E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini bllokon rizgjedhjen e deputetëve të PS, shpall nga shpella privatizimin e listës

Asambleja e Partisë Socialiste është vendosur dje nën diktatin e Edvinit, i cili ka vendosur që deputetët aktualë të mos kenë të drejtë të rikandidohen nga anëtarësia socialiste, por duhet t’i dërgojnë lutje atij. Islami, Fino e Malaj protestojnë, por Rama është i vendosur në rrugën e privatizimit të partisë, përmes rregullit kinez të orientimit nga larg dhe propozimeve nga poshtë

TIRANE – Edi Rama ka ligjëruar dje të drejtën e vendosjes së tij për listën e kandidatëve për deputetët të PS-ës. Prirja e kryesocialistit mësohet se nuk ka kaluar pa debate në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, anëtarë të së cilës kanë kërkuar që lista e kandidatëve për deputetë, të miratohet në bazë të propozimeve të bazës dhe jo në bazë të listës së hartuar nga vetë Edi Rama.
Duke sajuar në Asamblenë e djeshme Kombëtare të PS-ës, akrobaci të tilla të tipit që “kandidatët t’i propozojë baza”, Edi Rama nga ana tjetër i ka hequr të drejtën bazës të propozojë për kandidatë për deputetët, deputetët aktualë të kësaj partie, si edhe kryetarët e degëve lokale të PS-ës. Në përfundim të gjithë kësaj procedure formale, Asambleja e djeshme Kombëtare e PS-së i është nënshtruar dhe ka miratuar vendimin, sipas të cilit kryesia e kësaj partie, vendos për listën përfundimtare të kandidatëve për deputetët, në bazë të emrave që e ka të drejtë vetëm Edi Rama, t’ia paraqesë për miratim kësaj kryesie.

Debatet
Mes diskutimeve për kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, mësohet se deputetët “e vjetër” Bashkim Fino, Arben Malaj, Kastriot Islami, etj., në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-ës, kanë kundërshtuar idetë dhe propozimet e Edi Ramës, që këta kandidatë të zgjidhen dhe votohen nga kryesia e PS-së, në bazë të listës së paraqitur nga vetë kryesocialisti, i cili ka i vetëm këtë të drejtë.
“Bazuar ne pikën 13 të nenit 27 të statutit të PS-së, se, ‘kryesia e PS-së miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore’, kryesia e PS-së bën vlerësimin e listës së kandidaturave të paraqitur nga kryetari i PS-së për secilin qark...”, ishte vendimi i djeshëm i marrë nga Asambleja Kombëtare e PS-së, lidhur me mënyrën e paraqitjes dhe miratimit të listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie.
Por, mësohet se në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, nuk ka qenë vetëm objekt debatesh, kjo pjesë e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, por edhe kriteret përjashtuese për “kategori” të ndryshme të anëtarësisë, apo drejtimit të PS-së.
Një nga kriteret e miratuar dje thuhet qartë se “nuk mund të propozohen nga strukturat e partisë si kandidatë deputetët aktualë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste”.
Ky kriter përjashtues, ka ndeshur në kundërshtime të deputetëve aktualë, anëtarë të Asamblesë Kombëtare, të cilët kanë lexuar rrezikun e mospërzgjedhjes së tyre në listën e pritshme të kandidatëve të PS-së.
Duke u ndalur në kriteret e tjera të (mos)përzgjedhjes së kandidatëve të PS-së, kupola e PS-së (nën diktatin e Edvinit), dje ka menduar dhe vendosur të tjera kushte përjashtuese për listën e kandidatëve për deputetë. Këtë herë, të përjashtuarit janë krerët lokalë të degëve të PS-së. “Si rregull, nuk mund të jenë kandidatë për deputetë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste”, nënvizohej dje në një nga vendimet e miratuara nga Asambleje Kombëtare e PS-së, që natyrshëm ka zgjuar zemërimin e të zgjedhurve lokalë të PS-së, të cilët e shohin veten jashtë mundësisë së përzgjedhjes së tyre, si kandidatë të mundshëm të PS-së.

Asambleja
Ndërkohë, pavarësisht debateve të shumta, Asambleja Kombëtare e PS-së miratoi dje kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Ndërkohë, edhe pse në mënyrë formale është diskutuar dje në këtë asamble për kritere, kreu i PS-së ia ka arritur t’i njohë vetes të drejtën e hartimit të listës përfundimtare të PS-së, që do t’ia paraqesë për miratim kryesisë së partisë.
Asambleja Kombëtare e PS-së, përcaktoi gjithashtu dje, edhe mënyrën se si do të procedohet për ecurinë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetët të PS-së, proces që do të fillojë më datën 9 maj dhe do të përfundojë më datën 14 maj të këtij viti. E veçanta e këtyre takimeve, që do të zhvillohen për çdo rreth, qëndron në kontrollin e tyre, sërish nga njerëzit e Edi Ramës, kur specifikohet se, këto takime do të drejtohen nga anëtarët repsektivë të kryesisë së PS-ës, të deleguar nga qendra.
“Takimet dhe konsultimet për tërheqjen e mendimit të strukturave të partisë për kandidaturat potenciale do të organizohen në bazë rrethi. Takimet dhe konsultimet për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë sipas rretheve zhvillohen nën drejtimin e anëtarit të kryesisë së PS-së të ngarkuar për qarkun përkatës”, thuhet në pikat përcaktuese mbi të cilat do të zhvillohet procedura për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
Në bazë të vendimit të djeshëm të Asamblesë Kombëtare të PS-së, mësohet gjithashtu se lista shumemërore me kandidatët për deputetë të PS-së, do të përfundojë së hartuari në 18 maj 2009.
Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi gjithashtu dje, edhe thirrjen e një Konference Kombëtare me qëllim përbërjen publike të programit të ri qeverisës të kësaj partie. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se më datën 16 është menduar mbajtja e një konference të tillë, përmes të cilës Partia Socialiste do të paraqesë një sintezë të të gjithë programit të saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›