Berisha paralajmëron me burg për gjenocid Ramiz Alinë: Gjenocid me masakrën e Tivarit
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha akuzon ish-Presidentin e fundit të regjimit komunist, Ramiz Alia si përgjegjësi kryesor për masakrën e Tivarit, madje i kujton atij faktin se Shqipëria e ka ende ligjin kundër gjenocidit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i maxhorancës tha se Alia është i përfshirë në masakrën ku mbetën të vrarë rreth 4300 kosovarë. Sipas Berishës, masakra e Tivarit është e krahasuar me atë të Katinit, ku ish- diktatori i Bashkimit Sovjetik, Stalini, ekzekutoi rreth 22 mijë anëtarë të elitës së Polonisë. “Për të mos hyrë pastaj në kapitullin më të zi të këtij xhelati, së është xhelat, gjer sa nuk zbërthehet për masakrën e Tivarit. Dhe Parlamenti duhet të qëndrojë për masakrën e Tivarit. Ne jemi vend që kemi në fuqi ligjin kundër gjenocidit. është përgjigjur për disa krime, duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit. Masakra e Tivarit është krimi më monstruoz i kryer në gadishullin e Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një Katin i dytë dhe është bërë gjithçka me dijeninë dhe miratimin e tij”, u shpreh kreu i Qeverisë. Berisha iu referua ish-Presidentit Ramiz Alia, i cili sipas Kryeministrit ishte i vetmi që mbështeti Edi Ramën gjatë grevës së urisë. Kreu i maxhorancës akuzoi Alinë si diktatorin e fundit, por ndër më të ligjtë e regjimeve komuniste në të gjithë Evropën Lindore. Sipas Kryeministrit, ai është përgjegjës edhe për ekzekutimin e Llambi Ziçishtit, ish- ministër i Shëndetësisë. “Dëgjoni se është mjaft interesante. Në qoftë se nuk e përkrahu kush në vend dhe në botë këtë vendim dhe këtë akt të zotit Rama, një njeri e përkrahu publikisht atë dhe ky ishte Ramiz Alia, diktatori i fundit. Por nga ana tjetër, dua të them dhe ndër më të ligjtë e diktaturës. Pse e them ndër më të ligjtë? Jo se ata ishin burra të mirë, por se ky ishte një vrasës tinëzar i tyre. Po, që nga rinia e tij, ky ka ngrënë njëri pas tjetri, me spiunllëqe dhe me padi, inteligjencën shqiptare dhe ndonjë tek-tuk, siç është rasti i Llambi Ziçishtit, që e çoi para skuadrës së pushkatimit, për fajin e vetëm se tha: Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë!”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Kryeministri akuzoi edhe pak ditë më parë ish-Presidentin dhe kreun e PS-së, Edi Rama, lidhur me grevën e urisë që kishte nisur opozita. Duke folur në një nga ditët e grevës, Berisha tha se “zotit Edi Rama i kërkoj këtu, duke i respektuar plotësisht protestën, të mos tentojë të mundojë qytetarët e Shqipërisë, duke u dalë përpara rrugëve. Të puthet tri herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë, sepse ky është rregulli”.
çfarë është “Masakra e Tivarit”
Masakra e Tivarit është mbase faqja më e errët e historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim të kësaj lufte, mijëra të rinj kosovarë u dërguan për në front, duke kaluar edhe nëpër territorin shqiptar, dhe teksa mbërrijnë në Tivar të Malit të Zi, sot Bar, rrethohen dhe masakrohen masivisht nga ushtarë serbë e malazezë. Numri i të vrarëve në këtë masakër sipas burimeve të ndryshme sillet në shifrat nga 1700 deri 4300.
Pikë mbledhja e këtyre rekrutëve para se të dërgoheshin në front u caktua Prizreni. Deri këtu ata u shoqëruan nga oficerë shqiptarë. Por në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi, të ndarë në tri grupe.
