E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuhësi/Të shmangim, së paku, gabimet e përhapura

Në rrugën “Komuna e Parisit”, në kthesën e dytë, majtas, me pallate të larta në të dy anët e saj, ka shumë tabela reklamash tregtare, kafesh, dyqanesh ushqimore, pastiçerish etj. Por ajo që të tërheq më tepër vëmendjen është një tabelë mjekësore, e mbajtur në shtyllë të emaluar, me lartësi afër tre metrash, me gjerësi sa hapja e krahëve. Ç’është e vërteta, paraqitet nga më estetiket. Është shkruar me shkronja të dukshme e të bukura. Duket se është shpenzuar shumë për  këtë reklamë mjekësore. Është një reklamë për një klinikë të rëndësishme. Nënkuptohet se institucioni përbëhet nga intelektualë profesionistë.

Po riprodhojmë, pa luajtur presjen, ç’është shkruar në këtë reklamë, vërtet të bukur në pamje: “Klinika e Syve Evropiane (European Eye Clinic), Istambul-Tirane. Tre emërtesa me plot gabime thelbësore. Dëshiroj të bëhem i kuptueshëm për nxënësit e 9-vjeçares: Nëse mësuesi do t’i pyesë këta, për shembull, nëse kanë kuptim të njëjtë këto dy fraza: Dyqani i mollëve jeshile dhe Dyqani jeshil i mollëve, - jam i bindur se nxënësit, në pjesën më të madhe, do të përgjigjen saktësisht: jo! Shprehja e parë bën fjalë për një dyqan me mollë jeshile. E dyta përcakton një dyqan të lyer në ngjyrë të gjëlbër, me mollë (mollët mund të jenë jeshile, të  kuqe ose të verdha).

Pra, Klinika e Syve Evropiane është një përkthim i gabuar i togfjalëshit në anglisht. Do të duhej: Klinika Europiane e Syve. Arsyeja është se kjo klinikë turko-shqiptare nuk kuron apo nuk operon vetëm sy europianë! Ajo, siç kuptohet, u vjen në ndihmë pacientëve shqiptarë. Dhe është një klinikë e specializuar europiane. Pra, mbiemri europiane është në korrelacion me Klinikën.

Parimi është: kuptimi i saktë duhet të jepet nga fraza, jo të vijë nga konteksti. Kjo do të thotë se, duke u përjashtuar logjikisht kuptimi i parë, mbetet vetiu varianti tjetër, domethënë nënkuptohet se është fjala për klinikë europiane dhe jo për sy europianë!

Tani, pasi pamë keqkuptimet në domethënie, le të merremi me disa vërejtje të tjera, që kanë të bëjnë me gjuhën dhe me drejtshkrimin.

Së pari, duhet shkruar Evropë, evropian apo Europë, europian? Sipas kodit drejtshkrimor është “e saktë” e para. Nga ana tjetër kemi edhe parimin se në një gjuhë të standardizuar nuk mund të shkruhet jashtë njësimit, sa pa u sanksionuar ndryshimet në një Konferencë gjuhësore, apo në një Kongres gjuhësor. Megjithatë në këtë fjalë, dhe vetëm në këtë, duhet bërë një përjashtim. Mendimi i hershëm i gjuhëtarit Mehmet Çeliku është, pa dyshim, i drejtë. Sipas tij nuk mund të thuhet euro dhe, njëherësh Evropë. Kjo kundërthënie mund të zhdukej po të mund të shkruhej evro, për monedhën europiane. Po cili e përdor kështu këtë fjalë? Kjo përdoret vetëm në greqisht dhe në rusisht. A mund të themi “organizatë evroatlantike” për NATO-n? Ama kjo nuk do të thotë se, ata që e respektojnë njësimin gjuhësor, mund të bien në shpërdorime të tjera; sepse, kështu, do të binim në një anarki gjuhësore.

