy në fitoren në turneun "Rothmans", i vetmi trofe pas viti 1946. Burimi: "PANORAMA SPORT"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›