Opozita rikthen çështjen “Fazlliç”
Erald Kapri
Raportimi i Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, në Komisionin e Ligjeve për inspektimet e kësaj ministrie, për punën e Prokurorisë, është kthyer në një seancë hapje dosjesh nga deputetët. Anëtarët e opozitës kanë kërkuar shpjegim nga ana e Ministrit Nishani, për çështjen ndaj biznesmenit boshjako-britanik, Damir Fazlliç. Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri kujtoi se në kohën e ndjekjes së kësaj çështje, Ministria e Drejtësisë nisi një inspektim ndaj çështjes dhe prokurorëve. "Si qëndron e vërteta ndaj inspektimit për prokurorët që hetuan Damir Fazlliç? A keni marrë masa administrative ndaj dy inspektorëve dhe a keni nisur një procedim penal ndaj prokurorëve?", pyeti ministrin deputeti i PS-së, duke shtuar se ky inspektim ishte një kamxhik politik ndaj prokurorëve. Ministri Nishani iu përgjigj duke thënë se asnjëherë nuk është kërkuar ndjekje penale ndaj prokurorëve të çështjes, ndërsa në çështjen "Fazlliç", ai tha se ajo tashmë është mbyllur me vendim gjykate. "Rasti që ju referuat ka qenë një hap brenda të gjithë tagrit ligjor, që inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë i takon. çështja që ju i adresoheni me emër, është një çështje e gjykuar. Bindja dhe filozofia jonë politike është zbatimi i vendimit të gjykatave", tha ministri Nishani. Por në këtë debat ndërhynë edhe deputetët e tjerë të komisionit, veçanërisht dy ish-ministrat e Drejtësisë, Ilir Rusmali dhe Enkelejd Alibeaj. Ish-ministri Alibeaj, i cili ka qenë ministër në kohën e procedimit të çështjes "Fazlliç", e cilësoi si një ndërhyrje politike të opozitës mbi këtë çështje. "Mora shkak nga konstatimet e zotërinjve të opozitës, që mesa duket janë ende në kurthin politik, për shkak të mungesës së argumenteve të tyre juridike për analizimin e raportit, i qëndrojnë ende konstatimeve të vjetra politike", tha Alibeaj, duke shtuar se ai inspektim ishte ligjor.
Kryeprokurorja
Në përfundim të raportimit të Ministrit të Drejtësisë për raportin e inspektimit, deputeti i PD-së Saimir Tahiri kërkoi që në Komision të rikthehet Kryeprokurorja Ina Rama, për të folur për inspektimet e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tij, një gjë të tillë e parashikon edhe ligji për Prokurorinë por edhe rregullorja e Kuvendit. "Të thërrasim dhe njëherë Prokuroren e Përgjithshme të japë gjykim e saj mbi inspektimin, pasi kjo çështje nuk është aq e thjeshtë. Ndaj dhe komisioni i shërben të dëgjojë edhe njëherë Prokuroren e Përgjithshme. Mos na vini në provë, pasi ne mund ta firmosim një kërkesë të tillë", tha Tahiri. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga deputetët e djathtë, pasi sipas tyre, Kryeprokurorja Ina Rama i është referuar këtij raporti të ministrisë, për punën e Prokurorisë për vitin 2009. "Po të lexojmë me kujdes raportin e prokurorisë, Prokuroja e Përgjithshme është shprehur për raportin e Ministrisë së Drejtësisë", tha deputeti i PD-së, Eduard Halimi. Ndërsa deputeti tjetër Enkeljed Alibeaj tha se ligji nuk e detyron kryeprokuroren që të raportojë. "është Prokurori i Përgjithshëm që ka të drejtë dhe jo detyrim që të bëjë një objeksion ndaj Ministrit të Drejtësisë. është në të drejtë të Prokurorit të Përgjegjshëm dhe jo detyrim", tha Alibeaj.
Debati në Komision
Sajmir Tahiri: Unë po ju kujtoj rastin 'Fazlliç", kur inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë sulmuan befas zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke kërkuar dosjen hetimore. Ju kujtoj se ky inspektim i paligjshëm nga Prokuroria ndërsa ju thatë se do të nisnit një procedim penal ndaj prokurorëve. Në vlerësimin tonë inspektimi është shndërruar në kamxhik politik ndaj atyre që kanë guxuar të hetojnë çështje të korrupsionit elital, veçanërisht ndaj ministrave. Si qëndron e vërteta ndaj inspektimit për prokurorët që hetuan Damir Fazlliç? A keni marrë masa administrative ndaj dy inspektorëve dhe a keni nisur një procedim penal ndaj prokurorëve?