Grupi i parë prej 3 700 vetësh u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4 700 vetë u nis më 26 mars dhe marshoi për katër ditë në itinerarin Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët serbë gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për të shuar etjen. Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt mes katër shqiptarëve dhe rojeve, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Gjithë të tjerët, të zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtrinë në tokë, ndërkohë që kjo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave. Pra kosovarët u gjenden të rrethuar. Më pas shumica e tyre u urdhërua të shkojnë drejt ndërtesës “Monopoli i duhanit” ku filluan të shtënat. Një raportim drejtuar Misionarit anglez Hadson më 1946 në këtë kohë e fiksonte numrin e të vrarëve në 1670. Grupi i tretë me 2 700 vetë u nis me 27 Mars 1945. Pas arritjes në Dubrovnik, një grup prej 800 vetash u helmua në rrethana të panjohura pas vendosjes në një depo baroti.
Të mbijetuarit e masakrës besojnë se numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit për në “Frontin e Adriatikut” është gjithsej 4 300 veta.
Varreza masive e Masakrës së Tivarit është zbuluar vetëm pas 50 viteve, më shtator 1996, nga historiani shqiptar, Prof. Dr. Zekeria Cana.
Alia: Përse u nxitua që unë të vihesha në vend të Enver Hoxhës
Në librin e tij ta sapobotuar “Jeta ime”, Ramiz Alia, ish-sekretari i Parë i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së dhe njëkohësisht pasuesi i Enver Hoxhës, ka një mendim tijin për mundësinë e ndryshimit radikal të politikës së komunistëve shqiptarë përpara nisjes së lëvizjes studentore. Sipas Alisë, vetëm Enver Hoxha kishte personalitetin e duhur për të na hapur me botën, pra vetëm ai kishte fuqi të tilla që kjo të ndodhte pa u shoqëruar me pasoja. Kjo është bindja e Ramiz Alisë dhe ai kështu e shkruan në librin e vet me kujtime. Ka të ngjarë që e vërteta të jetë kështu, por ka edhe shumë të ngjarë që Alia të vijë në këtë përfundim vetëm sepse ai vetë është akuzuar se, në vitet menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës, ngurroi apo nuk i ndërmori këto hapa duke trumbetuar “vazhdimësinë e rrugës së Enverit”. Në të njëjtin libër Ramiz Alia shpjegon edhe orët pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe i jep përgjigje edhe pikëpyetjes se përse u nxitua që ai të zinte vendin e Enver Hoxhës.
Ramiz Alia
Vitet '80-të, Shqipëria i filloi me një barrë vështirësish. Në fakt, aty nga fillimi i viteve '80-të, në zhvillimin ekonomik, filloi të vihet re stanjacioni. Për pasojë, jo vetëm nisi të pengohet ndërtimi i veprave që ishin në proces, por edhe të zvogëlohej mundësia për investime të reja, aq të domosdoshme për rritjen e ekonomisë.
Kështu, shteti e ndiente që po i konsumoheshin energjitë, por edhe njerëzit nuk jetonin si më parë, bile filloi "shtrëngimi rripit".
Shteti shqiptar, hyri në këtë dekadë me duar të lidhura. Që nga viti 1976, ai trashëgonte një Kushtetutë, e cila mbyllte çdo shteg për të marrë kredi nga bota dhe për të thithur investime të kapitalit të huaj. Përditë e më shumë, bëhej e qartë se nuk mund të ecej përpara vetëm "me forcat tona". Ishte e domosdoshme që të gjendeshin rrugët e daljes nga kjo situatë.
Në këtë kohë, kur në vend dukeshin shenjat e një krize ekonomike dhe politike, më 11 prill të vitit 1985, pas një goditjeje në zemër, e cila nuk ishte e para, vdiq E. Hoxha.
Vdekja e E. Hoxhës, ndodhi në një kohë kur në botë po ndihej era e ndryshimeve, që nxiste nevojën e integrimit dhe jo izolimin, që paralajmëronte shuarjen e vatrave të tensionit dhe jo shtimin e konflikteve.
