E Diel, 1 Nëntor 2026

Takim me Xhejms Berishën, njeriun që bën lobing për njohjen e Kosovës së Pavarur

19-03-2012 / Nga Eden Babani. Foto Asllan Krasniqi

Të dëgjosh tek flitet për një shqiptar me emër, për përkushtimin e tij atdhetar, për bëmat në dobi të Çështjes Kombëtare, është kërshëri. Ta njohësh për së afërmi, të pish me të një kafe dhe të bisedosh goja-gojës, është më shumë sesa kërshëri. Është njëherësh edhe befasi, edhe emocion, edhe krenari. Befasi, sepse nuk të takon shpesh të njihesh me të tillë njerëz. Emocion, ngase ndjenjat t’i nxit kërshëria. Krenari, sepse merr prej tij frymëzim kombëtar. E tillë ishte njohja me Xhejms Berishën, njeriun që ka fluturuar si zog anekënd rruzullit tokësor për të sensibilizuar opinionin botëror lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Takimi i papritur me të më lumturoi te s’e prisja. Ndërsa po punoja për një shkrim, vëmendjen prej ordinatorit ma tërhoqi telefonata e shokut tim fotograf, Asllan Krasniqi. Në sheshin me emrin Luksemburg, na priste miku ynë i përbashkët, Gani Azemi, Ministër Këshilltar i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës. Sapo kishte kaluar ora 17. Ilir Nikolla, kryeredaktori i 55-s, nuk të fal po s’ia dërgove shkrimin para orës 19. E hedh në kosh të plehrave ose e mban për kushedi se kur. Shkrimit tim, mund t’i humbiste aktualiteti, po t’ia nisja të nesërmen. Asllanit, iu përgjigja paksa me përtesë. Atë pasdite? Dhe ku, pa, në Place du Luxembourg, bash në atë orë, kur atje mbretëron mishmashi njerëzor! Asllani nuk u dorëzua. E di me kë është?... Me Xhejms Berishën, – më pyeti dhe u përgjigj vetë njëherësh. U dorëzova. Shkrimi le të priste të nesërmen. Të gjesh një vend për të parkuar veturën në rrugët që i bashkohen Sheshit Luksemburg, ose në afërsi të tij, është thuajse e pabesueshme. Vendosur në kuartierin europian të Brukselit, rrethuar prej Parlamentit të Europës, prej institucioneve të ndryshme të Bashkimit Europian që lidhen me të, ose me institucione të tjera belge a të huaja, hyrja në shesh, ku kryqëzohen disa linja autobusësh urbanë dhe ku qarkullojnë qindra vetura e automjete të tjera, kërkon vullnet dhe bërryla të fortë. Për të parkuar veturën, na ndihmoi i Madhi Zot, papritur e pakujtuar. Për të çarë mes njerëzve të të gjitha moshave, të cilët pinë birrë trotuareve të gjera, në këmbë a ulur në tryeza të vogla ngjitur njëra me tjetrën, na ndihmuan bërrylat, sidomos ata të Asllanit, si më i ri, më i shkathët e më i fortë. Të them se kaluam përmes një turme të pakalueshme mitingashësh, nuk do të më besonte kush, po të mos e provonte vetë. Megjithatë, ia vlente të shtyheshe dhe të çaje asisoj. Gani Azemi dhe Xhejms Berisha kishin zënë vend në brendësi të njërës prej kafeneve të shumta rreth e përqark Sheshit. Përjashta, ishte e pamundur të gjeje qoftë edhe një karrige, për shkak të motit të butë të asaj pasditeje. Njohja me Xhejmsin, rrodhi aq natyrshëm, sa më çliroi nga emocionet që më kishin pushtuar prej më se një ore. Nuk e dija se fliste shqip. Emri, fotot që kisha parë, mosha dhe shtetësia amerikane, më kishin shtyrë të besoja se ishte bir i ndonjë emigranti të hershëm kosovar në SHBA. Shqipja e tij e pastër e dialektit verior, me timbër të dukshëm të së folmes së kosovare, ishte e papritura e parë. Djaloshi kosovar, të cilit nuk ia vlerësova dot moshën aty për aty, për shkak të gjallërisë që e karakterizon, nuk më la kohë të vrisja mendjen. Vendlindjen e ka lënë qysh më 1988, ndërsa po ndiheshin lëkundjet e para të tërmetit që do të rrafshonte Murin e Berlinit. Në Zvicër, u arsimua. Në Australi dhe, më pas, në SHBA mori licencat e nevojshme si pilot privat, madje edhe si instruktor. Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt 2008, e priti me idenë që të bënte diçka, lidhur me njohjen e shtetit të ri në shkallë të përbotshme. Një vit më vonë, në shkurt të 2009-s, filloi parapërgatitjet për misionin “Fluturoj për Kosovën” (Flying for Kosovo). Berisha tregon thjesht për parapërgatitjet, thua se parapërgatitej të ndërmerrte një udhëtim të çfarëdoshëm prej një qytetit, në një tjetër. Në tregimin e tij, është e pamundur të gjejë njeriu qoftë edhe një grimë mburrjeje. Dhe, megjithatë, kupton se duhej parashikuar gjithçka në imtësi, që nga fondet e domosdoshme, te avioni, te ngjyrat e tij, tek emër i Misionit shkruar për anash anglisht dhe spanjisht “Fluturoj për Kosovën”, deri te vaksinat e te ilaçet e nevojshme. Sepse Misioni, përpos që do të ishte i gjatë në kohë dhe në hapësirë, do të kishte bashkudhëtar të përhershëm riskun. Pas katër muaj parapërgatitjesh këmbëngulëse, kryesisht me financimet e veta, Berisha ndërmori fluturimin e parë në maj të 2009-s, në drejtim të vendeve të Amerikës Latine. Prej asaj kohe, deri sot, Misioni “Fluturoj për Kosovën” ka marrë shtrirje të gjerë dhe mbështetje te të gjithë bashkatdhetarët, kudo ku punojnë e jetojnë, në trojet etnike a në diasporë. Prej asaj kohe, deri sot, zogu lajmëtar i shqiptarizmës ka kryer mbi 300 orë fluturime, në mbi 95 shtete dhe në të pesë kontinentet. Të gjitha, me një avion të vogël katërvendësh CESNA 172 i vitit 1966, me fuqi motorike 145 kuaj/fuqi. Përfundimi: sensibilizim i padiskutueshëm i opinionit botëror për Çështjen Kosovare, njohje të njëpasnjëshme të pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme. Ndërsa dëgjoja këto të dhëna me shifra befasuese për një lobin pa precedent në historinë botërore, pyetjen nuk ma mbajtën dhëmbët. Risku? Pata dëgjuar për arrestimin e tij në Eritre, pas një aksidenti të ndodhur në Sudan, në maj të 2011-s. Pata ndjekur edhe shtypin e atyre ditëve, që fliste për përpjekjet e pareshtura të Ambasadave tona, 24 orë në 24 orë, lidhur me lirimin e misionarit të Pavarësisë së Kosovës. Por kur i perceptova faktet dhe shifrat përmes fjalës së Xhejms Berishës, modestia e tij m’u duk e pavend. Pesë muaj e dy ditë i burgosur në një vend të cilin Shoqata “Reporterë Pakufi”, që prej 2008-s e në vazhdim, e ka renditur të fundit mes vendeve me liri të kufizuar të fjalës së lirë, dhe, megjithatë, të tregosh aventurën tënde pa emocione, thua se tregon çka ke bërë dje pas pune, është vërtet e pabesueshme! Pa avokat, pa komunikim me botën e jashtme, pa ballafaqim me drejtësinë, në një vend të rrënuar për shkak të dasive ndëretnike e ndërfetare, akuza e vetme ishte: “agjent i CIA-s”. Prova e vetme: një fotografi e tij me Bill Klintonin, gjetur në internet! Do të kishte vdekur për mungesë ushqimi, sikur të mos e kishin ndihmuar të burgosurit vendas, duke hequr diçka prej atyre që u sillnin familjarët e të afërmit dhe duke ia dhënë shqiptarit nga Kosova. Ushqimi i burgut të afronte më pranë vdekjes sesa uria, tregon Berisha. Por, si kudo në botë, edhe në atë burg e