“Edvin Rama nuk mund të pengojë integrimin e Shqipërisë”
Flet Jozefina Topalli
Kryetarja e Kuvendit, duke i uruar suksese dhe jetë të shëndetshme fëmijëve të gjithë Shqipërisë, tha se ata ndihen tashmë të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, sepse fëmijët shqiptarë kanë shpirtin, mendjen dhe zemrën evropiane.
Gëzimin dhe harenë fëminore të 1 Qershorit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e përjetoi dje mes fëmijëve të Shkodrës, një qytet me traditë unike për festimin e kësaj dite.
Në një atmosferë të veçantë festive, vogëlushët, nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit së bashku me prindërit dhe qytetarë të tjerë të Shkodrës, mikpritën kryetaren e Kuvendit në një spektakël të pasur artistik dhe sportiv.
Topalli i përgëzoi fëmijët për vitet e lumtura dhe me fat që po jetojnë në Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe në prag të heqjes së vizave.
"Këta fëmijë, tha Kryetarja e Kuvendit, do të kenë mundësi të lëvizin të lirë në Evropë, dikur një ëndërr për prindërit e tyre, por tashmë afër realitetit, falë reformave, punës dhe guximit të jashtëzakonshëm të çdo shqiptari".
Kryetarja e Kuvendit tha se vendimi historik i KE-së, rekomandimi për heqjen e vizave me Shqipërinë, është një premtim mbajtur i qeverisë.
Ajo tha se e tashmja dhe perspektiva e sigurt evropiane e fëmijëve nuk mund të pengohet nga askush dhe me këtë rast kryetarja e Kuvendit lëshoi një apel për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
"Kanë qenë 9 muaj, në të cilët Edvin Rama ka bërë çdo përpjekje që të mos arrihej 27 Maji, dita, në të cilën komisionerja Malstrom u tha shqiptarëve se "është merita juaj, se ju keni bërë një punë të madhe, një punë të fortë, keni bërë një punë të jashtëzakonshme", tha ajo.
"I them Edvin Ramës nga ky qytet, që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër nga regjimi komunist, se nuk mund të kthehen më as bllokmenët e vjetër, as bllokmenët e rinj, të cilët mund të pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë", u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.