Shqipëria kishte nevojë për këtë klimë, prandaj duhej të lëvizte dhe ta shfrytëzonte atë për të dalë nga vështirësitë ku gjendej. Vdekja e Enverit, e vështirësoi më shumë problemin, sepse veç tij, që gëzonte një personalitet të padiskutueshëm, kushdo tjetër e kishte tepër të vështirë të merrte përsipër flakjen tej të pengesave që ekzistonin dhe që i mbyllnin vendit çdo shteg drejt botës.
Vdekja e E. Hoxhës, sigurisht shkaktoi një tronditje të thellë psikologjike në popull, duke pasur parasysh se E. Hoxha gëzonte një respekt e një dashuri të veçantë dhe se masat e gjera popullore, kishin tek ai një besim të patundur. Njerëzit, që gjate 50 vjetëve ishin mësuar ta shihnin dhe ta dëgjonin në raste të shumta, në gëzime e në hidhërime, thoshin se ai ishte i "pavdekshëm".
E. Hoxha, ishte udhëheqësi i Shqipërisë së re. Nuk kam ndërmend të bëj biografinë e tij, por dëshiroj të theksoj disa momente, duke pasur parasysh se, lidhur me figurën dhe rolin e tij, Janë thënë e thuhen shumë të pavërteta, shpifje e insinuata.
Duke lëshuar rrufetë kundër E. Hoxhës, armiqtë e vendit tonë shprehnin urrejtjen ndaj vetë Shqipërisë së re. Një pjesë e tyre, nuk donte të pajtohej me faktin që Shqipëria tashmë nuk ishte çiflig i bejlerëve të dikurshëm, por i përkiste popullit. Të tjerë, nuk duronin që, ky vend i vogël i Ballkanit, të zhvillohej i lirë dhe i pavarur në rrugën që kishte zgjedhur. Disa, ëndërronin ta nënshtronin ose ta copëtonin dhe ta përdornin atë për interesat e tyre...
Dihet se, në histori, nuk ka pasur dhe nuk ka revolucione të pastra. çdo revolucion, në rrugën për arritjen e qëllimeve të veta, ka pasur gabime dhe ekstremizma të ndryshme. Nga ana tjetër, dihet se çdo njeri gjatë jetës së tij bën gabime, të vogla ose të mëdha, sipas vendit dhe rolit që luan në shoqëri. Pa i pasur parasysh këto të vërteta, nuk mund të analizohet me objektivitet figura e E. Hoxhës. Nga ana tjetër, duhet pasur parasysh se E. Hoxha, u rrit bashkë me sistemin që u vendos në Shqipëri pas çlirimit. Dhe, këtë sistem, nuk e krijoi ai, sipas dëshirës së tij, megjithëse ka vënë në të edhe vulën e personalitetin e tij. Nga kjo pikëpamje, E. Hoxha nuk paraqet një fenomen të veçuar "shqiptar". Gjysma e Evropës, gjatë pesëdhjetë vjetëve, është qeverisur nga lider të këtij lloji. Duke mos i bëre një analizë të veçantë psikologjike këtij fenomeni, dëshiroj të theksoj se disa faktorë, sidomos "lufta" që i bënin jugosllavët, duke filluar që nga "prapaskena" e Beratit; dhe më pas sovjetikët (që të dy palët kërkonin likuidimin e tij), kanë lënë gjurmë tek E. Hoxha dhe kanë luajtur një rol përcaktues në mjaft vendime të tij. Synimet jugosllave, por edhe qëndrimet e Hrushovit më pas, nxitën tek E. Hoxha psikozën e dyshimit. Zhvillimi i ngjarjeve, e justifikonte plotësisht idenë e tij fikse se Jugosllavia, bashkë me Hrushovin, donin ta gllabëronin Shqipërinë, ose se Perëndimi imperialist, punonte për ta përmbysur pushtetin popullor. E keqja është se kjo frymë, këto dyshime, jo pak herë, janë shtrirë edhe ndaj ndonjë kuadri drejtues në Parti, që mund të ketë rënë në gabime politike, por që nuk ka qenë armik i regjimit.