Së dyti, është kritikuar rëndshëm heqja e ë-së dhe zëvendësimi i saj me e-në. Është një shpërfillje e pafalshme e radhitësve. Ende s’e dinë këta se nuk ka asnjë mundim që të mos zhdukin zanoren me denduri më të madhe në krahasim me të gjitha shkronjat e alfabetit tonë (ë-në)? Mund të shkruhen qindra faqe dhe të gjitha e-të (që shkruhen për ë-në, të konvertohen në ë, brenda 10 sekondave.

Para disa rreshtave kemi shkruar shkrimet tona. Por, ama, shkruhet hapat tanë, hapa të mëdhenj (jo të mëdha). Ne Fjalorin e shqipes së sotme, f. 406 (1984), jepet shembulli hapa të shpejtë (jo të shpejta). Shkruhet vende europiane (jo europianë. Si ta dallojmë këtu se fjala duhet me mbarim më ë dhe jo më e?). Sikur të kishte kuptim ajo syte europiane (duke iu kthyer tabelës së klinikës), do të duhej të shkruhej sytë europianë. 

*  *  *

Le të vërehet se në rreshtat e fundit fjalët shkrim~i, vend~i, hap~i, syr~i, janë të gjinisë mashkullore, në njëjës. Por në numrin shumës dy të parat shoqërohen me mbiemra të gjinisë femërore, kurse të dytat me mbiemra të gjinisë mashkullore (shih „Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, f. 110, botim i 1973-shit). Pra: tri shkrime, këto shkrime. Tri vende, këto vende. Por: tre hapa, këta hapa. Sy të zes, këta sy, ... etj. Në këto raste bëhen mjaft gabime.

Probleme të tjera

Nga sa thamë, duhet të nxjerrim disa përfundime dhe duhet të japim disa shembuj të tjerë. Këtu nuk kemi të bëjmë me çështje të ndërrimit të bazës së gjuhës, gjë e pamundur, tashmë. As me përtëritjen e mangësisë në cungimin e pasurisë së leksikut të pasur verior, që po bëhet pareshtur, në detyrën e domosdoshme të ristrukturimit të gjuhës, që do të sanksionohet zyrtarisht në një kodifikim të ri. E kemi fjalën për një shformim të ndjeshëm që vërehet në mjaft shkrues, nga mosdija. Këta, në një pjesë jashtëzakonisht të madhe, janë të etur të shkruajnë, por ua lënë korrektorëve dhe redaktorëve qortimet e gabimeve të tyre. Si të thuash, janë të ndërvarur. Janë të pakët ata që kanë ambicien fisnike që të jenë të pakorrigjueshëm. Do të merremi, pra, jo me disa gabime të rastit, por me gabime të përhapura.

Ajo albitër për arbitër nuk po gjen ende karar nëpër mjediset sportive. Mungesa e njohjes së gjuhëve neolatine dhe mospërdorimi i fjalorëve ndikon për keq në këtë gabim. Nuk besoj që ndonjë jurist ta gabojë fjalën arbitrazh. Por nuk kuptohet se arbitër dhe arbitrazh janë në ndërlidhje.

Nuk po ngulmojmë që fjala start të zëvendësohet detyrimisht me fjalën nisje në aktivitetet sportive të vrapimit. Ajo ka zënë vend edhe në fjalorët e vendeve të tjera. Por sevdallinjve të neologjizmave nuk u duhet vetëm emri, por edhe folja: Startoj, startoi. “Nga fjalët e para startoi një grindje grushtesh” shkruan një “i ditur” në një reportazh të shëmtuar! Mendoni një dialog ndërmjet burrit e gruas, të dy injorantë me kulturë të madhe(!): - Ku është djali, o bashkëshort? – Startoi për në shkollë”! (“Borgjezi fisnik”  i Molierit është me vlerë të madhe edhe sot). Le të përfytyrojmë se aty kishte ardhur edhe një bashkëfshatar i këtij çifti interesant: - Oh, po sa gjuhë dini ju, mër jahu! – Dimë ca italionçe, por llafet shqipe i dimë me gramatikë!- thotë burri. (Fshatari ngrihet të shkojë, se u mërzit). Gruaja i thotë: - Ta bona ‘i herë prezent (përkthim: ta thashë edhe një herë), me i bo të fala robve”...