Bujar Nishani: Mund t'u them se në asnjë rast inspektimet e Ministrisë së Drejtësisë nuk kanë qenë të pabazuara në ligj dhe në asnjë rast jashtë tagrit që ligji vet jep. Në respekt të interesimit tuaj, ju siguroj se ish-ministri i Drejtësisë në atë rast nuk ka deklaruar asnjëherë se do të niste një hetim penal ndaj prokurorëve të çështjes. Deklaratat kanë qenë nga ish- ministri i Brendshëm, përmbajtjen e së cilës mund t'ua sqaroj, por jo në këtë sallë. Në rastin që ju sillni, unë po e përmbyll me një konkluzion që vjen nga një eksperiencë e gjatë e ministrisë, që marrëdhëniet mes prokurorisë e ministrisë janë marrëdhënie korrekte, institucionale e kushtetuese. Unë e mirëkuptoj konkluzion tuaj politik, por jashtë emocioneve politike, marrëdhëniet me institucionet do të mbeten brenda kuadrit institucional e kushtetues.
Sajmir Tahiri: Zoti ministër ju falënderoj që më mirëkuptoni, por unë ju bëra pyetje konkrete për çështje konkrete. Ju bëra një pyetje për një çështje, e cila është konsideruar si skandal i madh i Qeverisë. Unë dua të di nëse inspektimi është keqpërdorur nga ekzekutivi politikisht, për të intimiduar prokurorinë për të mos hetuar Damir Fazlliç? Duke qenë se vetë prokuroria e ka cilësuar si të paligjshëm inspektimin dhe politik, mund t'ua sjell edhe deklaratën e prokurorisë, ndërsa ju keni deklaruar se do të nisni një hetim ndaj prokurorive. Dua të di si ka ecur inspektimi për këtë dosje?
Ilir Rusmali: Ministri ju dha me korrektësi përgjigje për të dyja çështje, duke bërë edhe korrigjimet, duke thënë se veprimet i kam bërë unë si Ministër i Brendshëm. Tani ju po më thoni që t'i themi ministrit të përgjigjet dy herë për të njëjtën pyetje.
Bujar Nishani: Ju siguroj zoti Tahiri, por edhe të gjithë deputetët, që nuk ka pasur dhe nuk do të ketë rast intimidimi ndaj prokurorisë. Rasti që ju referuat ka qenë një hap brenda të gjithë tagrit ligjor, që inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë i takon.
Sajmir Tahiri: Po çfarë ka rezultuar nga ky inspektim?
Bujar Nishani: Po jua them. çështja për ju i adresoheni me emër, është një çështje e gjykuar. Bindja dhe filozofia jonë politike është zbatimi i vendimit të gjykatave.
Enkelejd Alibeaj: Mora shkak nga konstatimet e zotërinjve të opozitës, që mesa duket janë ende në kurthin politik, për shkak të mungesës së argumenteve të tyre juridike, për analizimin e raportit, i qëndrojnë ende konstatimeve të vjetra politike. Realizimi i inspektimit, edhe në kohën kur kam qenë ministër, është bazuar në dy shina. Zbatimi i ligjit që u miratuan me konsensus edhe nga opozita, por edhe me profesionalizëm, duke hequr ata njerëz që militonin në Ministrinë e Drejtësisë dhe duket se ka rezultuar një veprimtari e suksesshme, pasi këta njerëz militojnë sot edhe në Komisionin e Ligjeve.
Sajmir Tahiri: Ke mall të kthehesh si ministër tani?
Enkelejd Alibeaj: Ta tregoj edhe ty ministrinë...së dyti të shuaj kërshërinë e zotit Tahiri për rastin konkret...
Sajmir Tahiri: Ti nuk e bën dot
Shegushe Ligori: Zoti kryetar, ai nuk mundet të kthehet nga ne. Të bëjë pyetje nga ministri, jo nga ne.
Enkelejd Alibeaj: Për rastin konkret mund të sqarojmë pa emisione politike. Inspektorët në respektim të ligjit, me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, kanë verifikuar mënyrën, rregullshmërinë se si regjistroheshin çështjet penale. Kaq.
Nishani: Raportet me Prokurorinë, korrekte
Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani i cilësoi raportet mes ministrisë e Prokurorisë si korrekte e institucionale. Gjatë raportimin në Komisionin e Ligjeve për inspektimin e Prokurorisë nga Ministria gjatë vitit 2009, Nishani tha se tashmë ka një eksperiencë të mirë raportesh mes dy institucioneve. "Nga një eksperiencë e gjatë e ministrisë, që marrëdhëniet mes prokurorisë e ministrisë janë marrëdhënie korrekte, institucionale e kushtetuese", tha Nishani. Ai tha më tej se Ministria e Drejtësisë ka rekomanduar marrjen e masave rigoroze, për disiplinimin e afatit të hetimeve nga Prokuroria.