Asmanas, kishte pasur njerëz të mirë që e ndihmuan të mbijetonte, ndonëse shumë syresh kishin vite e vite të tëra burgimi, pa kurrfarë akuze, pa kurrfarë gjykimi, pa kurrfarë shprese për t’u liruar një ditë. Në Eritre, nuk kishte hyrë si klandestin, por me dokumente të rregullta, për të marrë një motor avioni në Asmana, kryeqytet i vendit, pas një incidenti që i pati ndodhur në Sudan, ndërsa fluturonte nga Port-Sudan, në Khartum. Kishte fluturuar më shumë se gjysmë ore si zog i lirë sipër shkretëtirës sudaneze, me motor të shpërthyer, në 2800 m lartësi. Kishte dalluar një rrugë shkretëtire dhe ishte lëshuar në të. Fati e kishte ndihmuar të haste një automjet që  kalonte andejpari një herë në javë. Sudanezët, punëtorë të një miniere, e ndihmuan ta zhvendosnin avionin mbi një kamion, deri në pistën e minierës. Aventura në Sudan do të vazhdonte deri ditën kur mori lajmin se motori, ndonëse i vjetër, ishte nisur për në Asmana. E arrestuan ditën që do të nisej me gjithë motor për në Sudan. Lajmi për arrestimin e Xhejms Berishës u përhap sakaq dhe bëri bujë të madhe anekënd globit. Personalitete të larta shqiptare do të ndërhynin përmes kanaleve diplomatike dhe private për lirimin e tij. Behgjet Pacolli do të takonte në mjediset e OKB-së kryetarin e shtetit të Eritresë dhe, më në fund, ditën e lirimit, pas plot pesë muaj e dy ditë, do të udhëtonte në Asmana për ta marrë Xhejms Berishën me  avionin e vet personal... Siç thashë, misioni “Fluturoj për Kosovën” është një lobin që s’ka precedent në histori. Në shenjë mbështetjeje të gjestit të tij atdhetar, Xhejms Berishën e kanë pritur personalitetet më të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Në Tiranë, atë e ka pritur Kryeministri Berisha, Presidenti Topi, Kryetarja e Parlamentit Topalli, Kryetari i Bashkisë së Kryeqytetit Basha, etj. Xhejms Berisha ka ndërmarrë këto ditë një udhëtim privat në Europë, kryesisht në Londër, në Bruksel dhe në Bernë, për të siguruar fonde financiare në funksion të vazhdimit të mëtejshëm të Misionit. Çështja e njohjes së Kosovës së Pavarur, thotë ai, është e madhe, e përmasave mbarëkombëtare. Unë do të shtoja se avioni me të cilin Berisha përhap anekënd botës mesazhi shqiptar, ndonëse i vogël, nuk fluturon me ujë, do karburant. Rasti fatlum që më njohu me këtë shqiptar të madh, përkushtuar pakufi shqiptarizmës, më dha në dorë mua shansin e rrallë, por modest, që, përmes gazetës 55, t’u bëj thirrje  bashkatdhetarëve me thënien lapidare të Nolit “Jepni për Nënën”. Koha po punon për ne, për Nënën Shqipëri në kufijtë e saj etnikë. Çështja Shqiptare po shkon drejt zgjidhjes së saj përfundimtare. Asaj nuk i shërbejnë nisma protestash aspak largpamëse, siç pamë jo shumë kohë më parë një nismë të mbështetur edhe prej kuqezinjve të Spahiut. Ato i shërbejnë acarimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë, e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare, ngjallin mosbesim ndaj aftësive të Kosovës së Pavarur dhe u hapin udhë pikësynimeve antishqiptare të serbomëdhenjve. Çështjes sonë i shërbejnë mesazhet atdhetare të Xhejms Berishës, të cilat zgjatin listën e shteteve që kanë njohur deri sot Kosovën e Pavarur. Kalaja ashtu bëhet, gurë-gurë. Edhe Kosova ashtu do fitojë besimin e vendeve që nuk e kanë njohur hë për hë: ca nga ca, por ditë për ditë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›