Unë, gjatë 20 viteve të fundit, siç dihet, duke punuar si Sekretar i KQ të Partisë, kam pasur kontakte shumë të ngushta me E. Hoxhën. Këto kontakte, kishin të bënin me problemet e sektorëve që unë drejtoja në KQ të Partisë, por në mënyrë të veçantë, me çështjet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet tona me botën e jashtme.
Gjatë kohës që kam bashkëpunuar me E. Hoxhën, unë e kam parë atë në gjendje të ndryshme shpirtërore, sipas rrethanave që kalonte vendi, por edhe të gjendjes së tij shëndetësore.
Enver Hoxha që nga viti 1946, vuante nga sëmundja e diabetit, ndërsa në vitin 1973, pësoi infarktin e parë në zemër. E. Hoxha ishte, në kuptimin e plotë të fjalës, burrë shteti dhe diplomat me urtësi të rrallë. Në bazë të politikës së jashtme të Shqipërisë së re, ai vuri parimin e ruajtjes së sovranitetit të plotë kombëtar. Ai ngulte këmbë që Shqipëria të kishte zërin e saj të pavarur, që ajo t'u dilte zot drejtpërdrejtë interesave të saj, pa "kujdestare", pa të tretë. Ai, që në fillim dhe vazhdimisht, ka udhëhequr luftën diplomatike për t'i siguruar shtetit të ri shqiptar një status të barabartë me shtetet që morën pjesë ne koalicionin e madh antifashist botëror.
Në fillim, pas përmbysjes që ndodhi në vitin 1990, mjaft "politikanë" të rinj, deklaratat për ekzistencën e armiqve të jashtëm të Shqipërisë, theksoheshin në kohën e monizmit, i quanin "psikozë komuniste". Ka nga ata, që e vënë në dyshim synimin titist për të bërë Shqipërinë Republikë të 7-të të Jugosllavisë, që e quajnë "përrallë" dërgimin e diversantëve, veçanërisht gjatë viteve 1945-1955, sipas një plani të përgatitur së bashku nga agjencitë e spiunazhit anglez e amerikan etj. Kategoria e "inatçinjve" antikomunistë, nuk u bind as kur në libraritë tona filluan të dalin librat e ish-oficerëve anglezë si D. Smajli e Xh. Emeri, ose të S. Dorril etj. , të cilët shpjegonin me hollësi dhe jepnin edhe emrat e diversantëve që kishin përgatitur e dërguar për të përmbysur pushtetin ekzistues në Shqipëri. Ndoshta janë bindur tani së fundi nga deklarata e Kryeministrit anglez Toni Bler, i cili tregoi se, gjatë viteve '50-të, "ata dështuan në përpjekjet e tyre për të rrëzuar pushtetin në Shqipëri"....
"Përse u nxitua që unë të vihesha
në vendin e Enverit"
Në mbledhjen e parë të KQ të Partisë, e cila u mbajt më 12 prill të 1985, unë u zgjodha si Sekretar i Parë i PPSH, pra në vend të E. Hoxhës. Përpara tre vjetësh, në dhjetor të vitit 1982, nga Kuvendi Popullor isha zgjedhur Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Këtë funksion e mbajta edhe pas zgjedhjes në krye të Partisë.
Më kanë pyetur se përse u nxituam që, ende pa u bërë varrimi i E. Hoxhës, u bë zgjedhja e zëvendësuesit të tij. Nuk ka asnjë sekret. Edhe në atë kohë, u diskutua kjo çështje. Unë, isha i mendimit që kjo gjë të bëhej me që të kishim mundësi të bënim edhe një analizë të thelluar të gjendjes dhe të detyrave në këtë stad të zhvillimit.
Por, shumica e shokëve, ngulën këmbë që të bëhej zgjedhja e Sekretarit të Parë menjëherë, për të mos i lënë shteg propagandës së huaj për të hedhur hipoteza të ndryshme, që mund të çorientonin opinionin publik.
