Memelli: Pres nje ftese nga Ari Han per Arabine Saudite

Migen Memelli ishtë ndër emrat që e befasoi jo pak trajnerin e ri të Kombëtares, holandezin Ari Han, gjatë grumbullimit 11 ditor në Antalia të Turqisë dhe shpreson së do të jetë një ndër të thirrurit e ndeshjes miqësore të Shqipërisë kundër Arabisë Saudite. Sulmuesi i skuadrës suedeze Gais shënoi edhe dy golat për Shqipërinë (B) në miqësoren e vetme të Shqipërisë kundër Kazaskyn, një skuadre nga Kazakistani i largët.
ARABIA SAUDITE – Shqipëria do të luajë, më 21 mars miqësoren e parë kundër Arabisë Saudite, një datë kjo jo e lirë nga FIFA, ku priten të mungojnë shumë lojtarë titullarë, dhe më pas në 26 mars, Shqipëria do të udhëtojë drejt Moldavisë për miqësoren e dytë. Memelli, i cili edhe një vit më parë u thirr në zborin e Antalias nga ish-trajneri Oto Baric e më pas për miqësoren e shkurtit me Maqedoninë, u impenjua maksimalisht gjatë fazës përgatitore. "Isha në gjendje shumë të mirë fizike dhe besoj se trajneri (Han) ka mbetur i kënaqur me angazhimin dhe seriozitetin tim në Antalia. Kundër Arabisë? Shpresoj të më thërrasë, pasi edhe ne në atë kohë nuk e kemi filluar kampionatin në Suedi", - tha për "Albania-sport", Memelli. "Gol ndaj Arabisë? Do të më jepte shumë kënaqësi".
GOLAT - Ish-sulmuesi i Elbasanit shënoi një numër të madh golash në ndeshjet testuese brenda grupit, por të dorës së parë ishin pa dyshim ato kundër skuadrës nga Kazakistani, Kazaskyn (2-2). Migeni kujton edhe dy golat në miqësore, dy gola të realizuar brenda më pak se dy minutash, cka treguan edhe klasin dhe phekurinë e lojtarit shqiptar që prej tre sezonesh luan në Skandinavi. "Për golin e parë e mora topin nga Andi Lila, vrapova me shumë se 30 metra, driblova portierin dhe shënova. I dyti, është një aksion model i skuadrës. Veliaj më dha topin, unë e pasova te Agolli,i cili krosoi dhe realizova golin që mbylli pjesën e parë në fitoren tonë (2-1)" – thotë ish-sulmuesi i Bran Bergenit.
MIQËSORJA - "Të dielën (3 shkurt) do të zhvillojmë një ndeshje miqësore me skuadrën daneze, Brondby", - thotë ish-sulmuesi i Bran Bergenit në Norvegji. "Shpresoj të luaj nga minuta e parë, pasi jo vetëm kam treguar seriozitet në stërvitje dhe kjo më jep edhe një koinfidencë me veten. Trajneri edhe pse po ndjek pak a shumë të njëjtën logjikë stërvitje dhe taktike si ai mëparshëm, me kundërzbritje është treguar shumë i afërt me mua. Kjo dhe për faktin se ai është vetëm 31 vjec". Më parë, trajneri ka qenë lojtar i Djudgarden dhe IFK Goteborg. Kampionati suedez fillon më 30 mars, ndërkohë që më 4 mars GAIS do të kryejë një fazë përgatitore 10 ditore në Portugali, ku janë parashikuar edhe disa ndeshje kontrolli.