Edvini braktis garën pa nisur fushata – veç për këtë herë na duket një kontribut për demokracinë
Tashmë është edhe zyrtare. Edvini është kapur nga paniku dhe s’guxon të dalë në fushatë elektorale, për të drejtuar socialistët e për të hequr dorë nga detyra vendore, të cilën e mban thuajse të uzurpuar, prej thuajse 9 vjetësh. Në një takim informal me mediat, pasi këtë vendim jetik për karrierën e vet politike ai s’mundi t’ua deklaronte as kalecëve të vet në Asamblenë Partiake, Edvini shpalli se s’do të ishte deputet e do të synonte të ishte njëkohësisht edhe kryeministër, edhe kryetar i bashkisë së Tiranës. Në kushtetutë është e shkruar e zeza mbi të bardhë se pozicioni i kryeministrit është i papajtueshëm me asnjë pozicion tjetër, përveç atij të deputetit dhe këtë e di mirë edhe Edvini, por ai tashmë ka marrë vendimin që të korrë ç’të korrë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të mbledhë ato thërrime mandatesh, që sipas disa përllogaritjeve nuk do ta kalojnë numrin 30 dhe të mbajë pozitën e kryetarit të bashkisë, të paktën edhe dy vjet të tjera, me shpresa se privatizimi i Grupit Parlamentar do t’i mundësojë të mbajë edhe poltronën e kryetarit të PS-së, në sajë të një interpretimi të statutit të kësaj partie.
Burime pranë Asamblesë së PS-së thanë për gazetën “55” se largimi i Edvinit nga Partia Socialiste do të ndodhte veç nëse rezultati zgjedhor do të ishte më i keq sesa ai i zgjedhjeve të shkuara, pra më i vogël sesa 10 përqindëshi i proporcionalit të regjistruar në 2005 (rrjedhojë e zbatimit në masë të Dushkut të famshëm). Merret vesh se socialistët do ta hanin turpin me bukë, në rast se rezultati do të ishte më i mirë edhe për sa u përket numrit të deputetëve, pra të kalohej qoftë edhe me një mandat numri 42 i mandateve të marra në 2005. Në këtë rast, Edvini do të ishte ballëhapur për të deklaruar me cinizmin e vet se ishte bërë përpara e që sigurisht në vitin 2013 ai do të mund të përfundonte aksionin e bashkimit të frontit “përtej së majtës e së djathtës”, e të pretendonte me të vërtetë të merrte pushtetin. Deri atëhere, aksionet financiare do të jenë kalcifikuar e Edvini me të vërtetë do të ketë krijuar partinë ylberiste që dëshiron. Edvini dje doli hapur por rezistenca e falangave të vjetra socialiste po verifikohet të jetë e dobët. Fatos Nano po kontakton në heshtje njerëz për të margjinalizuarit e PSV’91-it, ndërkohë që Islami, Fino, Sherifi, Malaj e të tjerët po hanë thonjtë me dhëmbë se janë vonuar shumë e se tashmë kanë mbetur në mëshirën e kryetarit të PS-së, i cili me Ermira Koço Danajn dha prova se do të jetë i pamëshirshëm me ata që nuk gëzojnë simpatinë e tij.
Drama socialiste pritet të luhet brenda pak ditësh e po ashtu edhe emrat e “dëshmorëve” do t’i dimë shumë shpejt, por paraprakisht kemi marrë vesh se Edvini është shumë i zënë për të larë “rrobat e pista” brenda gardhit të vet dhe s’e ka shumë mendjen që të synojë pushtetin. Po verifikohet ajo që Sali Berisha e cilësoi disi me cinizëm si rastin e paprecedentë kur po më fusin në fushatë pa asnjë rival përballë. Për klimën demokratike do të ishte një precedent jo i shëndoshë, por duke marrë parasysh faktin se Edvini po përfaqëson një fluks thellësisht apatrid, antiNATO e antiintegrim, për këtë herë më mirë që po ndodh kështu. Prandaj, le ta lëmë Edvinin të përfundojë në qetësi luftën civile brenda PS-së. “Dëshmorët” e rastit nuk i ndihmojmë dot.
...