Caktimi në detyrën e Sekretarit të Parë, nuk ishte i papritur, as për shokët, as për mua. Në fakt, qëkur u zgjodha si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke ruajtur edhe funksionin e Sekretarit të KQ, për të gjithë ishte e qartë se, efektivisht, isha zëvendës i E. Hoxhës. Prandaj nuk pati asnjë keqkuptim, ose kontestim, nga ndokush, jo vetëm në organet drejtuese të Partisë, por as në njerëzit jashtë radhëve të saj.
Për mua personalisht, detyra që m'u caktua ishte shumë e rëndë. Të tillë e kam parë që në fillim dhe të tillë e gjykoj edhe sot. Së pari, unë isha larg dimensioneve të E. Hoxhës, si nga pikëpamja e personalitetit dhe e ndikimit të tij në masat popullore, ashtu edhe nga pikëpamja e përvojës dhe e njohurive të tij të përgjithshme.
Së dyti, koha kur m'u ngarkua detyra e udhëheqësit të Partisë dhe të Shtetit, ishte tepër e veçantë, si për sa i përket gjendjes së brendshme, ashtu edhe gjendjes ndërkombëtare.
Që në fillim, bile edhe sa ishte gjallë Enveri, jo vetëm nevoja e kapërcimit të vështirësive në të cilat gjendej vendi, por edhe klima në botë, veçanërisht ndryshimet që po ndodhnin në Evropën Lindore me ardhjen në pushtet të Gorbaçvit, sugjeronin nevojën e rishikimit dhe të lëvizjes së mjaft gjërave nga politika e mëparshme.
Ishte e domosdoshme (që të bëheshin disa ndryshime, të cilat do të preknin, si marrëdhëniet brenda vendit, politikën dhe prioritetet ekonomike të zbatuar deri atëherë, ashtu edhe orientimet parësore të politikës së jashtme.
Pra, për t'i dhënë impulse zhvillimit ekonomik, duheshin korrigjuar disa gabime që ishin bërë, sidomos në drejtim të bujqësisë, të jetës në fshat. Për sa i përket politikës së jashtme, duheshin hedhur hapa në drejtim të hapjes së vendit, si me Lindjen, ashtu edhe me Perëndimin.
Kam qenë i ndërgjegjshëm se, për të çuar përpara proceset e zhvillimit dhe për gjetjen e rrugëve më efektive, ishte i domosdoshëm të vihej në lëvizje mendimi krijues i të gjitha shtresave të shoqërisë dhe, në mënyrë të veçantë, i inteligjencës, e cila tashmë, përfaqësonte një kontingjent me peshë në vendin tonë.
Shpesh socializmi akuzohet si mbytës i demokracisë.
Padyshim, në socializëm nuk lejohej mendimi kundër, pra qëndrimi opozitar dhe institucionalizimi i tij. Por, në sistemin e organizatave të masave, ku përfshiheshin të gjithë qytetarët e vendit, të rinj, punëtorë, burra e gra, ekzistonin mundësitë për shprehje të mendimit, jo vetëm miratues për vijën e partisë, por edhe kritik ose sugjerues
Edhe kjo është shprehje e demokracisë. Jo rrallë nëpër organizata të ndryshme, si edhe ne faqet e shtypit, ka pasur sugjerime dhe kritika lidhur me veprimtarinë e organeve të ndryshme të partisë dhe të pushtetit.
Megjithatë, i kritikueshëm është qëndrimi që mbanin mjaft drejtues të partisë, sidomos në organet lokale, të cilët "mbysnin" edhe këtë mundësi të shprehjes së lirë të mendimit. Jo një herë, pas vitit 1985, në diskutimet e mia në udhëheqjen e Partisë dhe me kuadro drejtues, kam theksuar se, pa debat konstruktiv, pra pa shprehje të lirë të mendimeve, nuk mund të ketë përparim të vendit...