Që të mos kuptohemi keq: dialektet janë të çmuara. Trilusa është bërë i famshëm, për veprat e tij (poezi e prozë), në gjuhën romanjole. Po ashtu edhe te ne kanë bërë emër Mustafa Greblleshi (Liu i Cakut) dhe Mithat Araniti (Rrem Vogli), në dialekt. Veçse ata më sipër këtyre që sapo përmendëm, nuk dinë të shkruajnë. Madje, as të flasin!

Tani, që po flitet shumë për ekonominë, ka folës (spiker) që fjalën koncesion  e përdorin, si pa të keq, me dy n: koncension! Ka shoqëri koncesionare. Koncesion përdoret edhe për lëshim, nga ata që nuk i shmangin dot fjalët e huaja. Por, sidoqoftë, me një n.

Sa për fjalët istikt, instikt, istinkt, instinkt, vetëm njëra prej tyre është e saktë. Këtu gabimet janë të shumta. Për saktësinë e përdorimit, në këtë rast të ndihmon më tepër frëngjishtja se italishtja. Kjo e fundit nuk e përdor n-në në fjalët si istituto (institut), istanza (instancë gjyqësore në shkallë të lartë), istituzionlale (institucional). Në të katër fjalët që përmendëm në fillim, e fundit është e saktë: instinkt.

Po përmend dy fjalë të tjera, të cilat hyjnë, - po ashtu, - në gabimet e përhapura: Befotrof  dhe infakt. Mbase për vështirësi shqiptimi, këto janë të dyja të gabuara. E para duhet shkruar brefotrof (it. brefotrofio = shtëpi e foshnjës). E dyta shkruhet infarkt (it. infarto).

Pra, jo si e kam të lehtë për ta shqiptuar. Por: si është në origjinë. Gjuhëtari ynë i shquar, Eqrem Çabej, ka përgatitur një pjesë të madhe fjalësh, me kuptimin etimologjik të tyre. Tani kjo punë e gjuhëtarit tonë të madh duhet plotësuar nga pasardhësit, që të kemi edhe ne një fjalor etimologjik të gjuhës shqipe.

Është shumë i përhapur edhe një përemër pronor i shformuar, që është jashtë fjalorit. Mendimi jonë, vendi jonë, djali jonë, libri jonë...në vend të mendimi ynë, vendi ynë... etj. (Shih f. 1372 të  Fjalorit të shqipes së sotme (1984). Kaq e vështirë qenka për të thënë: Vajza jonë, djali ynë? Duket se qenka i vështirë (më saktësisht, i mangët), kujdesi ynë për gjuhën!

Me rastin e zgjedhjeve përdoret mjaft fjala koalicion. Por ka edhe nga ata që e përdorin: kualicion!- që s’përmbahet as në fjalorët tanë, as në fjalorët e gjuhëve neolatine!

Për ta mbyllur, më duhet të them se mjaft nga shkruesit janë kapluar nga sindroma e shpikjes së fjalëve të reja. Përse nuk ua lënë këtë punë leksikografëve? Në një libër shumë të mirë, që më ka entuziazmuar vërtet, vërej, - megjithatë, - prirjen për neologjizma: katilist (për katil);të mos vetëviktimizohemi; qëllimkeqësia; akuzë keqanake (keqdashëse). Ndikuar, mbase, nga ikanak. Faktorë biologjikë dhe estetikopsikologjikë; dritëjeta;biografiziu; përfaqësuesja e ideologjikolerës; ulërimë ujkore;hosanaizmi (nga fjala hosana, e F. Nolit); sahangjakpirësi; majëpiramidasit  lëshonin parulla. . .

Udhëzimi më i thjeshtë do të ishte: Hapni fjalorët, së shumti sa 1/100-ta e atyre që dëshironi të shkruani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›