E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Dosja e Fazlliç rihapet nga letërporositë

 

Dosja e Damir Fazlliç mund të rihapet sërish nga Prokuroria. Gjithçka varet nga përgjigjet e tre letërporosive të dërguara nga Prokuroria e Tiranës në organet e drejtësisë në Zvicër, Qipro dhe Angli. Në një klauzolë të vendimit të pushimit të çështjes, prokurorët e çështjes kanë argumentuar se nëse përgjigjet e letërporosive do të jenë në disfavor të biznesmenit serbo-boshnjak, atëherë kjo do të konsiderohet provë e re dhe si e tillë një arsye për të rihapur hetimin në ngarkim të tij. Ndërkohë, përgjigjet e letërporosive nga Bosnja dhe Kroacia nuk përmbanin fakte me të cilat mund të provohej akuza "pastrim parash" ndaj biznesmenit që mban edhe nënshtetësi angleze. Dje, organi qendror i akuzës me anë të një komunikate për shtyp shpjegoi procedurat e ndjekura dhe arsyet mbi të cilat u mbështet Prokuroria për mbylljen e hetimeve. "Prokuroria e Tiranës në bazë të publikimeve në media dhe materialit verifikues në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit Tiranë, më datë 7 tetor 2008, mbështetur në Kushtetutë dhe Kodin e Procedurës Penale, ka regjistruar çështjen penale me numër 3258 në ngarkim të shtetasit boshnjak Damir Fazlliç, për veprën penale të 'pastrimit të produkteve të veprës penale', parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal shqiptar", thuhet në deklaratën zyrtare të Prokurorisë. Më tej, organi qendror i hetimit pohon: "Prokuroria e Tiranës ka kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore në territorin e Republikës së Shqipërisë. Duke pasur parasysh kompleksitetin, specifikën e hetimit dhe natyrën e dispozitës penale konkrete për të cilën ka filluar ky procedim penal, bazuar në konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, është kërkuar bashkëpunimin dhe ndihma e homologëve ndërkombëtarë për të sqaruar në mënyrë të plotë faktet dhe rrethanat që kanë lidhje me hetimin". Po kështu Prokuroria pohon se "në analizë të të gjitha veprimeve hetimore të kryera, dhe në mungesë të përgjigjeve të letërporosive drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, nuk është arritur të sigurohen të dhëna të mjaftueshme për provueshmërinë e veprës penale si dhe detyrimit ligjor procedural për respektimin e afateve hetimore. Në datën 7 maj 2009, Prokuroria bazuar në Kodin e Procedurës Penale ka vendosur pushimin e hetimeve lidhur me çështjen penale me numër 3258, viti 2008", përfundon komunikata e Prokurorisë së Përgjithshme. Rreth një muaj më parë, më datë 6 prill, Prokuroria e Tiranës vendosi të shtynte me një muaj afatin e mbylljes së hetimeve për Fazlliç, kohë kjo e konsideruar e mjaftueshme për kthimin e përgjigjeve të letërporosive. Pas skadimit të këtij afati, dy ditë më parë, Prokuroria vendosi pushimin e hetimit ndaj biznesmenit serbo-boshnjak. Ndërkohë pritet që kopje të vendimit të pushimit t'i komunikohen biznesmenit dhe dy avokatëve të tij mbrojtës.          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›